Pronarë dhe ish-komunistë

Sep 18, 2012 | 13:03

SYBI HIDA

Në seancën e fundit, Parlamentit tonë iu dha një mundësi e madhe për të shtuar edhe një ilaç tjetër në recetën që përpiqet të shërojë një nga plagët dhe dramat që trashëguam nga sundimi i Partisë Komuniste/Punës. Komunistët, pasi vranë, keqtrajtuan dhe internuan qytetarët që me mundim kishin arritur të ndërtonin apo trashëgonin shtëpi për familjet e tyre, i zaptuan si fitimtarë këto shtëpi, duke u vetëquajtur banues me qira. Madje, komunistët, për të thelluar më shumë luftën klasore, në fakt, luftën vëllazërore, detyruan edhe shumë familje të thjeshta qytetare të jetonin në këto prona si banues me qira. Sigurisht që kjo e dyta ka qenë e studiuar mirë, pasi, nëpërmjet këtyre familjeve të ndershme, ata fshihnin grabitjen që kishin bërë.
Uzurpimi i shtëpive dhe pronave të qytetarëve vazhdonte të ndodhte pa ndërprerje me të njëjtin ritëm që vijonte edhe përzgjedhja e armiqve të popullit.
Ndërsa dënimet politike përfunduan në fillim të viteve ‘90, zaptimi i pronave vazhdoi edhe për 20 vjet të tjera. Ka qenë Partia Demokratike që ka njohur dramat e komunizmit dhe është përpjekur e përpiqet të gjejë çdo mënyrë për t’i shëruar ato, pavarësisht kompleksitetit që përkon me zgjidhjen e tyre. Edhe kalimi i aktit normativ për kthimin e shtëpive tek i zoti ishte kryekëput vullnet i kësaj partie. Në atë seancë, me privilegjin që më jep karrigia e deputetit, kam përforcuar një ide të krijuar në mendjen time, që shumë qasje negative që ndeshim sot janë pasojë e periudhës komuniste. Si mund të luftohet korrupsioni kur mbrohet në Parlament grabitja e pronës së tjetrit; si mund të kërkojmë drejtësi kur nuk lejohet e drejta e ushtrimit të pronës; si mund të edukojmë fëmijët tanë që mos të bëhen hajdutë e uzurpatorë, kur një pjesë e deputetëve të tyre mbrojnë me patos moskthimin e pronës së grabitur.  Ajo seancë ishte një mundësi për të gjithë deputetët dhe klasën politike, që me përulje dhe duke i kërkuar falje kësaj shtrese të grabitur, të votonte pro aktit normativ. Jam i bindur që ka pasur deputetë nga PS-ja që kanë qenë pro këtij akti, por, për shkak të rreshtimit politik, u detyruan të mos e mbështesin atë. Uroj që në Parlamentin e ardhshëm ata të jenë shumicë brenda grupit të tyre parlamentar, duke ofruar një opozitë racionale dhe mbështetëse të zhvillimit të vendit.
Para disa ditësh takova një mikun tim dhe më tregoi një histori dramatike. Pasi babai i tij kishte dalë nga burgu politik për 9 vjet dhe pasi i ishte hequr e drejta për të jetuar në shtëpinë e tij, përballet me një kërkesë absurde. Banuesit me qira në shtëpinë e tij kishin prishur çatinë e shtëpisë dhe shteti-parti kërkonte nga ai që të ndreqte çatinë, edhe pse nuk kishte të drejtë të jetonte në shtëpinë e tij. Me urdhër të shtetit-parti, ai u detyrua që të merrte borxh dhe të rregullonte shtëpinë e grabitur, duke u lënë fëmijëve të vet borxhe të mëdha dhe imazhin e njerëzve të grabitur. Jam i bindur se ka me mijëra shembuj të tillë e më monstruozë dhe pyetja që lind është se me çfarë tagri mund t’u kërkojmë këtyre familjeve të mos kërkojnë të drejtën e tyre, kur kjo e drejtë është themeli i demokracisë.  Unë e kuptoj ngutjen e Partisë Socialiste që të dalë në mbrojtje të votuesve të saj, por jo të shkelë mbi parimet themelore të lirisë së individit. George Orwell shkruante që, kush kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen; kush kontrollon të tashmen, kontrollon të kaluarën. Thënia e Orwell-it i përkiste sloganit të partisë së një shteti diktatorial, ndërsa ne po përpiqemi të krijojmë një shoqëri demokratike e të lirë. Prandaj duhet ta lëmë të lirë të kaluarën, të tashmen e të ardhmen. Të jemi të lirë, si nga e keqja, ashtu dhe nga e mira e grabitur. Shqipëria duhet të jetë e lirë nga e kaluara e saj dhe të përdorë energjitë që ka për të mbështetur lirinë e demokracinë, pa asnjë pengesë dhe asnjë kërcënim nga e kaluara.

© Panorama.al

Te lidhura