Aventura surreale e shkrimtarit francez mbërrin edhe në shqip. Dje, shtëpia botuese “Toena” prezantoi botimin e saj të radhës. Bëhet fjalë për librin “Mali analog” i shkrimtarit dhe poetit francez René Daumal, i cili është ndarë nga jeta në moshë të re, vetëm 32 vjeç. Libri është shqipëruar nga përkthyesja Anjeza Rramadhi. “Të gjitha mitologjitë kanë të bëjnë ose për një qendër të vërtetë të botës, ose për një pemë të dalë nga toka dhe që fiton qiellin, ose për një mal të shenjtë, por në të gjitha rastet ekziston një mundësi komunikimi me botën e përtejshme. Por duhet që kjo mundësi të ekzistojë, që pema ose mali të jetë aty në të vërtetë, siç janë Everesti ose Mali i Bardhë. Kjo është ajo që mendon autori i librit dhe ai mbledh një ekspeditë për të zbuluar Malin Analog”, shkruan një tjetër shkrimtar francez, Roger Nimier. Sipas tij, përshkrimi i pjesëtarëve të ekspeditës i lejon autorit René Daumal të shprehë fantazinë e tij. Baza e Malit është gjetur më në fund: është përkulja e hapësirës që i ndalonte ta shihnin. Tregimi është i pambaruar, por ai garanton që ekspedita, e zhdukur nga sytë e lexuesve, vazhdon përtej.











