Dritan Prifti priste dje në dhomën e dëshmitarëve të Gjykatës së Lartë për të dhënë dëshminë e tij në procesin në ngarkim të ish-zv.kryeministrit
Ilir Meta, Kolegji Penal ndryshoi radhën e marrjes së provave në proces.
Trupi gjykues, që po shqyrton akuzat për “korrupsion” ndaj Ilir Metës, urdhëroi thirrjen e ekspertëve që do të ekspertojnë videoregjistrimin
mes Metës dhe Priftit. Në lidhje me emrat e ekspertëve apo shtetësinë
e tyre, gjykata do të shprehet në seancën e radhës, e caktuar për t’u zhvilluar në 25 korrik 2011. Riekspertimi i video-regjistrimit u vendos në seancën e fundit ndaj Metës më 11 korrik, pasi Kolegji Penal deklaroi të pavlefshëm akt-ekspertimet e kryera nga dy ekspertët, një amerikan dhe një anglez. Në seancën e djeshme, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për heqjen dorë nga marrja si provë e transkriptit të bisedës së videos mes Leonard Beqirajt dhe Dritan Priftit, video e gjetur gjatë hetimeve në kompjuterin e Priftit. Sipas gjykatës, kjo video është një provë që rrjedh nga një provë, e deklaruar
e pavlefshme. Po dje, Kolegji Penal nuk pranoi kërkesën e mbrojtjes për
thirrjen si dëshmitar në proces të ish-zv.ministrit Leonard Beqiraj.
SEANCA
Ish-zv.kryeministri Ilir Meta ndodhej i ulur në mes të dy avokatëve të tij
mbrojtës në bankën e të akuzuarve, dje në orën 11:44, kur Kolegji Penal që
po gjykon atë në Gjykatën e Lartë hyri në sallë. Vetëm pak më pas, ai u ngrit në këmbë me urdhër të tyre duke konfirmuar gjeneralitetet para gjykatës, për
shkak se ishte hera e parë që merrte pjesë në gjykim. Në vijim, Gjykata u njoh me kërkesën e mbrojtësit të Metës, avokatit Gëzim Veleshnja. Duke folur në emër të mbrojtjes të ish zv. kryeministrit, avokati Veleshnja kërkoi administrimin si provë të videos ku shfaqet ish-ministri Dritan Prifti dhe ish-zv.ministri Leonard Beqiraj. “Të thirret dhe të pyetet si dëshmitar
Leonard Beqiraj. Ai duhet të sqarojë kontekstin e bisedës. Njëkohësisht,
kërkojmë procesverbalin e transkriptimit të kësaj bisede”, kërkoi avokati.
Avokati kërkoi që nga ana e Kolegjit të mos vonohej thirrja e ekspertëve. Pas
avokatit, përfaqësuesi i akuzës në proces i kërkoi gjykatës revokimin e
kërkesës për marrjen si provë të transkriptit të bisedës mes Beqirajt dhe Priftit. “Meqë videoja është gjetur nga ekspertët amerikanë, akt-ekspertimet
e të cilëve u rrëzuan nga gjykata, kërkojmë revokimin e kësaj kërkese”,
tha prokurori.
PËRBALLJA
Ndonëse nuk u thirr në seancë për të dëshmuar, Dritan Prifti u përball dje me
ish-zv.kryeministrin Ilir Meta në ambientet e Gjykatës së Lartë. Ata u shkëmbyen në shkallët e brendshme të Gjykatës, në momentin që ish-zv.kryeministri Meta po zbriste nga kati i katërt i godinës, ku u zhvillua seanca. Meta ishte i shoqëruar nga avokatë dhe miq të tij të pranishëm në seancë, në momentin që në drejtim të kundërt me të po ngjitej akuzuesi
i tij Dritan Prifti. Shkëmbimi ndodhi në sheshpushimin e shkallëve mes
katit të dytë dhe të tretë. Ish ministri Prifti hapi rrugë duke qëndruar në cep të sheshpushimit, por pa mundur të fshehë sikletin, duke kapur çrregullt syzet me duar. Nga ana e tij, Meta vijoi zbritjen e shkallëve qetësisht, i pashqetësuar nga situata.
Meta: Prokuroria vepron me dy standarde, po mbron Priftin
TIRANE – Ish zv.kryeministri Ilir Meta e cilësoi të paprecedentë kërkesën e Prokurorisë për tërheqjen nga paraqitja si provë e videos mes Dritan
Priftit dhe Leonard Beqirajt. Në një dalje para mediave, pak pas përfundimit të seancës gjyqësore, Meta tha se Prokuroria po përdor standarde
të dyfishta, që të mos i dalë i pavlefshëm dëshmitari Prifti. “Dua të shpreh çudinë e madhe për aktin e paprecedentë të Prokurorisë, e cila u
tërhoq nga një prej provave, sipas saj, më të rëndësishme që kishte paraqitur për gjykim dhe që ishte në dosjen hetimore. Ishte pikërisht videoja e përgjuesit tim me dikë tjetër. Video, që sipas prokurorisë përgjuesi im merrte
70 mijë euro, në mos gaboj, dhe për të cilën është i pandehur. Video, për të cilën përgjuesi im, sikurse mbani mend në seancën që iu hoq imuniteti në Parlament, pas kërkesës së prokurorisë për marrjen e tij si të pandehur,
për shkak të marrjes së rreth 70 mijë eurove në atë video. Kur përgjuesi im deklaroi se e kishte bërë këtë regjistrim të vetes së tij duke marrë eurot,
për të provuar fajësinë e Ilir Metës. Është shumë e çuditshme se si prokuroria, në një proces që ka ngritur kundër Ilir Metës, të heqë një provë
të tillë, të cilën vetë e kishte paraqitur dhe që është pjesë e dosjes hetimore. Ky veprim i prokurorisë nuk është kaq i çuditshëm, sepse ajo përdor
standarde të dyfishta, me qëllim që të mos i dalë i pavlefshëm i vetmi dëshmitar i saj, natyrisht i rremë, i cili qëlloi që të jetë edhe i pandehur”,
u shpreh Meta.
PRIFTI: META TE PERBALLET ME DREJTESINE
Teksa po largohej nga Gjykata e Lartë, Dritan Prifti tha dje se kishte ardhur për të bërë një detyrë qytetare për të dëshmuar. “Nuk e di fare se çfarë është bërë në sallën e gjyqit. Por erdha për të bërë detyrën time si qytetar, për të çuar deri në fund një mision që unë i kam caktuar vetes. Do të vij sërish kur të më thërrasin”, tha Prifti. Po dje, Prifti reagoi pas deklaratës së ish-zv.kryeministrit Meta me anë të një deklarate për shtyp. Ndër të tjera, në deklaratë Prifti pohonte se “videoja Prifti-Beqiraj kërkohet nga Meta për shantazh mbi mua si dëshmitar”.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











