Prokuroria pushon padinë për zv.ministrin e Brendshëm

Jul 13, 2011 | 11:34

Denoncimi i drejtorit të Forcave Speciale, Shemsi Prençi, ndaj zv.mi-nistrit të Brendshëm, Avenir Peka, ishte një nga “incidentet” më të nxehta të fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit, por tashmë kur zgjedhjet kanë kaluar, prokuroria ka vlerësuar se hetimi i padisë nuk ka baza ligjore.Burime nga Prokuroria e Tiranës kanë pohuar se ky institucion ka vendosur mosfillimin e procedimit penal për padinë e bërë nda drejtori i Forcave Speciale dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë në Policinë e Shtetit, Shemsi Prençi. Mëngjesin e 11 prillit 2011, Prençi nxori në publik një përplasje të madhe që sipas tij kishte ndodhur një ditë më parë mes zv.ministrit të Brendshëm, Avenir Peka, dhe kreut të Forcave Speciale. “Sot kam denoncuar incidentin më të rëndë të ndodhur në karrierën time në periudhë zgjedhjesh. Ditën e djeshme (të dielën, më 10 prill 2011), kur unë kam qenë pushim, më është kërkuar nga zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka, të shkel ligjin. Ai kërkoi ndërhyrjen e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në një ngjarje në Bathore. Unë e kam kundërshtuar dhe ai më ka kërcënuar e ka fyer rëndë dinjitetin tim”. Kështu do të shprehej në dalje të portës së Prokurorisë kreu i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, Shemsi Prençi. Fjala ishte për një incident që kishte ndodhur një ditë më parë, ku militantë të PD-së dhe PS-së ishin përplasur mes tyre në Bathore duke dëmtuar dy automjete, si dhe duke grisur flamujt e partive politike në fushatë. Duke iu referuar pretendimeve për shkelje të ligjit nga zv.ministri, Shemsi Prençi e akuzoi zv.ministrin për fyerje dhe kanosje për shkak të detyrës, si dhe për shpërdorim detyre. Prençi deklaroi se nuk kishte pranuar të dërgonte forcat speciale në Bathore, pasi kjo ishte e paligjshme.
Kundërpadia
Pak orë pas padisë së bërë nga Shemsi Prençi, zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka, u kundërpërgjigj me një padi. Ai e kallëzoi penalisht në prokurori zyrtarin e policisë duke e akuzuar se kishte shpifur me akuzat e bëra publikisht. Prokuroria, një ditë më pas i bashkoi në një dosje të dyja paditë. Pas verifikimeve paraprake, organi i akuzës i thirri për të dhënë deklarime të dy protagonistët e kallëzimeve, duke marrë prej secilit versionin përkatës të ngjarjes. Zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka, gjatë dëshmisë në prokurori mësohet se ka pranuar se ka folur në telefon me Shemsi Prençin, por ka shtuar se nuk i ka dhënë atij urdhra apo ta ketë fyer. Ndodhur në këto kushte, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar prova nga Shemsi Prençi për pretendimet e tij. Ky i fundit nuk dihet nëse ka paraqitur regjistrime telefonatash apo mesazhesh në prokurori, por organi i akuzës ka vendosur mosfillimin e hetimeve në lidhje me këtë çështje për shkak të mungesës së elementeve të veprës penale.
Akuzat politike
Kallëzimi penal në Prokurorinë e Tiranës ndaj zv.ministrit të Brendshëm Avenir Peka në fushatë elektorale, frymëzoi Partinë Socialiste për akuza në drejtim të Ministrisë së Brendshme. Pas padisë së bërë nga Shemsi Prençi, deputeti socialist Namik Dokle, njëherësh nënkryetar i Kuvendit, ka kërkuar shkarkimin nga detyra të zv.ministrit të Brendshëm, Avenir Peka. “Duke përkrahur dhe mbështetur cilindo punonjës të rendit që zbaton me korrektësi ligjin dhe Kushtetutën, Partia Socialiste njëherësh denoncon dhe dënon me indinjatë dhe përkushtim ligjor të gjithë ata që kërcënojnë, organizojnë dhe urdhërojnë veprime policore dhe jopolicore të kundërligjshme. Ky zv.ministër, që guxon të dalë mbi ligjin, urgjentisht duhet të japë dorëheqjen apo të shkarkohet nga detyra”, ka thënë Dokle më 11 prill, pas padisë së bërë nga Shemsi Prençi në Prokurorinë e Tiranës. Sipas Dokles, Shemsi Prençi bëri kallëzim penal në Prokurori ndaj zv.ministrit të Bre-ndshëm, Avenir Peka, për urdhrin e tij të paligjshëm dhe antikushtetues “për të shtypur militantët e PS në Bathore”.

Incidenti
Ngjarja që u bë shkak për “përplasjen” mes zv.ministrit dhe kreut të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Policinë e Shtetit ndodhi në Bathore më 10 prill. Militantë të PS-së bllokuan rrugën e një autokolone me makina që mbanin flamujt e PD-së. Për pasojë, rruga u bllokua për një orë dhe qarkullimi u normalizua vetëm pas ndërhyrjes së policisë.

 

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura