
TIRANE – Prokuroria e Tiranës vendosi mosfillimin e procedimit penal për Ekrem Spahinë, kryetarin e Partisë Lëvizja e Legalitetit, në lidhje me deklaratat publike të tij kundër komunitetit gay. Sipas Prokurorisë së kryeqytetit, deklaratat e kreut të Legalitetit nuk janë vepër penale. Kallëzimi ndaj Spahisë në Prokurori u bë nga përfaqësuesit e komunitetit gay për shkak të disa deklaratave mediatike të tij kundër tyre. Një prej tyre ishte ai i datës 23 mars, ku Spahia, në lidhje me komunitetin gay, u shpreh: “Unë s’kam ndonjë koment tjetër, vetëm t’i kap në hu ata”. “Në rastin konkret, deklarimi i shtetasit Ekrem Spahia, i bërë me cilësinë e kryetarit të Partisë Lëvizja e Legalitetit, ka ndikuar negativisht te një grup i caktuar personash, kryesisht përfaqësues dhe mbështetës të LGBT-së, por ajo nuk ka pasur efektin e nxitjes së urrejtjes kundër kësaj pjese të popullsisë, duke vënë në rrezik paqen publike. Në këto kushte, nuk mund të procedohet për veprën penale ‘thirrje për urrejtje nacionaliste’”, thuhej në vendimin e Prokurorisë. Në një reagim për mediat, Aleanca Kundër Diskriminimit edhe Pro LGBT vendosën të mos e ankimonin këtë vendim të Prokurorisë, me argumentin se ligji në fuqi është i cunguar dhe i pamjaftueshëm për të dënuar krimet me bazë urrejtjen.











