
Njësia Task-Force Antikorrupsion filloi kryesisht pa denoncim 10 raste hetimi gjatë vitit 2011.
Përplasja e shifrave të krimit, Prokuroria raporton më tepër se Policia
Shifrat e Prokurorisë dhe të Policisë për gjendjen e kriminalitetit në Tiranës nuk përputhen me njëra-tjetrën. Gjatë analizës së punës për vitin 2011 në Prokurorinë e Tiranës, u dhanë dje shifra në lidhje me krimet kundër personit, vepër penale shqetësuese veçanërisht kohët e fundit. Kryeprokurori i Tiranës tha se gjatë vitit 2011 janë regjistruar në hetim 366 vepra penale në fushën e krimeve kundër personit, çka përfshin vrasjen, vrasjen e mbetur në tentativë dhe plagosjen. “Ka rritje e numrit të vrasjeve dhe disa prej këtyre krimeve, në numër të konsiderueshëm, janë ende me autorë të pazbuluar”, tha kryeprokurori i Tiranës. Por, ndonëse metodologjia e analizës së Prokurorisë me Policinë ndryshon, sërish shifrat nuk përputhen as në koncept. Nëse u referohemi shifrave të bëra publike nga Policia e Tiranës në fund të vitit 2011, në analizën përkatëse të punës, të dhënat duket e kanë ndryshim me shifrat që jep Prokuroria. “Në fushën kundër krimeve ndaj jetës dhe lirisë së personit janë evidentuar gjithsej 141 vepra penale, zbuluar 125 ose 88.7% tyre, ku janë proceduar gjithsej 259 autorë”, thuhet në analizën e Policisë së Tiranës zhvilluar në dhjetor 2011. Shifra që jep Policia për këtë figurë veprash penale është të paktën një herë më pak se ajo që deklaron Prokuroria. Ndryshimi mund të bëhet me faktin se Prokuroria, në vitin 2011 numëron edhe ato dosje të së njëjtës vepër penale që janë transferuar nga viti i mëparshëm 2010 si të pazbuluara, mirëpo sërish shifrat kanë mospërputhje të madhe. Prokuroria thekson rritjen e numrit të vrasjeve dhe grabitjeve në vende publike si bankat, pikat e këmbimit të valutës etj.
Kriminaliteti
Kreu i Prokurorisë së Tiranës deklaroi dje se në institucionin e akuzës, gjatë vitit 2011 kanë mbërritur 8965 kallëzime penale, nga të cilat për 1452 është vendosur mosfillimi i hetimeve. Rrjedhimisht, për 7513 procedime penale është vendosur vazhdimi i hetimeve gjatë vitit 2011, ndërsa në total, numri i kallëzimeve në vitin 2011 ka qenë 666 më shumë se një vit më parë. Sipas Prokurorisë, dhjetë çështje penale në fushën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës janë hapur kryesisht nga Prokuroria dhe në mënyrë të veçantë nga Njësia Task-Force Antikorrupsion. Sipas Prokurorisë, rritje të lehtë ka pësuar kriminaliteti në veprat penale kundër personit. “Ajo që mund të theksoj për këtë vit është fakti që për disa vrasje të ndodhura ende nuk janë zbuluar autorët e veprës penale. Janë hetuar 366 procedime penale për vepra penale të rënda si vrasje me dashje, vrasje me paramendim, vrasje në rrethana të cilësuara, plagosje të rënda, shfrytëzim prostitucioni, prodhim dhe shitje lëndësh narkotike, vjedhje me armë, vjedhje me pasojë vdekjen etj., me 269 persona të pandehur, nga të cilët 130 me masën e sigurimit arrest me burg”, deklaroi kryeprokurori i rrethit të Tiranës, Sokol Malaj.
Kriminaliteti 2011
. 8965 kallëzime të depozituara. 1452 kallëzime ku është vendosur mosfillimi
. 666 kallëzime e materiale më shumë se në 2010-n
. 10 çështje janë nisur kryesisht nga Task-Forca
. 74 procedime për pastrim të produkteve të veprës penale, korrupsionit
. 5 kallëzime nga ILDKP, 4 pafajësi nga gjykata
. 366 krime të rënda kundër personit, grabitje dhe vrasje
. 269 persona të pandehur për krime të rënda, nga të cilët 130 në arrest me burg
Policia për vrasjet dhe grabitjet
Policia e Tiranës, në analizën për vitin 2010 nuk ka dhënë shifra krahasuese me një vit më parë në lidhje me krimet në fushën kundër jetës dhe lirisë së personit, si dhe për krimet në fushën e vjedhjeve me dhunë dhe me armë. Ndonëse për të gjitha veprat e tjera penale, si trafiqet, krimet e rënda, krimet financiare etj., policia jep të dhëna krahasuese me vitin e mëparshëm, për vrasjet, vjedhjet e grabitjet jepen vetëm shifrat e vitit të fundit dhe nuk krahasohen me vitin paraardhës.
“Para drejtësisë autorët e dhunës ndaj policisë”
Gjykata dënoi me burg 15 protestues për 21 janarin

“Hetimi i ngjarjeve të 21 janarit ishte një eksperiencë e re për Prokurorinë e Tiranës”, kështu deklaroi dje kreu i organit të akuzës në kryeqytet, Sokol Malaj. Gjatë analizës për punën e bërë gjatë vitit 2011, Malaj tha se për shkak të rëndësisë dhe kompleksitetit të çështjes, për hetimin e 21 janarit për disa ditë u angazhua gjithë personeli i Prokurorisë së Tiranës. “Si pasojë e rëndësisë së kësaj ngjarjeje, janë angazhuar të gjithë prokurorët e Prokurorisë së Tiranës dhe oficerët e Policisë Gjyqësore”, tha Malaj. Ai theksoi se ky angazhim është materializuar në kryerjen e veprimeve hetimore në terren, pasi janë marrë në pyetje shume persona në Spitalin Ushtarak, në Gardën e Republikës, në komisariatet e policisë, si dhe janë mbledhur provat e nevojshme në vendin ku ndodhën ngjarjet. Kryeprok-urori i Tiranës theksoi se hetimi i ngjarjeve të 21 janarit është një punë që duhet vlerësuar. “Puna e bërë është për t’u vlerësuar, sepse është një punë kolosale dhe që do të shërbejë si eksperiencë edhe në të ardhmen”, tha kryeprokurori i Tiranës. Ai theksoi se hetimi ka qenë gjithëpërfshirës si në drejtim të vrasjeve, ashtu edhe në drejtim të shkatërrimit të pronës dhe të dhunës ndaj forcave të Gardës dhe Policisë. “Një pjesë e mirë e autorëve të veprave penale të ndodhura më 21 janar, kryesisht ata që akuzoheshin për dhunë ndaj Policisë dhe Gardës, janë dërguar në Gjykatë”, tha Malaj. Ai vuri në dukje se bëhet fjalë për 21 persona të akuzuar për ushtrim dhune e kundërshtim ndaj forcave të Policisë. Sipas analizës së Prokurorisë, 15 persona, nga numri total i 21 të akuzuarve, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar nga gjykata me dënime që shkojnë relativisht nga dhjetë muaj deri në mbi një vit. Pjesa e dosjes së 21 janarit, e cila lidhet me vrasjen e katër qytetarëve, është ende në hetim nga Prokuroria, e cila ka vënë nën akuzë disa gardistë dhe komandantin e Gardës, gjeneralin Ndrea Prendi.
Prokuroria: Apeli na rrëzoi kërkesat gjithë vitin 2011
Tirana, qarku më i madh, KLSH, asnjë kallëzim gjatë vitit të kaluar

“Shkalla e Dytë liroi të arrestuarit për korrupsion”
Prokuroria akuzon Gjykatën e Apelit të Tiranës për lehtësimin e masave të sigurimit për personat e arrestuar me akuzat e korrupsionit. Në analizën e punës për vitin e kaluar 2011, prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë, Sokol Malaj, në prani të prokurores së Përgjithshme, stafit të Prokurorisë dhe zyrtarëve të Policisë, paraqiti të dhënat konkrete për luftën ndaj krimit dhe ndjekjen penale. Duke u përqendruar tek raporti i prokurorisë me gjykatat, kryeprokurori evidentoi problematik lehtësimin e masave të sigurisë të personave të arrestuar për korrupsion në Gjykatën e Apelit. Sipas analizës, ndërsa gjykata e Shkallës së Parë mbështet masat e sigurisë me arrest me burg, Gjykata e Apelit është ajo që i ndryshon ato duke i lënë në arrest shtëpie apo detyrim paraqitjeje. Ky fenomen konsiderohet shqetësues sa i përket ndjekjes penale dhe luftës ndaj korrupsionit. ”Në shumicën e rasteve, masat e kërkuara nga prokurorët për “arrest me burg” janë pranuar nga Gjykata e Shkallës së Parë, ndërsa problem është Gjykata e Apelit, e cila ka ndryshuar masat për disa zyrtarë të akuzuar për korrupsion që në gjykimin tonë është e papranueshme”, the kryeprokurori i Tiranës, Sokol Malaj, gjatë paraqitjes së analizës.
Lirimet, asnjë apel i pranuar
Sipas analizës së punës në Prokurorinë e Tiranës, gjatë vitit të kaluar ka pasur një numër të madh të personave që ndonëse janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar, janë lënë më pas të lirë me dënime me kusht. Po kështu, me kusht janë liruar një numër i madh personash, që kanë kryer shumicën e dënimit dhe u ka mbetur edhe një periudhë prej 203 vitesh. Këta persona janë lënë të lirë me kusht dhe Prokuroria e ka kundërshtuar lirimin e tyre, mirëpo në asnjë rast gjatë gjithë vitit 2011, Gjykata e Apelit nuk ka pranuar kërkesat e institucionit të akuzës.
KLSH dhe mjekësia ligjore
Kryeprokurori i Tiranës, Sokol Malaj, tha se gjatë vitit 2011, organi i akuzës është përballur me problematika edhe nga institucionet e tjera të shtetit. Kështu, Mjekësia Ligjore ka vonuar disa herë përgjigjet e kërkuara nga prokuroria për rastet e plagosjeve, vrasjeve apo lëndime të ndryshme që kanë nevojë për ekzaminime të tilla. Ndërsa për t’u theksuar është fenomeni që ka ndodhur me Kontrollin e Lartë të Shtetit. KLSH nuk ka bërë asnjë denoncim në Prokurori gjatë vitit 2011, edhe pse Tirana është qarku më i madh në vend me numrin më të madh të administratës, bizneseve dhe institucioneve. Mungesa e kallëzimeve nga KLSH shikohet me habi nga Prokuroria, pasi KLSH ka në metodikën e punës dhe në ligj detyrën e ushtrimit të kontrolleve periodike të përvitshme në administratë dhe dërgimin në Prokurori të dosjeve për shkeljet e gjetura.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











