
Akuza: Burg edhe për shoferin e Prendit dhe ekspertin e qeverisë
21 janari, kërkohet zëvendësim mase për kreun e Gardës
Prokuroria e Tiranës kërkon në gjykatë zëvendësimin e masës së sigurisë për tre të akuzuarit e dosjes “21 janari”. Organi i akuzës kërkon vendosjen e masës arrest me burg për ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi, shoferin e tij, Margarit Kume dhe specialistin e IT-së së Kryeministrisë, Armando Kasa, duke zëvendësuar në këtë mënyrë masën e sigurisë arrest shtëpie, të vendosur më 22 janar 2012. Seanca pritet të zhvillohet paraditen e sotme në Gjykatën e Tiranës në orën 09:00. Burime të Prokurorisë bënë të ditur se kanë ndryshuar kushtet në lidhje me provimin e dyshimeve të fajësisë mbi të akuzuarin Ndrea Prendi. Organi i hetimit ka mundur të sigurojë prova të reja, të përmendura edhe në seancën e parë më 22 janar. Bëhet fjalë për një akt që pasqyron se pistoleta me të cilën dyshohet të jetë vrarë demonstruesi Faik Myrtaj është tërhequr nga Ndrea Prendi në magazinën e armatimit të Gardës mëngjesin e 21 janarit. Mungesa e këtij akti në shqyrtimin e parë të masës së sigurisë bëri që gjykata të shfaqte “rezerva” në lidhje me kërkesën “arrest me burg”. Në vendim, gjyqtari arsyetonte se nga aktet e sjella nga Prokuroria nuk provohej fakti që pistoleta në fjalë ishte tërhequr nga Ndrea Prendi. Kërkesa e Prokurorisë për të caktuar një masë sigurie më të rëndë se ajo e “arrestit të shtëpisë”, caktuar ndaj Prendit e dy të tjerëve më 25 janar vjen vetëm pak ditë pasi vetë organi i akuzës u ankua në Apel për vendimin e Shkallës së Parë. Referuar burimeve, me plotësimin e kësaj prove, zëvendësimi i akuzës për të dyshuarin Ndrea Prendi, është kusht i nevojshëm, në përpjesëtim me veprën penale për të cilën ai akuzohet. Njëkohësisht, kërkesa e re në Gjykatën e Shkallës së Parë bëhet edhe për shkak të vonesës që mund të sjellë procedura e hedhjes në short dhe caktimi i datës së gjyqit në Apel.
Debate mes deputetëve për 21 janarin në Kuvend
Topalli: Ina Rama do vijë si deputete e PS-së në Parlament
Maxhoranca ka vazhduar dje sulmet ndaj kryeprokurores Ina Rama. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka replikuar ashpër me deputeten e opozitës Ermonela Felaj, lidhur me hetimin e ngjarjeve të 21 janarit. Felaj akuzoi Kryeministrin Berisha dhe kryetaren e Kuvendit se po tentojnë të fshehin të vërtetën e katër vrasjeve të 21 janarit, por nga ana tjetër, ajo inkurajoi kryeprokuroren që të mos trembet nga sulmet politike. “Ina Rama përdor të gjithë fuqinë që të jep ligji mbi këdo që guxoi të godasë mbi njerëzit e popullit të tij. Përballë me ligjin, të gjithë ata që urdhëruan vrasjet”, deklaroi Felaj. Gjatë replikës, kryeparlamentarja Topalli ka ironizuar qëndrimin e prokurores së Përgjithshme, duke e cilësuar atë si pjesë e listave të ardhshme të deputetëve të PS-së. Topalli theksoi se hetimi i Prokurorisë po kryhet në mënyrë të njëanshme, duke mos ndëshkuar organizatorët e demonstratës së dhunshme në janarin e vitit të shkuar. “Kam përshtypjen se mandatin tjetër do të zëvendësojë ty Ina Rama”, iu drejtua Topalli deputetes Felaj. “Do jetë këtu deputete në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste”, ironizoi Topalli. Ndërkaq, deputeti demokrat Fatbardh Kadilli tha se katër deputetët e PS-së, që pranuan heqjen e imunitetit, u sakrifikuan nga kryetari i Partisë Socialiste. “Ngjarja e 21 janarit ka si urdhërues kryesore Edi Ramën dhe ka si frymëzim kryesor faktin për të mos qenë në opozitë. Sulmi ka autor të vetëm Edi Ramën dhe dëshira e tij e pakontrolluar për të rrëzuar pushtetin e zgjedhur me votë. Sot ai shiti tre deputetë për të shpëtuar veten”, theksoi Kadilli. Nënkryetarja e Grupit të Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, dënoi sulmet ndaj institucionit të Prokurorisë, duke e cilësuar si një cenim për demokracinë. “Midis Prokurorisë dhe Drejtorisë së Policisë ka ndodhur një konflikt institucional. Policia nuk ekzekutoi gjashtë urdhrat e ndalimit, çka përbën një precedent të rrezikshëm të demokracisë. Këto ngjarje kanë provuar një të vërtetë të hidhur, atë të sulmeve ndaj Prokurorisë dhe veçanërisht ndaj prokurores, ndaj së cilës ka pasur dhe ka jo vetëm sulme politike, por fyerje nga më të ndryshme”, pohoi Hysi.
Debate në Parlament
Tom Doshi: Në këtë kohë erdhi nji djalë prej Lezhet dhe më tha qe ka dalë Mesila Doda në televizor e ka thanë që vrasjen e ka ba Tom Doshi bashkë me nipin e vet. A është kështu Mesila apo jo? A ke thënë a s’ke thënë? Se je mësu me var njerëz te palma jote ti!
Ermonela Felaj: Ndonëse Jozefina u mundua ta fshehë, duke recituar këngë me atë shqip-italishten e saj, provat i keni para syve. Pas varrimit të Hekuran Dedajt dhe Ziver Veizit kam dashur më shumë se një herë t’i them Ina Ramës: Mos u shkurajo, mos u tërhiq se je me të drejtë. Sot kam mundësi t’ia them publikisht. Ina Rama përdor të gjithë fuqinë që të jep ligji mbi këdo që guxoi të godasë mbi njerëzit e popullit të tij. Përballë me ligjin, të gjithë ata që urdhëruan vrasjet.
Jozefina Topalli, Ermonela Felajt: Kam përshtypjen se mandatin tjetër do të zëvendësojë ty Ina Rama. Do jetë këtu deputete në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste. Politikën tuaj po bën çdo ditë. S’ke nevojë me ia thënë se e bën vetë, pa ia thënë ajo, se do jetë deputete e Partisë Socialiste. Të garantoj. Po t’i nuk do jesh më.
Vasilika Hysi: Ka kaluar një vit nga 21 janari dhe sot kemi dy qëndrime të tjera dhe larg nga njëra-tjetra. Kemi qëndrimin e faktorit ndërkombëtar dhe nga PS-ja, që hetimi të drejtohet nga Prokuroria e Përgjithshme dhe të jetë një hetim gjithëpërfshirës, objekti, i pavarur dhe efektiv dhe nga ana tjetër, qëndrimin e PD-së. Një qëndrim pengues, denigrues dhe kërcënues, që hetimi i ngjarjes nuk do të kryhet nga kjo prokurore, por nga prokurori i ri që do të zgjidhet. Sigurisht që njerëzit në krye mund të ndërrohen, por ndërrimi i tyre nuk do të thotë ndërrim i së vërtetës.
Gent Strazimiri: Do të duhet të ishte një seancë dramatike në Kuvend, se jo gjithmonë ndodh që në seancë të votojmë për heqjen e imunitetit për tre deputetë. Aq më tepër të akuzuar nga Prokuroria për një vepër penale siç është organizimi i mitingjeve të paligjshme, të cilat për më tepër përfunduan me humbjen tragjike të tre jetëve njerëzore. Për fat të keq, nuk ishte seancë dramatike, por një seancë e hareshme. Personalisht jam dakord me fjalimet e tre deputetëve që u kërkohet imuniteti. Asnjëri prej tyre s’ka faj, sepse Prokuroria i ka thirrur për të mos dalë te e vërteta e kësaj pune.
Asllan Dogjani: Çdo deputet i maxhorancës, ministër apo kushdo tjetër që publikisht po mbron me çdo kusht autorët e vrasjes së katër qytetarëve të pafajshëm, është njësoj dhe i barabartë me ata që kanë dhënë urdhër për vrasjen, si dhe me ata që kanë shkrehur armët, duke lënë jetim 8 fëmijë nga katër familje shqiptare. Berisha dhe papagallët e tij nuk mund të ndalojnë punën e Prokurorisë për zbardhjen e së vërtetës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore, cilido qofte ai që ka shkelur ligjin.
Besnik Baraj: Po supozoj për një moment që unë isha komandat dhe punëdhënës i 200 mijë njerëzve dhe po supozoj që atyre 200 mijë njerëzve u kisha dhënë nga një gur, nga një çadër dhe parullë. Dhe po supozoj që unë i kam thënë atyre njerëzve që të shkojnë para Kryeministrisë dhe godisni policinë. Unë në këtë rast, me të drejtë duhet të akuzohem e të shkoj në Prokurori. Të gjitha këto janë supozime. Nga pala tjetër kemi një punëdhënës që është ministri i Brendshëm, kemi një punëdhënës që është Kryeministri me përgjegjësi ligjore që u ka dhënë një automatik dhe revole secilit gardist dhe ata kanë shtënë mbi popullit dhe kanë vrarë. Ndërsa për ata 200 mijë që kanë goditur me gurë, ka vetëm të plagosur dhe mua më vjen keq që janë plagosur policët. Por rasti im është hipotetik, ndërsa rasti i Bashës dhe Berishës është real.
Flamur Noka
“Më 21 janar dështoi Rama-Topi-Rama”

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, deklaroi dje në Parlament se 21 janari ka një fajtor të vetëm dhe ai është kryetari i PS-së, Edi Rama. Demokrati theksoi më tej se organizatorët e dhunës më 21 janar tentuan të marrim me dhunë institucionet kushtetuese. “Ajo ditë do të mbahet mend si një ditë turpi për treshen ‘Rama-Topi-Rama’. Ajo ditë do të mbahet mend si dita ku u tentua t’i vihet zjarri vendit për tri karrige të pushtetit. Sot që po flasim, ka kaluar një vit nga 21 janari, një vit nga dita që u tentua të merrej pushtet me dhunë, një pushtet që nuk u arrit dot të merrej me votë. 21 janari kishte një organizator. Kishte skenar dhe regjisorë. Kishte një autor, dhe ky ishte Edvin Rama”, deklaroi Noka.
© Panorama.al











