
TIRANE- Prokuroria ka kërkuar 2 vjet burg për, Armando Kasaj, i akuzuari për fshirjen e pamjeve filmike të 21 janarit nga serveri i Kryeministrisë. Konkluzionet përfundimtare të akuzës u paraqitën në seancën e ditës së sotme në Gjykatën e Tiranës. Prokuroria i ka kërkuar gjykatës gjykimin e të pandehurit Armando Kasaj për veprën penale të “veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetes”.
Në seancën e shkuar, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e Kasajt për gjykimin e dosjes në ngarkim të tij në gjendjen në të cilën ndodhen aktet. Nga kjo mënyrë gjykimi, Kasaj përfiton uljen e një të tretës së masës së dënimit, nëse deklarohet i fajshëm nga Gjykata e Tiranës. Gjithashtu, kjo do të thotë që dosja në ngarkim të tij nuk do t’i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor. Pretendimi i mbrojtjes është pranuar edhe nga përfaqësuesi i akuzës në proces, prokurori Ndini Tavani.
DOSJA
Armando Kasaj po gjykohet në një proces të veçuar nga tre të pandehurit e tjerë të dosjes “21 janari”, ish-kreut të Gardës Ndrea Prendi, ish-gardistit Agim Llupo dhe ish-shoferit të Prendit, Margarit Kume. Sipas Prokurorisë, ai ka fshirë pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë së Kryeministrisë gjatë orëve të demonstratës së dhunshme të 21 janarit 2011. Në deklarimet e tij, Kasaj ka pranuar vetëm se ka kopjuar pamjet e një prej kamerave dhe gjithçka i është dorëzuar Gardës së Republikës.











