Dje pasdite, Prokuroria e Përgjithshme reagoi ndaj deklaratave të ILDKP-së, nëpërmjet një njoftimi për shtyp. “Në zyrën e organit të akuzës, ILDKP ka paraqitur gjithsej 18 kallëzime penale. Nga këto kallëzime, 6 kanë qenë për kryetarë komunash, 2 për doganierë, 3 për ish-doganierë, 1 ish-deputet, 1 ish-zëvendësministër, 2 punonjës nga Drejtoria e Tatimeve, 1 punonjës nga Ministria e Transporteve, 1 regjistrues i Pasurive të Paluajtshme dhe 1 ish-përmbarues”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Më tej, organi i akuzës sqaron se “nga këto 18 raste të paraqitura, në 5 prej tyre është vendosur mosfillim i procedimit penal, thuhet në njoftimin e Prokurorisë, pasi nuk ishin konsumuar masat administrative më parë nga vetë ILDKP, për rastet kur subjektet nuk kishin pranuar të deklaronin pasurinë e tyre, parakusht i domosdoshëm për ushtrimin e ndjekjes penale”. “Mbi këtë bazë, prokuroria ka regjistruar 13 procedime penale, nga të cilat 9 janë çuar për gjykim duke ngritur akuzat ndaj zyrtarëve të kallëzuar, 3 janë pushuar dhe 1 është ende nën hetim. Duke shprehur angazhimin maksimal në hetimet e këtyre rasteve, Prokuroria thotë se çdo material kallëzimi i paraqitur nga ILDKP është vlerësuar me seriozitet dhe ai ka marrë rrugën gjyqësore çdo herë që kanë ekzistuar elementet për të ngritur një akuzë penale ndaj subjekteve”, përfundon sqarimi i Prokurorisë së Përgjithshme.











