Prokuroria: Ilia Basho i dyshuar edhe pas lirimit

May 16, 2012 | 14:45

Ilia Basho në Gjykatë

Tiranë, dosja për personin që qëlloi laboranten, e pezulluar në Polici.

“Ishte personi i interesuar për vrasjen, jo autori i saj”

Ilia Basho mbetet i dyshuari numër një i Prokurorisë për vrasjen e së shoqes, Eleni Basho, pavarësisht lirimit nga masa e sigurisë “arrest me burg” tri ditë më parë. “Nuk ka dyshime, mbi dëshmi dhe prova të bazuara, Ilia Basho lidhet me shkak dhe me motiv me organizimin e vrasjes së Eleni Bashos, por nuk provohet se është ai personi që ka kryer veprimet në terren për realizimin e veprës penale”, kanë thënë dje burimet e Prokurorisë së Tiranës. Sipas tyre, kërkesa drejtuar Gjykatës për lirimin nga burgu të Ilia Bashos u bë një javë para se të plotësohej afati 3-mujor i hetimit dhe i mbajtjes në burg të personit të akuzuar. Sipas Prokurorisë, për më se dy muaj Basho u mbajt në qeli në një kohë kur në dosje nuk ishte referuar nga Policia ndonjë provë apo fakt i ri në lidhje me krimin. “Pas nxjerrjes së urdhër-ndalimit të shtetasit Ilia Basho, dosja penale i është përcjellë Policisë për gjetjen e provave shtesë”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, Policia nuk referoi prova shtesë për implikimin e Ilia Bashos, me përjashtim të disa mesazheve telefonike të cilat tregonin motivin e vrasjes, por jo autorin e krimit.
Hetimi vazhdon

Eleni Basho

“Pas lirimit të Ilia Bashos nga paraburgimi, hetimet për vrasjen e Eleni Bashos vazhdojnë”. Kështu thanë dje burime të Prokurorisë së Tiranës, të cilat kanë pohuar se mbajtja e të pandehurit në masën “detyrim paraqitje” nuk e pengon hetimin. Po kështu, burimet nga organi i akuzës kanë sqaruar se nuk ka pasur deri tani ndonjë reagim nga familjarët e Eleni Bashos në lidhje me lirimin e bashkëshortit të laborantes dentare, e cila u vra me dy plumba më 2 shkurt në mbrëmje. Prokuroria theksoi gjithashtu se Yllka Shehaj, e dashura e Ilia Bashos, nuk është person në hetim, pasi ka vetëm statusin e dëshmitares në këtë çështje, duke qenë se ka sqaruar disa rrethana të hetimit.
Provat për Bashon
Provat e vetme të Prokurorisë për Ilia Bashon janë disa mesazhe të shkëmbyera mes tij dhe të dashurës Yllka Shehaj. “O të marr, o do vdes, prandaj kujdesu për fëmijët e mi po s’u bë kjo që dua unë”, ka qenë një nga mesazhet e dërguara nga Basho tek e dashura e tij para vrasjes së gruas. Pak kohë para krimit, Basho ka nisur një mesazh tjetër: “Nesër ose në datën 2 do të zgjidhet kjo punë”. Mesazhi i fundit ka qenë: “Më prit dhe pak, më prit deri me 15.12.2012 dhe ajo do të largohet nga skena pa u bërë zhurmë dhe ti nuk do të kesh fare punë, se si do ta rregulloj. Ti ke ngrënë një shpullë, por asaj do t’i kthehen dhjetë të tilla mbrapsht”. Sipas Prokurorisë, këto SMS tregojnë për motivin e dyshuar të vrasjes, po jo për autorin e krimit.
Hetimi për autorin
Menjëherë pas ndalimit të Ilia Bashos, Prokuroria delegoi në Polici dosjen penale për zbulimin e autorit të vrasjes së Eleni Bashos. Sipas Prokurorisë, i shoqi i viktimës ishte personi i interesuar që vrasja të ndodhte, por nuk provohej që ai të ishte autori i të shtënave me armë. Ndodhur në këto kushte, Prokuroria i kërkoi Policisë mbledhjen e informacioneve operative në lidhje me autorin e mundshëm të vrasjes së Eleni Bashos, por dosja penale në fjalë është pezulluar dhe ka mbetur ende në Polici për shkak se nuk është arritur të zbulohet apo të provohet asgjë në lidhje me autorin e krimit.

Vrasja e Elenit, pranë shtëpisë
Pak kohë pasi kishte folur në telefon me të shoqin, Ilia Bashon, Eleni Basho u vra më 2 shkurt në mbrëmje vetëm pak metra larg banesës së saj në Shkozë. Ajo u qëllua me armë zjarri më dy plumba pistolete duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Ngjarja e dyshuar si grabitje në fillim u klasifikua si vrasje për shkak se nuk ishte prekur çanta dhe as sendet personale të viktimës. Dy javë pas vrasjes, Policia ndaloi me urdhër të Prokurorisë bashkëshortin e viktimës, Ilia Bashon, i cili ndiqet në masën “detyrim paraqitje”.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura