
TIRANE – Gjykata e Lartë do të shprehet të enjten në lidhje me vijimin e gjykimit kundër ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti dhe ish-zëvendësit të tij, Leonard Beqiraj, të akuzuar për “korrupsion”. Në seancën e djeshme, përfaqësuesi i Prokurorisë në gjykim, i konsideroi të pabazuara në ligj pretendimet paraprake të avokatëve, të thëna një seancë më herët, duke dhënë argumente kundër për secilën. Në seancën e 23 prillit, mbrojtësit e të pandehurve kërkuan pushimin e gjykimit në ngarkim të klientëve të tyre. Sipas prokurorit Bujar Sheshi, mbrojtja gabohet kur pretendonte se vendimi i pafajësisë ndaj shtetasit Ilir Meta të janarit 2012, si edhe një vendim i ndërmjetëm i kësaj çështjeje, duhet të merreshin parasysh nga gjykata. “Ne mendojmë se këto vendime nuk kanë përse të merren për bazë në gjykimin e çështjes në ngarkim të pandehurve Dritan Prifti dhe Leonard Beqiraj. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, që ka shqyrtuar çështjen në ngarkim të shtetasit Ilir Meta, ka gjykuar si Shkallë e Parë për shkak të juridiksionit fillestar. Për këtë arsye, vendimi i këtij kolegji nuk mund të përbëjë një praktikë detyruese për gjykatat e tjera të çdo shkalle, për më tepër për kolegjin që po gjykon çështjen në ngarkim të të pandehurve të sipërpërmendur, që është i njëjti nivel dhe vepron me të njëjtën bazë ligjore”, u shpreh prokurori. Përfaqësuesi i akuzës shprehu qëndrim të kundërt me avokatët edhe në lidhje me kërkesën e tyre për pavlefshmëri të ekspertimit të ekspertit amerikan Glenn Bard, që zbuloi praninë e videos “Prifti-Beqiraj”, gjatë ekspertimit për llogari të hetimit “Meta-Prifti”. “Në lidhje me pikën tjetër të kërkesë paraprake, për të cilën pretendohet për pavlefshmëri të aktit të ekspertimit teknik të videos, të kryer nga shtetasi amerikan Glenn Bard, ne gjithashtu mbajnë qëndrim të kundërt me kërkuesit. Për ne, si akuzë, akti i ekspertimit teknik i titulluar ‘Raport Përfundimtar’ është i rregullt nga çdo pikëpamje, si në përmbajtje, ashtu dhe në paraqitjen formale, apo bazën procedurale”, u shpreh prokurori. Në lidhje me pretendimet e mbrojtësve për shkeljen e procedurave për moszbatimin e letërporosive, prokurori tha se “në rastin në gjykim, vendimi për kryerjen e ekspertimit nuk i është drejtuar autoriteteve të SHBA-ve, por një shtetasi amerikan, specialist me njohuri të posaçme”. Pasi administroi në fashikull pretendimet e prokurorit, Kolegji Penal u tërhoq për vendim, vendim që do të shpallet ditën e enjte. ar.ba











