
Prokuroria letër klubit “Shkumbini”. Flet deputeti: Isha tek dhomat, bëra shaka me arbitrat.
I bëhet ekspertiza. Hetim për kërcënim ndaj gjyqtarëve të ndeshjes.
Prokuroria e Elbasanit deklaron se arma me të cilën u qëllua në stadiumin e Peqinit ishte lodër. Pas akuzave publike dhe relacioneve në Federatën Shqiptare të Futbollit, se në stadiumin e Peqinit deputeti Dashnor Sula qëlloi me armë zjarri, ekspertiza e hodhi poshtë këtë. Në aktin e firmosur dje nga prokurori i Elbasanit, Elvin Gokaj, cilësohet se “ekspertimi tekniko-balistik mbi objektin e bllokuar konkludon se bëhet fjalë për një pistoletë, që nuk klasifikohet në armë zjarri luftarake”. Ky vërtetim i është dorëzuar klubit të futbollit “Shkumbini”, i interesuar për përgjigjen e ekspertizës. Pas përcaktimit të objektit si pistoletë stimuluese zhurme, ndonëse në pamje të parë ajo ngjan me një armë të vërtetë zjarri, Prokuroria deklaron se mbyllen hetimet e para në lidhje me përdorimin e një arme zjarri në ngjarjen e 5 majit. Policia e Peqinit dorëzoi të hënën në Prokurorinë e Elbasanit materialet procedurale në lidhje me ngjarjen, ku pretendohej se deputeti demokrat qëlloi me armë zjarri. “Nga shërbimet e Policisë gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Peqin është ndërmarrë kryerja e një sërë veprimesh, nga të cilët rezulton se nuk ka pasur dëmtime me armë zjarri në vendin e sipërcituar në njerëz apo objekte. Gjithashtu po nga shërbimet policore është proceduar me këqyrjen dhe marrjen e një sendi të cilësuar si pistoletë stimuluese zhurme (të dyshuar si lodër), për të cilën është vendosur t’i nënshtrohet ekspertimit përkatës teknik”, deklarohej në njoftimin e Prokurorisë, dyshim i cili u konfirmua edhe nga ekspertiza e djeshme. Ndërkohë, Prokuroria e Elbasanit bën të ditur se hetimi i çështjes po vazhdon nga ana e organit të akuzës me verifikime të tjera. Burime nga Prokuroria saktësojnë se do të merren në pyetje gjyqtarët e ndeshjes Shkumbini-Flamurtari, ashtu si dhe raporti nga FSHF-ja, për të vërtetuar nëse është kërcënuar ndonjë përfaqësues i saj, me qëllim që Prokuroria të ketë në dosjet e saj pretendimet e të dyja palëve. Nga ana e tij, deputeti Sula u shpreh dje, pas publikimit të aktit të ekspertimit mbi armën, se kjo do të thotë që në stadiumin e Peqinit nuk ka pasur incidente dhe as kërcënime. Burime brenda Federatës Shqiptare të Futbollit thonë se, në relacionet që ajo disponon, deklarohet se është qëlluar brenda ambienteve të stadiumit nga ana e deputetit, si dhe ai ka fyer e kërcënuar gjyqtarët e ndeshjes. Por, sipas deputetit Sula, çka mund të thuhet, është gënjeshtër e pastër. “Nuk kam pasur armë dhe nuk kam kërcënuar e as kam sharë ndokënd. Unë sot (dje) kam kontaktuar sërish me të katër arbitrat dhe i kam pyetur nëse më kishin parë mua me armë dhe nëse kisha bërë ndonjë gjë të kundërligjshme. Të gjithë më thanë që nuk është e vërtetë. Tani, nëse dikush kërkon të më sulmojë për arsye të tjera, mund të shpikë çdo gjë”, deklaroi ai. Deputeti e pranon që ka qenë në ambientet e brendshme të stadiumit, duke shtuar se nuk e ka mohuar asnjëherë këtë fakt. “Kam qenë dhe kam diskutuar me arbitrat. Madje, me shaka kam thënë se Flamurtari sot mund të na bëjë gropën, por as kam sharë dhe as kam kërcënuar ndokënd, e jo më të mendosh se kam pasur armë. Kam thënë që kam qenë vetë i pranishëm dhe nuk pashë asnjë armë. Tani na del se ka qenë një lodër e përdorur nga tifozët. Duket fare mirë se është një thashethem dhe një mani për të na dënuar”.
Replikat në Komision
Bashkim Fino: Në stadium ka edhe socialistë. Si ore, dole atje dhe shtive pesë herë me pistoletë bam-bam-bam?
Dashnor Sula: Po lëre tani, ç’a i keni këto?! Ju e bëtë gruan e botës shtatzënë. Nuk ju beson më njeri. Do ta shikoni raportin e Prokurorisë ju.
Shega Ligori: Dashi, sa vota ke ndër mend të marrësh prej pushkës?
Bashkim Fino: Na ke turpëruar ne këtu si Komision.
Shega Ligori: Thuaj e bëre dhe kaq.
Bashkim Fino: Unë u bëj thirrje këtyre kolegëve të PD-së që ta heqim Dashin nga Komisioni.
Dashnor Sula: Ta kisha bërë, hajde de, por nuk e bëra. Po u vërtetuan këto akuza, iki fare unë.
Bashkim Fino: O Rusmali, na ka turpëruar.
Dashnor Sula: Po u vërtetua, jap dorëheqjen, iki fare unë. Nuk jam si puna juaj unë. Të mos i kthehem 24 korrikut 1998 në Lazarat.
Bashkim Fino: Po ktheju sa të duash.
Dashnor Sula: Të mos i kthehem, po të them edhe njëherë tjetër. E di ti kur u plagosën nëntë policë në Lazarat për kontrabandën e kafesë kur ti ishe zv.kryeministër. Por mos e kthe në personale.
Bashkim Fino: Unë nuk e ktheva në personale.
Dashnor Sula: Unë nuk e kam bërë dhe nuk e bëj kurrë atë gjë.
Bashkim Fino: Po e ke në relacion. Ata gënjejnë?
Dashnor Sula: Ta nxjerrë Federata. E nxori dhe Policia, dhe Prokuroria. Ju jeni mësuar me shpif. Janë çmenduri këto që thoni ju.
Pandeli Majko: Ishte revole apo çfarë, Dashi?
Dashnor Sula: Po si nuk u vra njeri? Kurrë nuk mund ta bëja atë gjë.
Fino: Qëllove. Sula: Mos harro Lazaratin
Replikat Fino-Sula në Komision për Peqinin
Mbledhja e djeshme e Komisionit të Ligjeve nuk kaloi pa batuta dhe debate mes anëtarëve për ngjarjen në Peqin javën e kaluar. Deputeti socialist, Bashkim Fino, iu drejtua që në fillim të mbledhjes Dashnor Sulës, duke i thënë: “Si ore dole atje dhe shtive pesë herë me pistoletë bam-bam-bam?”. I menjëhershëm ishte edhe reagimi i deputetit demokrat, i cili hodhi poshtë sërish akuzat se ka qëlluar me armë gjatë ndeshjes së Shkumbinit me Flamurtarin. Ai iu drejtua Finos duke i thënë se opozita nuk është e besueshme në këto akuza për sa kohë që “e bëtë gruan e botës shtatzënë”, kur iu referua rastit të ish-bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Kavajës. Debati në distancë mes deputetit demokrat dhe atij socialist vazhdoi deri në atë pikë, sa Sula i kujtoi Finos një ngjarje të vitit 1998 në Lazarat, kur ai ishte në postin e zv.kryeministrit. “Të mos i kthehem ngjarjes së Lazaratit, po të them edhe një herë tjetër. E di ti kur u plagosën nëntë policë në Lazarat për kontrabandën e kafesë kur ti ishe zv.kryeministër. Por mos e kthe në personale”, iu drejtua Sula deputetit të PS-së. Pas rreth dy minutash debat, ku u përfshinë edhe Pandeli Majko dhe Shega Ligori, ndërhyri kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, i cili u kërkoi deputetëve që të vazhdonin me rendin e ditës, për miratimin e ligjit me EEULEX-in.
ELBASAN/ MIRANDA SADIKU
© Panorama.al











