Vartësi i kryeprokurores: Gara e pabarabartë, të rrëzohet zgjedhja e 4 anëtarëve të rinj në Këshill.
Dritan Gina: Po emëron të besuarit e saj në instancat drejtuese.
Prokurori i Durrësit, Dritan Gina, padit në Gjykatën e Tiranës kryeprokuroren Ina Rama dhe Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve, e cila pak javë më parë zgjodhi katër anëtarët e rinj të Këshillit të Prokurorisë.
Sipas padisë së dorëzuar në Gjykatë, veç të tjerave, prokurori i Durrësit thekson se ishte edhe ai një nga kandidatët që u përjashtua në mënyrë të padrejtë nga gara. Ndërkohë që kërkon shfuqizimin e vendimit për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit, prokurori i Durrësit, Dritan Gina, lëshon akuza ndaj eprores së tij më të lartë. “Sipas nenit 11, pika 2 të ligjit Nr.8737, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, thuhet se “anëtarët e Këshillit të Prokurorisë zgjidhen çdo tre vjet nga Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve”. Nga përcaktimet e nenit të mësipërm rezulton se mandati i prokurorit anëtar i Këshillit të Prokurorisë është 3 vjet dhe se në përfundim të këtij mandati trevjeçar, prokurori i Përgjithshëm duhet të thërrasë Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve, së cilës ligji i ka dhënë të drejtën dhe kompetencën ekskluzive për zgjedhjen e anëtareve të rinj të Këshillit të Prokurorisë. Në rastin konkret, rezulton se nga ana e prokurorit të Përgjithshëm, në kundërshtim flagrant me ligjin, është lejuar thërritja me shumë vonesë e Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve, duke ia zgjatur tej afatit të parashikuar në ligj, me rreth një vit, mandatin anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë dhe duke lejuar me vetëdije që ky Këshill pa mandat të japë mendimin, të bëjë sugjerime dhe këshillime në lidhje me një valë propozimesh për masë disiplinore të prokurorëve dhe në lidhje me emërimin dhe transferimin e mjaft të tjerëve”, thuhet në padi. Duke vazhduar më tej, me kontestimin e vendimeve të marra në Mbledhjen e Prokurorëve të datës 28 prill 2012, prokurori Dritan Gina thekson se Prokuroria e Përgjithshme, në datën 24 prill 2012 ka njoftuar të gjithë prokurorët brenda sistemit të Prokurorisë për zhvillimin e Mbledhjes së Përgjithshme. Sipas padisë, kjo shkresë është përpiluar vetëm katër ditë para Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve, pra shumë vonë për t’iu komunikuar në afat të gjithë prokurorëve brenda sistemit të Prokurorisë, për më tepër që data 28.04.2012 ishte ditë e shtune, ditë pushimi zyrtar. Sipas padisë, afati, brenda të cilit është bërë njoftimi i prokurorëve për zhvillimin e Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve dhe dita e zgjedhur nga prokurori i Përgjithshëm për t’u zhvilluar kjo mbledhje, bien në kundërshtim me parimet e sanksionuara në Kushtetutë, në Kodin e Procedurës Administrative dhe ne Kodin e Procedurës Civile, në lidhje me kohën kur mund të zhvillohet një proces vendimmarrjeje që ka lidhje me interesat kushtetuese dhe ligjore të shtetasit dhe në lidhje me afatin brenda të cilit duhet t’i komunikohet shtetasit zhvillimi i kësaj procedure. Me anë të veprimit në mënyrë të tillë, sipas paditësit, kryepro-kurorja ka favorizuar kandidatët e tjerë për anëtarë të Këshillit të Prokurorisë dhe konkretisht, drejtuesit e Prokurorisë së Rrethit Tiranë, Durrës dhe Fier, që të kenë të pranishëm të gjithë prokuro-rët mbështetës të tyre, që vijnë nga Tirana, Durrësi dhe Fieri, që janë rrethet më të afërta me vendin e zhvillimit të mbledhjes. Një e drejtë e tillë u është mohuar prokurorëve nga rrethet e largëta. Po kështu, mbi bazën e udhëzimit nr.1, datë 23 prill 2012, Ina Rama ka udhëzuar se: në fillim të Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve të zgjidhet një komision i përbërë prej 5 prokurorësh, i cili do të pranojë kandidaturat e paraqitura nga prokurorët për anëtar të Këshillit të Prokurorisë. Pas zgjedhjes së këtij komisioni, pranë tij do të depozitohen propozimet për anëtarë të Këshillit të Prokurorisë dhe pas depozitimit, komisioni, në bashkëpunim me Drejtorinë e Inspektimit dhe të Burimeve Njerëzore në Prokurorinë e Përgjithshme do të kryejnë verifikimet nëse kandidaturat e paraqitura i plotësojnë ose jo kriteret ligjore për t’u zgjedhur anëtarë të Këshillit të Prokurorisë. Sipas paditësit, me përfshirjen e Drejtorisë së Inspektimit në verifikimin e kandidaturave, prokurorja e Përgjithshme ka ndikuar direkt në garë, pasi një drejtori e tillë është tërësisht në varësi dhe nën ndikimin e saj.
Pabarazia e kandidatëve
Kandidimi për anëtar të Këshillit të Prokurorisë i drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Sokol Malaj, i drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, Altin Binaj dhe i drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, Besnik Cani, ishte në kundërshtim me ligjin. Pranimi nga ana e prokurorit të Përgjithshëm dhe komisionit të votimit të Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve si kandidatë për anëtarë të Këshillit të Prokurorisë i drejtuesve të prokurorive të rretheve, lejoi zhvillimin e një gare dhe konkurrimi për të njëjtin vend ndërmjet personave me pozita të pabarabarta, jo për shkak të meritës, por për shkak të pozicionit dhe detyrës.Konflikti i interesit
Në padinë e tij, prokurori i Durrësit, Dritan Gina, shpjegon se janë zgjedhur anëtarë të Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme drejtues të prokurorive të rretheve. Kjo situatë, sipas paditësit, përbën konflikt interesi për shkak se prokurori i rrethit, si drejtues, është ai që mund të iniciojë promovimin, vlerësimin, shpërblimin apo ngritjen në karrierë të një prokurori të thjeshtë, vartës të tij. Po kështu, prokurori i rrethit mund të iniciojë një vlerësim negativ, një masë apo një shkarkim për prokurorin në varësi të tij. Duke qenë anëtar Këshilli, drejtuesi i Prokurorisë ka mundësinë që të votojë e të mbështesë një masë të cilën ai vetë e ka iniciuar ose e ka kërkuar.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











