Prokurorët e shkarkuar, Ina Rama humb në Kushtetuese

Jul 20, 2012 | 14:25
Kryeprokurorja Ina rama

Prokuroria e Përgjithshme dje në Gjykatën Kushtetuese humbi gjyqin me një nga prokurorët e shkarkuar, i cili kërkon kthimin në detyrë. Bardhyl Shehu, i cili kishte bërë padi për moskthimin në detyrë edhe pse ka fituar këtë të drejtë me vendim të formës së prerë që nga viti 2010, ishte ankuar në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me këtë çështje. Sipas ankimit të bërë në Gjykatën Kushtetuese, prokurori Shehu ka pretenduar se gjatë fazës së ekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë nr.25, datë 18.03.2010, për kthimin e tij në detyrë, i është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor. Prokurori thekson se për shkak të refuzimit dhe pasivitetit të organeve kompetente, vendimi i formës së prerë, dhënë në favor të tij, nuk po ekzekutohet edhe pse kanë kaluar afërsisht dy vjet nga dhënia e tij. Gjykata Kushtetuese ka thirrur dhe ka dëgjuar edhe argumentet e palës së paditur, Prokurorisë së Përgjithshme. Përveç disa diskutimeve të natyrës teknike, organi i akuzës ka pretenduar se ka pasur vështirësi në buxhet dhe plotësim të vendeve vakante duke mos pasur mundësi të ekzekutojë vendimin për kthimin në punë të prokurorit të shkarkuar. Prokuroria ka theksuar edhe faktin se ka nisur të ekzekutojë detyrimet financiare që rrjedhin nga vendimi për kthimin në punë të prokurorit dhe pagesën e rrogës së tij për kohën e mbetur pa ushtruar detyrën si pasojë e shkarkimit. Gjykata Kushtetuese thekson se prokurorit i është cenuar e drejta për proces të rregullt gjyqësor dhe më pas jep dy arsyet. “Gjykata konstaton se subjekti i interesuar ka pasur mundësi për të ekzekutuar detyrimin ndaj kërkuesit duke e rikthyer në detyrë, qoftë pranë një Prokurorie të një rrethi tjetër. Ai jo vetëm që nuk e ka bërë këtë, por nuk ka shfaqur deri tani vullnet për të bërë një veprim të tillë, pasi vazhdon të shprehë hapur se ndodhet në pamundësi për të ekzekutuar këtë detyrim”, thuhet në argumentin e parë të Gjykatës. Fakti i dytë i përmendur në vendim është se “si përfundim, Gjykata konstaton se Prokuroria e Përgjithshme, nëpërmjet sjelljes së saj, ka cenuar të drejtën e kërkuesit për një proces të rregullt ligjor, të sanksionuar në nenin 42 të Kushtetutës dhe në nenin 6 të KEDNJ-së, për shkak të mosekzekutimit, brenda një afati të arsyeshëm, të vendimit gjyqësor të formës së prerë vetëm në pjesën që parashikon rikthimin në detyrë të kërkuesit”. Në të njëjtën situatë si prokurori Badhyl Shehu, edhe kolegët e tij Tom Dedaj dhe Rita Gjati kanë fituar gjyqet me Prokurorinë dhe me vendime të formës së prerë është kërkuar të kthehen në detyrë, por vendimet në fjalë nuk janë zbatuar nga organi i akuzës.

Rezoluta e Kuvendit
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar rezolutën e Komisionit parlamentar të Ligjeve në lidhje me Prokurorinë e Përgjithshme. Mësohet se një nga pikat e rezolutës së votuar tashmë në Parlament në lidhje me Prokurorinë, është kërkesa që organi i akuzës të zbatojë vendimet e formës së prerë të dhëna nga gjykatat. Rezoluta përfshiu këtë pikë pas ankesës së bërë në Komisionin e Ligjeve nga tre prokurorë të shkarkuar që me vendime të formës së prerë i fituan gjyqet, por nuk arritën të ktheheshin në vendet e tyre të punës.

© Panorama.al

Te lidhura