Prokurimet publike, 399 ankesa për shtatë muaj

Aug 29, 2011 | 12:14

Ankesat e operatorëve të ndryshëm ekonomikë lidhur me prokurimet publike janë rritur ndjeshëm gjatë këtij viti.Pranë Avokatit të Prokurimeve për periudhën janar-korrik janë regjistruar plot 399 ankesa, për të cilat është marrë masa e hetimit apo monitorime. Kjo shifër ankesash është mjaft e lartë, krahasuar me atë të një viti më parë, ku për të njëjtën periudhë janar-korrik 2010 u regjistruan 257 ankesa. Meqenëse një vit më parë institucioni i Avokatit të Prokurimeve konsiderohej ende i ri, numri më i ulët i ankesave është argumentuar me këtë fakt, por duket se tashmë operatorët ekonomikë po e shohin më të arsyeshme t’i drejtojnë ankesat e tyre në mënyrë institucionale dhe jo duke i neglizhuar. Ashtu sikurse dhe vetë Avokati i Prokurimeve ka theksuar në raportet vjetore të institucionit, pjesa më e madhe e ankesave lidhet me skualifikimet që u bëhen operatorëve ende pa u zhvilluar tenderi, pra dokumentacioni plus që u kërkohet apo zvarritja e madhe e procedurave e në disa raste edhe specifikimet teknike të ekzagjeruara. Përgjatë këtij viti vihet re edhe rritja e monitorimeve që vetë institucioni i Avokatit të Prokurimeve ka kryer krahasuar me vjet. Në shtatë muajt e parë të këtij viti janë kryer 65 monitorime, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur ishin 53 monitorime të zhvilluara. Përgjithësisht, iniciativa për monitorime të proceseve të prokurimit publik ndërmerret nga vetë institucioni për tendera specifikë, ndërkohë që në raste të tjera monitorimet fillojnë nga ndonjë indikacion i dhënë nga burime të tjera, siç mund të jenë operatorët e ndryshëm ekonomikë. Të marrë veç e veç, të gjithë  muajt kanë pasur një rritje të dukshme ankesash, krahasuar me të njëjtët muaj të një viti më parë. Nga totali prej 399 ankesash ka pasur një rritje të dukshme ankesash, krahasuar me të njëjtët muaj të një viti më parë. Nga totali prej 399 ankesash të këtij viti, rreth 22 ankesa dhe monitorime janë bërë në janar, në muajin shkurt 31 ankesa dhe monitorime në muajin mars, 44 ankesa; dhe monitorime bashkë, në prill 75 ankesa, në maj 78 ankesa, në qershor, 67 ankesa, ndërsa në korrik është edhe numri më i madh i ankesave prej 82 të tilla. Gjatë vitit të kaluar, në tërësi numri i ankesave arriti 300 të tilla, ndërkohë që ky numër është tejkaluar tashmë prej kohësh, që në 6-mujorin e parë të këtij viti.

399 ankesa
dhe monitorime janë regjistruar pranë Avokatit të Prokurimeve përgjatë 7 muajve të parë të këtij viti. Krahasuar me një vit më parë, numri i ankesave për të njëjtën periudhë është 142 ankesa më shumë.

63 monitorime
janë kryer gjithsej nga Avokati i Prokurimeve përgjatë periudhës janar-korrik, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të një viti më parë numri i monitorimeve vlerësohet
të jetë 53 të tilla.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura