Programi i PS, Edi Rama takon në Austri ish-kancelarin Vranicki

Feb 3, 2012 | 11:19
Kreu i PS, Rama

Kryetari i PS-së, Edi Rama, ndodhet në Austri, i ftuar nga socialistët austriakë. Gjatë ditës ai ka postuar në faqet e tij socialiste Twitter e Facebook impresionet nga takimi me ish-kancelarin austriak, Franc Vranicki, me të cilin ka pasur dhe një takim dje pasdite. Gjithashtu bëhet e ditur se sot, gjatë diskutimit për çështjet ndërkombëtare që kanë iniciuar socialistët austriakë, do të diskutohet dhe për Shqipërinë, rajonin dhe perspektivën europiane të Shqipërisë. Rama shkruan pas takimit me Vranickin se “një orë mbresëlënëse me kancelarin Vranicki për të shkuarën e të ardhmen e Shqipërisë dhe rajonit tonë. Shumë inkurajues për programin e PS”. Më tej, duke ndarë detaje të bisedës, Rama bën të ditur se ajo është fokusuar te propozimet konkrete që PS ka bërë në programin e saj. “Takim i ngrohtë dhe interes e gatishmëri e posaçme nga miqtë austriakë për të mbështetur programin tonë për një Rilindje Shqiptare. Funksionimi i demokracisë, taksa progresive, lufta me papunësinë e korrupsionin dhe reforma në arsim e shëndetësi në qendër të bisedës”, shkruan Rama. Takimi zhvillohej në “Bruno Kreisky Forum”, shtëpia e madhe e pritjes dhe dialogut ndërkombëtar të socialistëve austriakë. Në profilin e tij në Twitter, Rama shkruan dhe për vizitën e tij në Parlamentin austriak. “Pas pak në Parlamentin austriak me deputetë socialistë për gjendjen në Shqipëri, programin e ri të PS-së dhe bashkëpunimin mes dy grupeve tona”, shkruan Rama në Twitter.

Kodi, PD-PS nuk arrijnë marrëveshje për kandidatët

Komisioni për Reformën Zgjedhore

Komisioni për Reformën Zgjedhore nuk arriti dot mbrëmë të miratojë ndryshimet në kapitullin e regjistrimit të subjekteve zgjedhore. Pas rreth pesë orë diskutimesh dhe debatesh, PD dhe PS nuk kanë lëshuar aspak nga qëndrimet e tyre sa i takon numrit të kandidatëve në një zonë zgjedhore dhe dorëheqjes së zyrtarëve të lartë. Socialistët kanë propozuar sërish që zyrtarët e lartë të japin dorëheqje nga funksionet e tyre para përfshirjes së tyre në garë. Por demokratët nuk e kanë përkrahur këtë propozim të socialistëve. Për këtë pikë është rënë dakord që ekspertët e dy forcave politike të shikojnë legjislacionin e vendeve të BE-së për të vlerësuar se deri në çfarë niveli të administratës zyrtari jep dorëheqjen para se të kandidojë. Pika e dytë ku nuk u ra dakord ishte numri i kandidatëve në një zonë zgjedhore. Opozita kërkon që zona zgjedhore të ketë aq kandidatë sa ajo zonë nxjerr deputetë, ndërsa demokratët kërkojnë që lista e çdo qarku mund të jetë e hapur. Pika e vetme në të cilën kanë rënë dakord ishte heqja e dispozitës që u jepte të drejtë kryetarëve të partive të kandidonin në çdo qark. Më herët, Komisioni zhvilloi një seancë dëgjimore me shoqatat e grave për të dëgjuar rekomandimet e tyre për ndryshimin e Kodit. Dy koalicionet e grave, që merrnin pjesë në mbledhjen e djeshme, kërkuan përfaqësimin e tyre me 30 për qind në listat shumemërore për pushtetin lokal dhe Parlamentin. Në të njëjtën kohë ato kërkuan që në Kod të hiqet një fjali ku partitë penalizohen nëse nuk fusin 30 për qind të grave në listë, dhe ato të detyrohen ta bëjnë listën nga e para. Bashkëkryetari socialist, Damian Gjiknuri, propozoi që në listë, një në tre emrat e parë të jetë femër dhe pastaj 30% e listës, por kjo u refuzua nga shoqatat e grave.

© Panorama.al

Te lidhura