Profesor Kurti, “patron cum mentor”

Jul 18, 2012 | 12:41

MENTOR PETRELA

Profesor Xhelal Kurti, krijues i neurokirurgjisë shqiptare, u shua në moshën 86-vjeçare në paqe me vetveten e të dashurit e tij. Me origjinë bejlerësh nga Kurtët, u edukua me ndjenjë patriotike të thellë. Gjimnazist i Tiranës në konfliktin e Luftës se Dytë Botërore, i orientuar nga Shyqyri Mulleti, rreshtohet në moshën 17-vjeçare së bashku me të vëllanë, Safetin, në formacionin e Çetës së Pezës. Ky aksion i hershëm patriotik i tij e diferencoi nga komunizmi dhe totalitarizmi që pasuan, duke mbetur i palëkundur në shpirtin e tij. Oruelli në “The lion and the unicorn” përshkruan të njëjtën situatë, ku dalloheshin mirë qëndrimet e patriotëve anglezë nga majtistët, komunistët, fabianistët, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Studioi për Mjekësi në Budapest. Afeksionin për atë qytet dhe për hungarezët e shprehu pa rezervë gjatë gjithë jetës së tij me dozë të fortë humori. Ndër të vetmit u specializua për neurokirurgji në Çeki, pranë profesor Peterit për tri vite me radhë dhe emri i tij është i afishuar në Bibliotekën e Hradec Kralovit. I kthyer në atdhe pas rupturës me bllokun sovjetik, krijon Klinikën Universitare të Neurokirurgjisë më 1964-n, specialitet i vështirë për një vend të vogël që po shkonte drejt autarkisë. Shërbeu dhe përhapi në të gjithë territorin konceptet neurokirurgjikale të traumës kraniale e medulare te kirurgët e neurologët, ndërkohë nisi përpjekjet për pajisje e për formim ekipi. Aplikues i vërtetë i elektroencefalografisë,
arteriografisë, melografisë në Shqipëri, iu erdhi shumë në ndihmë të sëmurëve në diagnostikimin e sëmundjeve të trurit e të palcës. Evidencat e mbrojtën nga vanitoze e Alfiere që u përpoqën t’ia rrëmbenin rezultatin. Ndërhyrjet neurokirurgjikale të para i kreu në kushte të vështira e në përballje me opinione shpesh jo shumë të favorshme, megjithatë, vendimmarrja, pragmaticiteti, tërheqja përpara nxitimit ose arritjes se rezultatit me çdo kusht ishin karakteristikat kryesore që e dalluan si kirurg i mirëfilltë e i përsosur. Agnostik e i vërtetë, krijoi shoqërinë e tij me personazhet më të njohur të mjekësisë, të cilët ndjeheshin të gëzuar në praninë e tij të natyrshme e plot humor, duke u lënë të kuptohej se kështu do të zbusnin “ferocia animi”. Përpjekjet e pareshtura në zhvillimin e neurokirurgjisë i kishte preokupim pothuajse ditor që si neurokirurg i gjeneratës së tretë kam pasur privilegjin ta jetoj duke parë këmbënguljen, pasionin për teknologjitë e reja dhe, më kryesorja, perspektiva për të rinjtë. Shpesh citonte Seneken: “Që të drejtosh duhet të mposhtësh zilinë”.
Me shpirt liberal, megjithëse drejtoi nën diktaturë, nuk ngurroi lidhjet ndërkombëtare me figurat si Emil Pasztor, Raymond Houdart, Beniamino Guidetti, Jean Brihaye, G. P. Cantore, të cilët e mbështetën në të gjitha forumet ndërkombëtare, duke bërë të njohur neurokirurgjinë shqiptare, që ajo tashmë ishte realitet. Në relacionet me Fakultetin e Mjekësisë divulgoi në ciklin e dytë, të tretë e në edukimin e vazhdueshëm taksonomine neurokirurgjikale. Së bashku me Papariston, Gaçen, ishin mbrojtës të modelit të shkollës së librit të përkthyer, ku edhe aty shprehnin rezervat te redaktorët. Shërbimi Universitar i Neurokirurgjisë është tashmë një institucion mbarëkombëtar ku nën portikun e emrit Profesor Kurti lexoni:
“BANOJ NË SHTËPINE TIME, KURRË NUK KAM IMITUAR NDOKËND E DO TË TALLEM ME TË GJITHË MJESHTRIT QË NUK U TALLËN ME VETEN E TYRE”.
La Gaya Scienza. Nietzsche
Homazhet tona për zonjën Eli, Minervën, Philippe, Benoit, Julien, nipërve e mbesave.
*Profesor i Universiteteve, Paris

© Panorama.al

Te lidhura