SHEFQET DELIALLISI
Njëqind vjet më parë, ap likimi i raportit “Flexner” vendosi shkencën moderne në themel të kurikulës mjekësore, krijoi modelin akademik të arsimimit të mjekëve, krijoi kushtet për lindjen e qendrave akademike mjekësore, vendosi kërkimin shkencor në funksion të përmirësimit të kujdesit për pacientin dhe trajnimit klinik. Ky model që dha një kontribut të çmuar për shëndetin në shekullin XX, e ka të pamundur të përgatisë profesionistë të shëndetit të aftë për sfidat e shekullit XXI. Kjo për faktin se tashmë jetojmë në një kontekst shumë të ndryshëm, madje në ndryshim shumë të shpejtë dhe të pandërprerë. Jetojmë në kohën e shpërthimit të fluksit të dijeve, teknologjisë, informacionit dhe lehtësimit të aksesit për të. Jetojmë në kohën e kompleksitetit dhe shtrenjtimit të pandalshëm të sistemit shëndetësor. Jetojmë në kushtet e një tranzicioni të shpejtë demografik dhe epidemiologjik. Për gjithë këto arsye, një profesionalizëm i ri kërkohet. Dhe që ky të krijohet, kërkohet një reformë e thellë mësimore dhe institucionale.
ÇFARË “PRODHOHET” SOT NË FAKULTETET E MJEKËSISË?
“Sot spitalet universitare – sipas Knowles (2004) – pothuaj ekskluzivisht funksionojnë si ‘kështjella’ të mjekësisë kurative akute…. Studentët janë në kontakt kryesisht me pacientë të shtruar në spital, përgjithësisht në gjendje të rëndë, në pjesën dërmuese me probleme akute. Kurikulat aktuale nuk japin një vizion të ekuilibruar për kujdesin shëndetësor në përgjithësi. Sipas tyre, vendi më i rëndësishëm ku praktikohet mjekësia është spitali, që konsiderohet ‘servis për riparimin e shëndetit’. Ato transmetojnë një nënvleftësim për shërbimin parësor, pacientët ambulatorë, ata me sëmundje minore. Ushqehen shprehi negative për trajtimin e sëmundjeve kronike. Jashtë vëmendjes së duhur lënë parandalimin, shëndetin në komunitet apo shëndetin në publik…. Jashtë vëmendjes së duhur lihen problemet ekonomike. Modeli dominues vazhdon të jetë i orientuar te sëmundja, dhe jo te pacienti; ka si bazë spitalin, që nënkupton kurimin, dhe jo kujdesin”.
Me pak fjalë, strategjitë arsimore kanë ngecur në kurthin e gjendjeve shëndetësore të shekullit që lamë pas. Prodhojnë mjekë të papërgatitur për sfidat e kohës, që në radhë të parë janë sociale dhe ekonomike. Përgatisin mjekë vetëm për 10% të asaj me të cilën do të përballen në jetë, të paaftë për të mbajtur ritmin e zhvillimit të sistemit shëndetësor.
DY ANKETIME…
1 – Në shekullin që jetojmë, ushqyerja e papërshtatshme qëndron në themel të sëmundjeve që kërcënojnë seriozisht shëndetin publik (obeziteti, diabeti, sëmundjet e zemrës, kanceri etj.), prandaj dhe shkenca e ushqyerjes përbën një disiplinë themelore të kujdesit shëndetësor. Ajo përmirëson cilësinë e jetës dhe kursen shpenzimet për kujdesin shëndetësor. Në shtator 2011 u publikua rezultati i një anketimi me mjekë të familjes në Tiranë nga Instituti i Shëndetit Publik. Rezultoi, ndër të tjera, se këta mjekë kishin njohuri të pamjaftueshme për ushqyerjen… Rezultati mund të ketë habitur publikun, por jo mjekët, të cilët janë koshientë që dijet e tyre rreth ushqyerjes janë tejet të përcipta, madje në shumë raste mungojnë fare. Ky është defekt i formimit të tyre në Fakultetin e Mjekësisë, ku mungon departamenti i ushqyerjes, ku fare pak merren me shkencën e ushqyerjes, ndërkohë që përqendrohen në gjërat më të “rëndësishme”, me të cilat do t’i duhet të merren pak ose aspak gjatë ushtrimit të profesionit. 2- Ndërsa shumë flitet për kosto-efektivitet, për spital ndërmarrje, për sistemet shëndetësore e të tjera tema të kësaj natyre, në Fakultetin e Mjekësisë këto konsiderohen përciptas. Fakti që ekonomia shëndetësore, e domosdoshme në kushtet e rritjes marramendëse të shpenzimeve për kujdesin shëndetësor, nuk po implementohet gjerësisht, tregon se mjekët vazhdojnë të mos marrin dijet e duhura në këtë fushë. Duke mos pasur një anketim shqiptar, iu referova një anketimi të vitit 2007 me një grup studentësh amerikanë. Rezultati: më pak se gjysma e studentëve besonin se ishin arsimuar si duhet për tema si ekonomia mjekësore, sistemet e kujdesit shëndetësor, cilësia e kujdesit shëndetësor, siguria e kujdesit shëndetësor, politikat shëndetësore, ligjshmëria. Dhe të gjitha këto mangësi, sigurisht kanë ndikim të drejtpërdrejtë në praktikën e mëvonshme të tyre si mjekë në futjen e ndërgjegjes së kostos, përballjen e përditshme me botën komplekse të shpenzimeve, probleme këto në qendër të politikave shëndetësore bashkëkohore.
KOHA PËR NDRYSHIM…
Reformimi i arsimimit të profesionistëve të shëndetit duhet filluar pa humbur kohë. Një vizion i ri kërkohet. Të mësuarit informues dhe formues duhet t’ia lërë vendin të mësuarit transformues. Duhen ndryshuar kurikulat e vjetruara, të fragmentuara dhe statike që prodhojnë një lidership të dobët, të paaftë në politikat shëndetësore dhe menaxhim, të papërgatitur për të përmirësuar performancën e sistemit shëndetësor, të papërgatitur për punë në ekip, të përgatitur për ndjekje të vazhdueshme të pacientëve kronikë, të papërgatitur për kujdes parësor, të papërgatitur për sfidat e shëndetit publik dhe, ç’është më e rëndësishmja, të papërgatitur për të kryer me sukses reformën shëndetësore. Nga ana tjetër, e domosdoshme është ngritja e ekipeve ndërdisiplinore që të përfshijnë dhe ekonomistë të shëndetit, sociologë mjekësorë, analistë të politikës shëndetësore, njerëz të trajnuar në fusha të gjera të shkencave sociale, biznesit dhe menaxhimit organizativ, etikës dhe psikologjisë. Trajnimi në këto fusha është i domosdoshëm për profesionistët e rinj të shëndetit, të përgatitur përtej fushës së ngushtë të kujdesit mjekësor.
NJË PARADOKS, APO?!…
Në muajin prill 2012, Koreano-amerikani Jim Yong Kim u zgjodh drejtori i ri i Bankës Botërore. Përshtypje bëri fakti se 52-vjeçari Kim, që do të drejtojë një nga institucionet financiare më të rëndësishme të botës, nuk është ekonomist, por mjek!!! Doktor në mjekësi dhe në antropologji. Pra Banka Botërore nuk do të drejtohet nga një ekspert i financave, por nga një i diplomuar në mjekësi, i cili do të drejtojë 9 mijë ekonomistë dhe do të vendosë për kredi miliardëshe…!!! A ka zoti Kim si mjek njohuri të mjaftueshme për tema të rëndësishme që lidhen me zhvillimin? Në një intervistë në gazetën “New York Times”, vetë Kim do të shprehej: “Zhvillimi ekonomik dhe lufta kundër varfërisë janë aq komplekse, sa asnjë disiplinë e vetme nuk mund t’i përfshijë…. Banka Botërore ka shumë ekonomistë me përvojë me të cilët do të bashkëpunojë…. Gjatë gjithë jetës si mjek jam përpjekur të zgjidh probleme sociale anë e mbanë botës”. Pra, për një organizim të ri në Bankën Botërore, kërkohet përvoja e Kim në fushën shëndetësore si ekspert i zhvillimit. Dhe mjeku Kim është përgatitur si ekspert në mjekësi, mjekësi sociale dhe të drejtat e njeriut.
SI PËRFUNDIM…
Ashtu si dhe një shekull më parë, reforma e arsimimit shëndetësor është një proces i gjatë dhe i vështirë. E vështirë për t’u hartuar dhe e ngadalshme për t’u zbatuar. Veçanërisht në vendet me resurse të kufizuara, të cilat janë të detyruara t’i kanalizojnë fondet në projekte emergjente. Fakulteti i Mjekësisë ka dhënë një kontribut të çmuar në përgatitjen e profesionistëve të shëndetit, por në kushtet e reja reformimi i tij është i domosdoshëm. Ky reformim, të paktën duhet të ecë me të njëjtin hap me reformën shëndetësore. Nëse kjo nuk ndodh, kjo reformë vështirë se mund të kryhet apo do të kryhet shkel e shko. Dhe kjo është me pasoja jo vetë për mjekët dhe pacientët….
© Panorama.al











