
Ministria e Arsimit do të japë bursa për të gjithë nxënësit nga rrethet që duan të ndjekin arsimin profesional.Po kështu, të gjitha bizneset që do të punësojnë të rinj që kanë mbaruar këtë profil arsimor, do të kenë përparësi dhe lehtësira nga qeveria. Gjithçka e bëri me dije dje ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Me anë të një deklarate publike, ai theksoi se, pavarësisht përparimeve, nxënësit janë të prirë të ndjekin në nivele të larta arsimin e përgjithshëm. Niveli i regjistrimeve në arsimin profesional mbetet i ulët dhe shumë larg vendeve të tjera europiane. Kjo, ndonëse tregu i punës ka kërkesa shumë të larta për profile të ndryshme të shkollave profesionale. “Vitin e kaluar ne arritëm të rrisim regjistrimet me 13 %, në krahasim me një vit më parë. Megjithatë, treguesi i regjistrimeve në arsimin profesional është ende i pakënaqshëm. Ekzistojnë të gjitha kapacitetet që ky tregues të rritet këtë vit”, tha Tafaj. Ai shtoi se të gjithë nxënësit konviktorë që studiojnë në degët e teknologjisë së informacionit, bujqësisë, ndërtimit dhe të pyjeve përfitojnë bursë. “Arsimi profesional u krijon mundësi të rinjve që të krijojnë biznesin e tyre menjëherë pas shkollimit. Qeveria do të stimulojë me përparësi bizneset e krijuara nga të rinjtë që kanë përfunduar arsimin e mesëm profesional”, tha ministri i Arsimit. Këto deklarata ministri i Arsimit i bëri në një takim me drejtorët e drejtorive arsimore. Ministria e Arsimit do t’i kushtojë rëndësi të veçantë regjistrimit te fëmijëve që vijnë nga familjet e varfra dhe ato rome, pasi një pjesë e madhe e këtyre fëmijëve nuk kanë mundësi të frekuentojnë arsimin bazë. Në vendin tonë më pak se 30% e nxënësve ndjekin arsimin profesional. Kjo shifër është mjaft e ulët, duke pasur parasysh që në vendet e BE ky tregues është rreth 50% dhe në disa vende të zhvilluara perëndimore, akoma më i lartë. Pak muaj më parë ka ndryshuar ligji për arsimin profesional. Sipas ndryshimeve të bëra së fundmi në ligjin për “Kornizën shqiptare të kualifikimeve”, arsimi profesional bazë i nivelit të pare, i orientuar sipas drejtimeve të gjera, kryhet fill pas përfundimit të arsimit bazë, shkollës 9-vjeçare dhe zgjat dy vjet.
Formula e re
Formula e arsimit profesional me ligjin e ri është e ngjashme me atë të arsimit të lartë, në të cilin aplikohen tri nivele studimi bachelor niveli i dytë, master shkencor e profesional dhe niveli i tretë, doktoratura. Në të dyja rastet, institucionet përgjegjëse për arsimin sigurojnë se certifikatat e lëshuara në secilin nivel janë të mjaftueshme për t’u pozicionuar në tregun e punës.
120 kredite
duhet të grumbullojë një nxënës, në rastet kur programi zgjat dy vite shkollore. Nxënësi përfundon këtë cikël studimesh me marrjen e diplomës profesionale në fushën e arsimit të kryer.
Formimi profesional
Formimi profesional publik ose privat fillon pas përfundimit të arsimit bazë dhe ofrohet në qendrat e formimit profesional. Ky program zgjat deri në dy vite shkollore. Ai realizohet nëpërmjet kurseve të formimit, riformimit, si dhe të kurseve-urë të riaftësimit profesional në mbështetje të rihyrjes dhe të kalimit nga një profesion në një tjetër. Formimi profesional ofron certifikatë të kualifikimit profesional.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al










