Në median e shkruar dhe atë elektronike prej disa muajsh ka nisur një debat për arsimin e lartë, ku më së shumti akademikë, studiues, analistë dhe opinionistë kanë ngritur shqetësimet e tyre për më shumë vëmendje ndaj këtij sistemi. Problemet në arsimin e lartë janë komplekse e të shumëllojshme dhe për të kontribuar në këtë diskutim, do të ndalem në disa prej tyre. Këto çështje janë ato që kanë të bëjnë me programet e studimit, objekt i këtij shkrimi, duke vijuar më pas me të tjera për sigurimin dhe garantimin e cilësisë, ndershmërinë akademike, financimin dhe qeverisjen e institucioneve të arsimit të lartë.
I kërkoj ndjesë lexuesit që në trajtimet e mia do të ketë shpjegime të detajuara dhe teknike, por jam i detyruar për shkak të rëndësisë dhe paqartësisë që ekziston në mjediset universitare.
Arsimi i lartë ka njohur zhvillime dinamike këto vitet e fundit. Reformimi ka përfshirë të gjitha hallkat e sistemit, sidomos kur u përfshi zyrtarisht në procesin e Bolonjës në vitin 2003 dhe një nga arritjet më të mëdha është masivizimi, ashtu sikurse edhe në mbarë botën, pasi arsimi i lartë nuk është më elitar. Viti 2002 shënon fillimin e arsimit të lartë privat. Rritja e shpejtë e numrit të studentëve nga 2005-a e deri më sot, ka përmbushur objektivin për masivizimin, por, natyrisht të ndodhur përpara një rritjeje të shpejtë, ka nxjerrë në pah probleme të shumta të cilat konvergojnë në një pikë të vetme: cilësinë. Tashmë është gara më e vështirë e cila në mënyrë të domosdoshme shoqërohet edhe me një tërësi rregullash e procedurash, për zbatimin e të cilave kërkohet në radhë të parë të angazhohet personeli akademik si edhe strukturat e tjera të jashtme ekzekutive.
Një nga problemet serioze që ka arsimi i lartë sot është shumëllojshmëria e programeve të studimit në të tri ciklet: Bachelor, Master dhe Doktoraturë. Ka një rendje pothuaj të të gjitha institucioneve universitare, publike apo private, drejt rritjes së numrit të programeve. Ky lloj kufizimi nuk mund të bëhet vetëm me masa administrative, pasi janë senatet akademike ata që vendosin se çfarë programesh kërkojnë të hapen në institucionet e tyre, në jo pak raste edhe jashtë mundësive që ata kanë. Për më tepër, këto kërkesa kanë qenë të orientuara jo kah tregu, pra jo nga nevoja por nga oferta, të cilat më pas çojnë në një shumicë të tejskajshme të diplomuarish në disa fusha, kur tregu dhe shoqëria kanë nevoja në fusha të tjera. Njësitë e këshillimit të karrierës në institucionet e arsimit të lartë janë pothuaj inekzistente, mungojnë studimet e tregut dhe vetëm tani ka filluar një ndjeshmëri më e lartë për nevojën e disa profesioneve të kërkuar dhe të nevojshëm për shoqërinë, ashtu edhe për cilësinë e tyre.
Në një analizë më të hollësishme të çështjes, koston e këtij shpërpjesëtimi në treg e paguajmë të gjithë. Studimet dëshmojnë qartë se arsimi i lartë kontribuon në zhvillimin e vendit, diplomat me shumicë në shkencat shoqërore dhe humane kanë ndikim negativ në rritjen ekonomike. Ndërsa ato të shkencave të natyrës, të aplikuara, të teknologjisë, bio-mjekësisë etj., kanë ndikim pozitiv. Atëherë, çështja reduktohet në dy aspekte të rëndësishme: programet dhe cilësia e përgatitjes.
Sot në sistemin tonë të arsimit të lartë kemi 556 programe studimi, në të tria ciklet, nga të cilat 264 janë Bachelor. Kjo shifër është mjaft e lartë po të marrim parasysh numrin e studentëve, madhësinë e territorit dhe kërkesat e kufizuara të tregut të punës. Në Shqipëri nuk ka nevojë tregu për një shumëllojshmëri të tillë diplomash, për më tepër që kemi edhe kufizime të tjera për një mori faktorësh, sidomos numri i pamjaftueshëm i profesoratit dhe kualifikimi i tyre. Ndonëse programet e qeverisë, brain gain dhe fondi i ekselencës, kanë dhënë ndihmesë të vlefshme dhe i kanë zvogëluar këto mungesa, ende nevojat janë të konsiderueshme. Në fakt, në numrin e programeve raporti duhet të ishte ndryshe, më i vogël në Bachelor dhe më shumë programe Master profesional. Këto dy vitet e fundit raportet janë përmirësuar krahasuar me vitet e mëparshme, janë hapur shumë programe Bachelor dhe Master profesional për të cilat tregu ka nevojë. Po ashtu programet profesionale dyvjeçare jouniversitare që janë hapur në disa universitete janë një hap pozitiv përpara, por ky numër programesh duhet të rritet. Mendimin tim të mësipërm po e ilustroj me një shembull nga Universiteti i Vjenës me rreth 91 mijë studentë dhe ka gjithsej 188 programe studimi, prej të cilave 56 janë Bachelor, 121 Master dhe programe diplomash e vetëm 11 janë programe të Doktoraturës. Shembuj të tillë mund të sillen nga shumë vende të tjera.
Programet Bachelor duhen reduktuar pasi studentët kur sapo fillojnë studimet nuk mund të përgatiten me dije dhe shprehi specifike për profesionin. Vetë emërtimi i programit Bachelor, kuptimi etimologjik i kësaj fjale, është argumenti që mbështet idenë. Studenti në këtë cikël ende nuk është i gatshëm për profesionin dhe është e gabuar që në fillim të studimeve u mësohen një mori lëndësh dhe që disa prej tyre nuk i shërbejnë profesionit. Studenti në programin Bachelor e ka të domosdoshme të pajiset me kompetenca të përgjithshme, që e ndihmojnë më pas në përgatitjen për profesionin.
Studimet e ciklit të dytë kanë emërtimin Master, që do të thotë se në këtë cikël studenti bëhet mjeshtër për profesionin. Ky shpjegim lidhet me objektivat e programit të studimit dhe rezultatet e të nxënit, të cilat formulohen në atë mënyrë që e vendosin në shtratin e duhur programin. Përvoja e këtyre viteve me zbatimin e plotë të sistemit me tre cikle shtron domosdoshmërisht nevojën urgjente të rishikimit të të gjitha programeve të studimit, pasi konstatojmë se jo të gjitha programet janë të harmonizuara për të krijuar një tërësi unike. Madje janë evidentuar edhe raste kur disa lëndë përsëriten nga cikli i parë në ciklin e dytë dhe në ndonjë rast, e njëjta lëndë në përmbajtje është përsëritur në të tre ciklet. Përdorimi i konceptit të kompetencave si bazë për rezultatet e të nxënit, është mënyra më e përshtatshme për formulimin e programeve të studimit.
Në rikonceptimin e programeve të studimit është e domosdoshme të bëhet dallimi midis rezultateve të të nxënit dhe kompetencave për të veçuar rolin e ndryshëm të aktorëve kryesorë në arsimin e lartë: personelit akademik dhe studentëve. Rezultatet e dëshiruara të të nxënit formulohen nga personeli akademik, ndërsa kompetencat fitohen ose zhvillohen te studentët gjatë procesit të formimit.
Kompetencat mund të jenë specifike lëndore ose të përgjithshme. Kompetencat specifike që lidhen me profesionin kanë rëndësinë e tyre, por kur e gjithë bota është në zhvillim të shpejtë si pasojë e teknologjisë, gjithnjë e më shumë po vihet theksi te kompetencat e përgjithshme të cilat janë të transferueshme. Këtë e kërkon tregu i punës dhe për këtë arsye shtrohet domosdoshmërisht edhe nevoja e të nxënit gjatë gjithë jetës, i cili herë pas here ndërton kompetencat specifike duke pasur për bazë kompetencat e përgjithshme. Në ditët e sotme, ky komponent po bëhet gjithnjë më i rëndësishëm për përgatitjen më të mirë të studentëve për rolin e tyre të ardhshëm në shoqëri, si nga aspekti i punësueshmërisë, ashtu edhe ai i qytetarisë.
Por cilat janë këto kompetenca të përgjithshme që u duhen studentëve? Në mënyrë të përmbledhur këto janë grupuar në tri kategori. Kompetencat instrumentale, janë ato që përfshijnë kapacitetin për analizë dhe sintezë, për organizim dhe planifikim, dije të përgjithshme themelore, bazat në dijet themelore të profesionit, komunikimin me gojë e me shkrim në gjuhën amtare, njohjen e një gjuhe të dytë huaj, zgjidhjen e problemeve etj. Kompetencat ndërpersonale përfshijnë aftësitë kritike dhe vetëkritike, punën ekipore, aftësinë për të komunikuar me ekspertë të fushave të tjera, përkushtimin etik etj. Kompetencat sistemore janë kapaciteti për të zbatuar dijet në praktikë, aftësitë dhe shprehitë hulumtuese, aftësia për t’u përshtatur në situata të reja, krijimtaria, aftësia për të punuar në mënyrë të pavarur, hartimi dhe menaxhimi i projekteve, iniciativa dhe sipërmarrja, kujdesi për cilësinë, vullneti për të kapërcyer pengesat dhe për të arritur sukses etj.
Riformulimi i programeve të studimit të bazuar në rezultatet e të nxënit krijon hapësirë për më shumë fleksibilitet se sa programet studimore të hartuara në mënyrë tradicionale, pasi ato tregojnë se pavarësisht nga ndryshimet që mund të kenë këto programe, mund të çojnë në rezultate të ngjashme; këto rezultate po ashtu mund të identifikohen shumë më lehtë si pjesë e një programi tjetër studimor ose si bazë për të vazhduar një program të studimeve të ciklit më të lartë. Përdorimi i tyre e respekton plotësisht autonominë e institucioneve të arsimit të lartë.
Një nga objektivat e vendeve pjesëmarrëse në procesin e Bolonjës, numri i të cilave ka shkuar në 47, është që deri në vitin 2020 rreth 20% e studentëve të kenë përvojë studimore në një institucion tjetër të huaj. Pra, kërkohet të realizohet ai që quhet mobiliteti i studentëve. Ky objektiv do të arrihet kur t’i pajisim studentët tanë me këto kompetenca të përgjithshme, ku përparësi merr edhe gjuha angleze, si gjuha e komunikimit mbarëbotëror, pa nënvlerësuar edhe gjuhët e tjera. Realiteti i sotëm i programeve të studimit në shumicën e universiteteve tona është ende larg realizimit të këtij objektivi. Na duhet të harmonizojmë programet brenda vendit, më pas në nivel rajonal dhe europian, për të realizuar objektivin mbarëshqiptar; atë të integrimit dhe të përfshirjes në tregun global.
Programet e studimit është nevojë e dorës së parë që të rishikohen për të gjitha ciklet, të zvogëlohet numri i atyre në nivelin Bachelor, të rritet numri programeve Master profesional dhe elementet e hulumtimit të shtrihen në të gjitha ciklet, duke filluar me atë të zbatuar dhe për të vazhduar më pas me hulumtime të thelluara, sidomos në programet Master i shkencave dhe Doktoraturë. Sot kërkohet që studentët t’i përgatisim me kompetenca të përgjithshme dhe specifike për profesionin, të mbështetur në hulumtim dhe inovacion, pasi këtë e kërkon zhvillimi ekonomik e shoqëror të vendit. Koha nuk pret dhe duhet të veprojmë me shpejtësi, të lemë pas retorikën dhe të kemi një qëndrim proaktiv ndaj këtij procesi jetik.
* Këshilltar i Kryeministrit për Arsimin
© Panorama.al












