KOLI BELE
Kanë kaluar gati dy muaj nga dita e zgjedhjeve dhe pak ditë na ndajnë nga zgjidhja e rebusit se kush do të shpallet fitues në Tiranë, ose më saktë, nëse do të shpallet Basha fitues në tavolinë, apo do të kemi ripërsëritje të zgjedhjeve. Përgjigjja e kësaj pyetjeje mban në ankth gjithfarësoj të interesuarish nga të dyja palët e politikës. Brenda këtij grupimi të madh “simpatizantësh apo ndjekësish neutralë të procesit”, gjithsesi ravijëzohet një nëngrup i përbërë nga individë që, për shkak të profesionit, kanë mundësinë, por edhe detyrimin që ta shohin betejën zgjedhore nën një këndvështrim të ndryshëm. Ky grupim i përbërë nga disa mijëra apo dhjetëra mijëra anëtarë, të cilët mund t’i quajmë edhe njerëzit e ligjit, edhe këta të kategorizuar në juristë, avokatë, prokurorë, gjyqtarë etj. Për vetë natyrën e procesit zgjedhor, por edhe për shkak të stërgjatjes së pazakontë, njerëzit e ligjit “kanë kontribuar me shumicë”, për mirë apo për keq, në mbarëvajtjen e procesit. Mjafton të përmendet që 5 nga 7 anëtarët e KQZ-së janë juristë (3 ish-gjyqtarë), për të ilustruar peshën që njerëzit e ligjit zënë në këtë proces. E pra, menaxhimi dhe drejtimi i një procesi në dukje matematik prej 20 vitesh në KQZ i është lënë në dorë pothuaj ekskluzivisht juristëve në shumicë ish-gjyqtarë. Është e trishtueshme të shohësh se sa pak i besueshëm dhe i pranuar nga palët ka qenë ky proces, duke filluar nga zgjedhjet e vitit ‘96 deri në vitin 2005, kur tranzicioni i butë i pushtetit si dhe mosabuzimi me kartonët në KQZ apo pushtetin gjyqësor u duk se krijoi terrenin për një proces zgjedhor që nuk kontrollohet, të paktën në aparencë, nga maxhoranca e radhës. Për fat të keq, duke filluar nga zgjedhjet lokale të 2007-s e deri tek ato të tanishmet, menaxhimi i procesit zgjedhor ka regresuar në mënyrë konstante për të arritur te KQZ-ja e sotme, që më shumë se një institucion qendror e kushtetues, i ngjason një drejtorie juridike për çështjet zgjedhore pranë Partisë Demokratike, e cila bashkëdrejtohet nga z. Ristani dhe përfaqësuesit e PD-së, brenda e jashtë KQZ-së. Kjo është aq e vërtetë e gjithëpranuar, sa në rrethet e juristëve të të dyja palëve diskutohet si pa të keq, se si në vendime të ndryshme, por të rëndësishme të KQZ-së, ndryshon gjuha e përdorur duke reflektuar edukimin perëndimor të disa prej juristëve të “njohur” pranë PD-së, që realisht i draftojnë këto vendime.
Përtej diskutimit të “hollë” nëse KQZ-ja ka apo jo aftësi të shkruajë vendime cilësore, pyetja retorike që shtrohet është: Sa mund të jetë i besueshëm një proces zgjedhor që menaxhohet drejtpërdrejt nga një maxhorancë, që në gati 20 vitet e post-komunizmit, kur shtrohet problemi i zgjedhjeve, ka demonstruar se udhëhiqet nga parimi i njohur “qëllimi justifikon mjetin”?
Pikërisht keqpërdorimi i “mjeteve” në emër të “qëllimit” ka justifikuar veprimet e padrejta të çdo pushteti autoritar që prej fillimit të historisë moderne. Kjo nevojë shoqërore për drejtësi ka determinuar evoluimin e sistemeve të drejtësisë në botën perëndimore duke krijuar korpusin e parimeve të shtetit të së drejtës. Dhe gjykata është garanti suprem i këtyre parimeve. Kjo është edhe një nga arsyet pse gjyqtarëve kushtetuta u garanton palëvizshmërinë në detyrë dhe në ndryshim nga anëtarët e KQZ-së apo pothuaj çdo institucioni tjetër të administratës, nuk kanë mandate disavjeçare, por të përjetshme. Procesi zgjedhor i majit 2011 demonstroi përtej çdo dyshimi se parimet e shtetit të së drejtës, si barazia e armëve në rrafshin procedural, apo aplikimi i njëjtë i ligjit dhe i standardeve, për KQZ-në e “telekomanduar” politikisht janë fjalë pa vlerë dhe kuptim. Tek e fundit, historia e shkurtër e këtyre 20 viteve ka vërtetuar se pavarësisht se çfarë shkruhet në raportin e radhës të OSBE/ODHIR-it, apo sido që të riformatohet KQZ-ja, anëtarët që largohen i presin dy alternativa: rizgjedhja ose sistemimi në punë të ngjashme apo më të mira, duke gëzuar mbështetjen e forcave politike respektive. Sigurisht, edhe pensionin e deputetit!
Tabloja e mësipërme duket e errët dhe pa rrugëdalje në qoftë se pushteti gjyqësor “refuzon” të luajë rolin e tij si garant i rregullave ose, akoma më keq, i shkel këto rregulla. Për ata që besojnë te parimet demokratike, më shumë rëndësi sesa drejtimi i bashkisë, ka, sigurisht, drejtimi i procesit zgjedhor nga parimet e shtetit të së drejtës. Por, çështja nuk shtrohet vetëm për Bashkinë e Tiranës! Do të ishte naive të besonim se mund të ndërtojmë një shtet demokratik, institucionet e të cilit derivojnë nga një proces zgjedhor i pabesueshëm apo i trukuar. Duke e zbritur analizën në rrafshin praktik, në vigjilje të gjykimit të radhës në Kolegjin Zgjedhor, pyetja që shtrohet është: A do të mundet Kolegji ta rikthejë legjitimitetin e procesit zgjedhor të 8 majit?
Sigurisht që jo! Për fat të keq, cilido të jetë vendimi i Kolegjit, procesi zgjedhor në Tiranë nuk mund të kthehet më në binarët e ligjit dhe legjitimitetit. Dy vendimet e mëparshme të Kolegjit e provuan më së miri këtë gjë: i pari që pranoi si të ligjshëm procesin e “gjuetisë së votës në kutinë e gabuar” dhe i dyti, që tentoi të rregullonte pasojat e “matematikës Ristaniane të votave të gjetura”, në finale prodhuan të njëjtën tablo të papërputhshme ligjërisht dhe aritmetikisht të këtij procesi zgjedhor. Megjithatë, është e drejtë të thuhet se vendimi i Kolegjit, që riktheu vendimin e KQZ-së duke urdhëruar rinumërim të votave të gabuara të pavlefshme, edhe pse nuk e “ringjalli” procesin zgjedhor, i bëri një “autopsi” të pjesshme zgjedhjeve duke i hequr mundësinë e “krematorit të KQZ-së” të digjte provat e radhës. Është po ashtu e qartë se çdo rikthim i procesit në KQZ, përveçse do ta delegjitimojë akoma më tej procesin, në finale nuk mund të sjellë as edhe kuadratimin numerik dy përbërësve më të thjeshtë dhe njëkohësisht esencialë të procesit: numrit të votuesve me atë të votave. Janë më së shumti këto arsye, por edhe të tjera, që e detyruan Kolegjin Zgjedhor që të urdhëronte jo rinumërimin në KQZ, por pavlefshmërinë dhe përsëritjen e zgjedhjeve në dy komunat Kolsh dhe Armeni. Në Kolsh diferenca midis fituesve ishte 5 vota plus për kandidatin e PD-së, por procesverbalet paraqisnin 8 vota me shumë sesa votues në një kuti. Rasti i Armenit është po ashtu domethënës, ku në një rezultat me diferencë prej 3 votash u vendos pavlefshmëria dhe përsëritja, pasi në dy kuti lëviznin plus/minus 3 vota. Sigurisht, që si në Kolsh, Armen apo komuna të tjera, drejtësia zgjedhore, me gjithë kostot dhe vështirësitë e saj, gjeti të vetmen rrugë për zgjidhjen e nyjave gordiane në procese votimi ku nuk korrespondojnë votat me votuesit: prerjen e nyjës duke i kthyer palët në rivotim. Këto vendime të Kolegjit nuk e shpëtuan procesin zgjedhor të 8 majit në komunat ku do të përsëriten zgjedhjet, por ato shpëtuan besimin te drejtësia zgjedhore. Ndoshta këto ripërsëritje, do të shkurajojnë njëherë e përgjithmonë “mbushësit e kutive apo vjedhësit e votave”, të paktën në këto komuna. Duke e parë në këtë këndvështrim rastin e Tiranës, është jetike që Kolegji Zgjedhor të respektojë precedentin e qartë të vendosur nga vetë kjo gjykatë, duke përsëritur votimin për kryetar. Një vendim i tillë, sigurisht që do të shkaktonte shumë dhimbje koke tek ata që e menaxhuan dhe drejtuan procesin zgjedhor, ndoshta edhe tek vetë kandidatët që në status kuonë e krijuar, pavarësisht se kush do ta mbajë shiritin e kryetarit të Bashkisë, kanë fituar betejën politike në partitë respektive.
Mirëpo, duke vlerësuar se sa afër janë zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013, ekzistenca e “drejtësisë zgjedhore” është e rëndësishme dhe e patjetërsueshme jo thjesht e vetëm për kryetarin e radhës së Bashkisë Tiranë. Ngelet të shpresojmë se drejtësia e Kolegjit Zgjedhor nuk do të ndjekë modelin “militant” të procesit zgjedhor nga kutia e votimit deri në KQZ. Aspak për hatër të kryetarit të radhës së Bashkisë, por për nevojat e qytetarëve të Shqipërisë!











