Greqia kushtëzon leje qëndrimin për emigrantët

Aug 25, 2011 | 15:37

Ka përfunduar në komisionet parlamentare të Athinës, diskutimi i projektligjit për riorganizimin e sistemit të dhënies së lejes së qëndrimit emigrantëve të huaj në Greqi, përfshirë këtu edhe ata shqiptarë.
Lajmi publikohet nga agjencia greke e lajmeve ANA, e cila sqaron se me garantimin nga ana e ministrit të brendshëm grek, Haris Kastanidis, se do të bëhet çdo përpjekje për të dëshmuar se lejet e sigurisë nuk do të lënë asnjë shteg për legalizime masive emigrantësh.

Në favor të projektligjit u shprehën deputetët e PASOK-ut në pushtet dhe të partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re. Këta të fundit ndërkaq, votuan kundër dispozitës që e redukton nga 12 në 10, kohën e qëndrimit në Greqi, si kusht për dhënien e lejes së qëndrimit.

Kundër projektligjit votoi partia LAOS-s, sipas të cilës dispozitat nuk garantojnë se nuk do të ketë legalizime masive. Partia Komuniste (KKE) dhe SYRIZA thanë se është një hap pozitiv për trajtimin e emigrantëve, por u rezervuan të pozicionohen gjatë seancës plenare, pasi dëgjuan edhe premtimet e ministrit Kastanidis për përmirësime të mëtejshme të projektligjit.

“Legalizime masive nuk do të mund të bëhen”, deklaroi në mënyrë kategorike ministri i brendshëm, duke shtuar se që të pranohet formalisht kërkesa e të interesuarit, përtej dokumentacionit që vërteton qëndrimin dhjetëvjeçar, duhet që ai të vërtetojë edhe se ka lidhje substanciale me Greqinë.

Zgjidhet problemi i emigrantëve shqiptarë

Me shansin për pajisje me leje qëndrimi të emigrantëve që vërtetojnë qëndrimin dhjetëvjeçar në Greqi, i jepet zgjidhje edhe problemit të madh të emigrantëve shqiptarë, që rezultoi vitin e fundit. Eshtë fjala për ata emigrantë, të cilët në kushtet e thellimit të krizës ekonomike në Greqi, humbën vendet e punës dhe si rezultat nuk arritën të plotësonin kushtin kryesor për rinovimin e lejes së qëndrimit, që është disponimi i 150-200 pullave të sigurimeve shoqërore, “ensima”.

Mendohet se kjo kategori emigrantësh do ta ketë më të thjeshtë tashmë të legalizohet, pasi ata për vite të tëra kanë qenë të ligjshëm dhe kanë dhënë shenja të fuqishme integrimi.

Përshpejtohet dhënia e lejes së qëndrimit

Projektligji përmban dispozita që sanksionojnë krijimin e zyrave me një qëndrim (one stop shop), për lejet e qëndrimit të emigrtantëve, duke synuar përshpejtimin e afatave të trajtimit që nga momenti që emigranti paraqet kërkesën deri sa merr në dorë lejen.

Më hollësisht, në dispozitat e tjera të projektligjit veçohen:

Krijimi i një regjistri (amze) të unifikuar për emigrantët, mbi të cilin do të bazohen procedurat administrative që lidhen me qëndrimin, nënshtetësinë, situatën urbane dhe sidomos “kartën e emigrantit”, (d.m.th. dokumentin autonom të qëndrimit që do të zëvendësojë pullën e tanishme që ngjitet në pasaportë).

– Krijimin e zyrave one stop shop për nxjerrjen e lejeve të qëndrimit, thjeshtëzim të strukturave përkatëse organike dhe procedurave.

– Forcim të transparencës, qeverisjes së mirë dhe kontrollit eficent administrativ mbi procedurat e dhënies së lejes së qëndrimit dhe nënshtetësisë.

– Unifikim të lejeve të qëndrimit.

– Inkorporim të legjislacionit aktual komunitar (udhëzime komunitare për marrjen në punë të emigrantëve me specialitet të lartë dhe për sanksionet ndaj punëdhënësve që pajtojnë emigrantë të paligjshëm).

– Marrje masash për reduktimin e fenomeneve të humbjes së statusit të ligjshëm të qëndrimit të emigrantëve që goditen nga kriza ekonomike dhe për shkak të saj nuk mundin të përmbushin kushtet e rinovimit të lejes së qëndrimit.

– Garantim i një statusi afatgjatë e konstant qëndrimi për emigrantët e integruar të brezit të parë e të dytë.

– Zgjidhje e problemeve që vërehen në zbatimin e legjislacionit për nënshtetësinë greke.

 

© Panorama.al

Te lidhura