Privatizimi i katër HEC-ve, dështon tenderi, asnjë ofertë

Sep 15, 2012 | 12:02

METE, zëvendësministri Dervishaj: Do propozojmë rregullime.

Tetë kompani kanë kërkuar ndryshime në proces.

Kur të gjithë prisnin dje hapje ofertash për privatizimin e katër hidrocentraleve, ka ndodhur krejt e kundërta. Vetë Ministria e Ekonomisë pranoi se tenderi ka dështuar. Në daljen e tij para mediave, zëvendësministri Sokol Dervishaj u shpreh se nuk ka pasur asnjë ofertë nga kompanitë. “Sot Komisioni u mblodh në orën 9:00 dhe për shkak të mosparaqitjes së asnjë oferte për HEC-et, Bistrica I e Bistrica II dhe mosparaqitjen e asnjë oferte për HEC-et Ulzë dhe Shkopet, vendosi t’i propozojë ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë deklarimin e mossuksesit të këtij procesi. Nuk mund të quhet një proces i dështuar, pasi pati interes nga kompanitë për privatizimin”, tha Dervishaj. Ai theksoi se janë tetë kompani që kanë shprehur interes për privatizimin e katër hidrocentraleve, porse këto të fundit kanë bërë disa kërkesa mbi marrëdhëniet e HEC-eve me KESH-in. “Kompanitë kërkojnë edhe një përmirësim të procesit në lidhje me raportin që do të kenë privatizuesit e këtyre HEC-eve me KESH-in dhe mënyrën e procedurën se si do të bëhet prodhimi, shitja dhe transmetimi i energjisë elektrike nga këto HEC-e. Ne do t’i propozojmë si Ministri Këshillit të Ministrave edhe rregullime të nevojshme në procedurat e rihapjes së këtij tenderi, të cilat do t’ua bëjmë me dije shumë shpejt”, u shpreh Dervishaj. Më vonë, Ministria e Ekonomisë, përmes një deklarate për shtyp, argumentoi se kompanitë e interesuara, përveç rregullimeve mbi tregun e energjisë, kanë kërkuar më shumë kohë për të diskutuar mbi ofertat e tyre si dhe për të diskutuar me bankat për financimin  e privatizimeve. “Investitorët kanë theksuar nevojën për të zgjidhur çështjet që lidhen me financimin e  privatizimit nga institucionet kryesore financiare europiane, si dhe për të adresuar një numër të pyetjeve që kanë të bëjnë me tregun shqiptar të energjisë elektrike. METE bën të ditur se do t’i konsiderojë seriozisht këto kërkesa dhe do të marrë së shpejti një vendim në lidhje me rishpalljen e tij”, thuhet në deklaratë.

Braçe: Të mos shiten HEC-et
Opozita kishte vendosur që procedurën e hapjes së ofertave ta ndiqte dje nga afër në sallën e Ministrisë së Ekonomisë. Të pranishëm ishin tre deputetët, Erjon Braçe, Tauland Balla dhe Eduard Shalsi, por pas deklarimit nga ana e Ministrisë për mossukses, Braçe ka deklaruar për mediat se Partia Socialiste ka gati propozimin e saj. “T’i nxjerrim menjëherë nga shitja, me qëllim që një pasuri kombëtare mos të shitet me çmime fare të ulëta dhe qesharake”, u shpreh Braçe. Nga ana tjetër, lidhur me mosparaqitjen e ofertave, ai u shpreh se kjo ngre dyshime për një marrëveshje mes kompanive për të ulur sa më shumë vlerën e hidrocentraleve duke përfituar sa më shumë nga kjo situatë. “Ne dyshojmë në një sjellje të koordinuar të të gjithë ofertuesve, me qëllim të qartë. Të përfitojmë sa më shumë nga ky proces privatizimi”, tha Braçe.

Haxhinasto me investitorët
Zëvendëskryeministri, njëkohësit ministër i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, ka ftuar dje investohet kanadezë për të investuar në vendin tonë në një sërë sektorësh potencialë. Ai vlerësoi se aktualisht në Shqipëri është një prezencë e mirë e investimeve kanadeze dhe se ka hapësira për më shumë. Të gjitha deklaratat kreu i METE-s i bëri gjatë Këshillit të Biznesit Shqipëri-Kanada, i zhvilluar ditën e djeshme.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura