
Qeveria ka vendosur që të ardhurat që do të vijnë si rezultat i privatizimit të hidrocentraleve Ulëz-Shkopet dhe Bistrica 1 dhe 2 që vitin e kaluar u bënë shoqëri më vete, të shkojnë të gjitha në buxhet. Nëse më herët formula e përdorimit të të ardhurave që merreshin nga blerësi strategjik për privatizimet e kësaj natyre ishte që një përqindje shkonte për pronarët, një përqindje tjetër për të përndjekurit, si gati 50 për qind, në buxhet tashmë kjo ndryshon. Qeveria miratoi dje vendimin, ku sanksiononte se të ardhurat që do të vijnë nga privatizimi do të shkojnë në buxhet, me përjashtim të një pjese të vogël që do të përfshijë shpenzimet e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për procedurat. Lidhur me këto sh.a, HEC-i Ulëz-Shkopet dhe Bistrica 1 dhe Bistrica 2 përcaktohet edhe mënyra e trajtimit të punonjësve të tyre pas privatizimit në fazën e ristrukturimit. Blerësi strategjik do të jetë ai që do të paguajë largimet nga detyra të punonjësve. “Punonjësit e shoqërive “HEC Ulëz-Shkopet”, sh.a., dhe “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2”, sh.a., të cilat janë në marrëdhënie pune deri më 31.1.2012, për efekt të privatizimit 100% të aksioneve të zotëruara nga shteti në këto shoqëri, u nënshtrohen procedurave të ristrukturimit nga ana e blerësit strategjik. Ristrukturimi nga ana e blerësit strategjik do të bëhet konform dispozitave ligjore në fuqi të Kodit të Punës, kontratës kolektive dhe kontratave individuale të punës. Detyrimet financiare, që do të lindin në zbatim të pikës 2 të këtij vendimi, do të mbulohen nga blerësi strategjik”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Naço për koncesionet
Prezantimi i projektit për lehtësimin e procedurave për lejet dhe licencat e koncesioneve në sektorin energjetik kanë qenë dhe epiqendra e takimit të djeshëm të zhvilluar mes Ministrisë së Ekonomisë me një pjesë të koncesionarëve në vend. Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, në fjalën e tij vlerësoi se koncesionet kanë shënuar një sukses më vete dhe se janë investuar qindra miliona euro. “Sot, kur rreth 40 HEC-e janë në funksionim të plotë dhe rreth 30 të tjerë priten të fillojnë shumë shpejt, kapitali i investuar i kalon 750 milionë eurot”, tha Naço. Nga ana tjetër, edhe koncesionarët kanë shprehur interesin dhe përgëzimin e tyre lidhur me lehtësimin e procedurave për lejet dhe licencat, por kanë kërkuar nga qeveria që të jetë ndërmjetësuese me sektorin financiar. Koncesionarët kanë kërkuar që qeveria të ndërhyjë për të lehtësuar kreditimin e projekteve të tyre.











