Privatizimet, Naço: Nga 1280 objekte, 280 gati të shiten

Jun 1, 2011 | 10:22
Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço

Procesi i privatizimit si një nga më të rëndësishmit për momentin ka filluar të japë edhe rezultatet e para në shifra. Ministria e Ekonomisë si kryesorja në këtë proces, ka dërguar për shitje në Ministrinë e Financave, 141 dokumentacione vlerësimi me rreth 280 objekte që kapin një vlerë prej 5.36 miliardë lekë.Për ministrin e Ekonomisë, Nasip Naço, kjo është vetëm një pjesë e punës së përfunduar, ndërkohë që institucioni që ai drejton i ka dhënë prioritet maksimal mbarëvajtjes së gjithë procesit. Për kreun e METE, transparenca do të jetë kryefjala e punës për procesin e privatizimeve. Në intervistën dhënë për gazetën, ministri Naço thekson se deri në fund të vitit 2011, synohen që të privatizohen të gjitha objektet shtetërore që nuk përdoren më për interes publik, kurse prioritet mbi objektet do të kenë ish-pronarët e truallit.
Kryeministri i vendit deklaroi disa ditë më parë edhe një herë nismën për të privatizuar gjithçka, me përjashtim të shkollave, digave dhe spitaleve. Ministria e Ekonomisë që është edhe Ministria përgjegjëse për procesin. Çfarë synimesh ka për 2011-n? Sa parashikohet të jenë të ardhurat nga privatizimet?
Aktualisht, pranë METE, është dërguar një listë me rreth 1280 objekte nga të gjitha institucionet administruese të këtyre objekteve që do të përfshihen në procesin e privatizimeve.
a. Status dërguar për shitje. Gjatë vitit 2010 e deri në muajin maj të vitit 2011, kanë përfunduar procesin e vlerësimit dhe janë dërguar për shitje në Ministrinë e Financave, 141 dokumentacione vlerësimi, me rreth 280 objekte që kapin një vlerë prej 5.36 miliardë lekë.
b. Status procedurë vlerësimi. Në zbatim të procedurës ligjore në fuqi për privatizimin, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka urdhëruar ngritjen e komisioneve të vlerësimit për 455 objekte në administrim të institucioneve të ndryshme. Këto objekte, aktualisht janë në procedurë vlerësimi.
c. Status  të miratuara për privatizim. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka në procedurën e verifikimit, të miratimit për privatizim dhe të ngritjes së komisioneve të vlerësimit, rreth 485 objekte, në bashkëpunim me Ministritë që kanë në varësi administrative këto objekte. Dua të theksoj se procesi i privatizimit të aseteve shtetërore është ende i hapur dhe METE ka detyrimin të trajtojë, sipas kuadrit ligjor në fuqi, çdo kërkesë për privatizim që mund të vijë nga ministritë apo nga qytetarët.
Në mbledhjen e qeverisë u deklarua se janë 1280 objekte që do të privatizohen. A përbën kjo listë numrin total të objekteve që do të privatizohen apo këto janë vetëm listat që janë dorëzuar nga një pjesë e institucioneve?
Në zbatim të Urdhrit të Kryeministrit, ministritë kanë dërguar në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës listën e objekteve që nuk përdoren më nga këto institucione dhe që mund të përfshihen në procedure privatizimi. Aktualisht janë dërguar  rreth 1280 objekte, pas verifikimit të kryer nga METE dhe, pasi ministritë përkatëse kanë dërguar përfaqësuesit e tyre për në komisionet e vlerësimit, këto objekte kanë plotësuar kushtet për t’u përfshirë në procedurë privatizimi dhe janë në procedurë vlerësimi në prefekturat përkatëse, sipas vendndodhjeve të tyre.
Cilat do të jenë kriteret që do të ndiqen për privatizimet? Kush do të ketë prioritet në këtë proces, flasim këtu për pronarë të tokës apo bizneset vendase, për të cilat është folur se do të kenë prioritet?
Në zbatim të paketës ligjore të privatizimit të miratuar nga qeveria, në procesin e privatizimit pronarët e truallit kanë prioritet absolut. Përfituesit pagesën e objektit të ngritur mbi truallin e tyre e kryejnë, 20 për qind me lekë dhe 80 për qind me letra me vlerë dhe bono privatizimi. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka trajtuar dhe do të trajtojë me vazhdimësi të gjitha kërkesat për privatizim të subjekteve të ndryshme apo qytetarëve që janë të interesuar për privatizimin e pronës shtetërore. Duke filluar që nga muaji shkurt i këtij viti, në faqen e internetit të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, pronarët dhe të gjithë të interesuarit gjejnë të publikuar paketën e re ligjore të privatizimit, udhëzimet përkatëse, procedurën që duhet ndjekur për vlerësimin dhe për privatizimin e pronës shtetërore, si dhe të dhëna të tjera të nevojshme. Në zbatim të ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, pronarët e truallit të shumë objekteve shtetërore kanë dërguar kërkesat e tyre për privatizim në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila në zbatim të akteve ligjore për privatizim, ka dërguar kërkesat përkatëse për fillimin e procedurave të privatizimit në institucionet e varësisë administrative (Ministritë apo organet e pushtetit vendor). Ministra e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka shqyrtuar dhe ka trajtuar 100 për qind kërkesat e ardhura nga pronarët e truallit dhe u janë kërkuar prononcimet për privatizim të aseteve ministrive dhe institucioneve përkatëse.
Ligji për privatizimet përcakton qartë se çdo dosje privatizimi shoqërohet me dokumentacionin e pronësisë mbi truallin, nëse ka të tillë dhe konfirmimi i pronësisë bëhet nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Për këtë arsye, një institucion shumë i rëndësishëm për realizimin e procesit të privatizimit dhe konfirmimin e pronësisë së truallit në lidhje me subjektet e shpronësuara është Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës garanton respektimin maksimal të të drejtave të ish-pronarëve të truallit dhe favorizimin e tyre, nëpërmjet ushtrimit të së drejtës së parablerjes të objekteve shtetërore, të ngritura mbi truallin e njohur të tyre.
Sa kohë besoni se do të marrë vlerësimi i aseteve që do të privatizohen dhe kur mendoni se do të përfundojë procesi për të privatizuar të gjitha këto 1280 objekte për të cilat u fol?
Për sa i përket vitit 2011, synohet që të privatizohen të gjitha objektet shtetërore që nuk përdoren më për interes publik. Në këtë proces, strukturat përkatëse të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, duke bashkëpunuar edhe me institucionet përkatëse pjesëmarrëse në procesin e privatizimit, janë impenjuar për realizimin e objektivave dhe detyrave funksionale përkatëse, duke bërë të mundur kryerjen e procesit të privatizimit, si dhe evidentimin e zgjidhjen e problemeve të ndryshme dhe komplekse të tij. Qeveria bashkë me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka angazhimin dhe përkushtimin maksimal për të kurorëzuar një proces privatizimesh transparent, një konkurrencë të ndershme për çdo aset dhe me një “vlerë të shtuar”, në dobi të interesave të vendit dhe qytetarëve shqiptarë. Nga ana e METE po punohet në përmbushjen e të gjitha detyrimeve që përcaktohen nga ligji për procesin e privatizimeve. Ne garantojmë se ky proces do të vazhdojë të përmbushet me përgjegjshmëri maksimale dhe transparencë.

Bashkëpunim me AKKP-në
Meqenëse prioritet në procesin e privatizimit do t’u jepet ish-pronarëve, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është duke bashkëpunuar ngushtë me Agjencinë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Çdo qytetar që shfaq interes për të privatizuar objektin që është gati për privatizim, duhet të faktojë mes të tjerash edhe pronësinë mbi truallin ku është ngritur objekti dhe, në këtë pikë hyn në lojë edhe bashkëpunimi me AKKP.

Privatizimet strategjike
Aktualisht me Ministrinë e Ekonomisë janë duke punuar konsulentë të huaj për një sërë privatizimesh strategjike. Një javë më parë, kreu i qeverisë theksoi pikërisht këtë pikë. “Ajo çfarë ka mbetur në aksionet apo dhe asetet e ndërmarrjeve të mëdha, tashmë të privatizuara, duhet të shitet. METE ka kontratuar konsulencën më të mirë botërore, siç është IFC, UNICREDIT dhe firma apo kompani, banka të një reputacioni europian botëror”, tha Berisha.

Procesi mbetet i hapur
Për Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, procesi i privatizimeve është i hapur dhe çdo ministri apo institucion mund të vazhdojë të bëjë kërkesë për t’i shtuar listës totale edhe astete të tjera, që nuk i shërbejnë më këtij institucioni. Në çdo moment, përmes kërkesave si institucionet, edhe qytetarët mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e procesit si për çuarjen e një aseti në shitje, ashtu edhe për shprehje interesi për privatizim.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura