Pritje e zjarrtë për Canën e Taren në Shkup

Aug 26, 2011 | 13:02

Tifozët kuqezi u kanë bërë një pritje madhështore Lorik Canës e Igli Tares, kur skuadra e tyre zbarkoi dje në Shkup për të zhvilluar ndeshjen e play-off-it për Europa League ndaj Rabotniçkit. “Lorik Cana, Lorik Cana – ti je krenaria. Igli Tare, Igli Tare – legjenda ti je…”. Kështu brohoritnin qindra tifozë shqiptarë, të cilët ishin tubuar në Aeroportin e Shkupit për t’u bërë një pritje madhështore yllit të kombëtares shqiptare, Lorik Canës dhe Drejtorit Sportiv të Lacios, Igli Tares. Sipas mediave maqedonase, pritja madhështore e tifozëve shqiptarë për Canën e Taren i ka mahnitur futbollistët e tjerë të skuadrës italiane dhe zyrtarët e tjerë të Lazios. “Është kënaqësi sidomos kur keni një pritje të tillë. Është mirë që ta kryejmë punën tonë dhe mandej këta tifozët “kuq e zi” t’i kënaqim me Francën”, ka thënë Cana për mediat. Kurse Tare u shpreh: “Falënderojmë këta tifozë që kanë ardhur të na përkrahin dhe të na nderojnë”. Në takimin e djeshëm Cana luajti për herë të parë te Lacio si titullar.

© Panorama.al

Te lidhura