Pritë familjes për hakmarrje, vritet 9-vjeçari

Jun 6, 2012 | 14:58
Policia në vendin ku ndodhi ngjarja

Vritet në prehrin e nënës së tij, teksa kthehej nga shkolla, një fëmijë 9 vjeç. Shënjestra e krimit ka qenë xhaxhai i viktimës, 62-vjeçari Muharrem Llani nga fshati Shpërdhet i Kurbinit, tregtar i materialeve të ndërtimit në Mamurras. Dy vëllezërit Altin dhe Vladimir Shkreta, 29 dhe 33 vjeç, i kanë zënë pritë viktimës në momentin që ai po kthehej në banesë. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00, në kohën kur Muharrem Llani po shoqëronte kunatën e tij dhe nipin 9-vjeçar, i cili po kthehej nga shkolla e qytetit të Mamurrasit. Mësohet se Llani po lëvizte me makinën e tij tip “Ëolksvagen” me targa AA 141 DF nga qyteti i Mamurrasit për në shtëpinë që ndodhej në Shpërdhet. Në dalje të qytetit, atij i është zënë pritë nga vëllezërit Shkreta, me të cilët 62- vjeçari bashkë me të vëllain kishin pasur një konflikt një natë më parë. Dy personat e dyshuar për ngjarjen e rëndë i kanë zënë pritë në afërsi të vendit të quajtur “Kthesa e Bushneshit”. Ata janë fshehur aty dhe, sapo kanë konstatuar mjetin që po afrohej me shpejtësi të ulët për shkak të rrugës së amortizuar, kanë qëlluar në mënyrë të befasishme me breshëri me armë zjarri “Kallashnikov”.

Makina e dëmtuar pas atentatit

Breshëria është shkrehur në pjesën e parme të makinës e më pas edhe në anë të saj, nga vendi i shoferit. Dy autorët janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja në këmbë, duke lënë të plagosur rëndë 62-vjeçarin Llani dhe nipin e tij Indrit Llani. Ndonëse në gjendje të plagosur nga disa plumba që i kishin përshkuar trupin, Muharrem Llani ka mundur të drejtojë mjetin edhe për rreth 500 metra nga vendi i ngjarjes me qëllim që t’i largohej sa më shumë atentatorëve, por edhe për të kërkuar ndihmë pranë një lokali që ndodhet në këtë zonë. Kanë qenë këta të fundit që kanë transportuar për në Spitalin Ushtarak të Tiranës dy të plagosurit, por fëmija ka ndërruar jetë gjatë rrugës pa mundur t’u bëjë ballë dy plumbave. Mësohet se 9-vjeçari ka qenë në prehrin e nënës gjatë të gjithë kohës, por kjo e fundit u ka shpëtuar plumbave që fatkeqësisht i bëri pritë i biri. Në gjendje të shokuar ajo është nisur bashkë me të plagosurit drejt Spitalit Ushtarak, por i biri të cilin vetëm pak minuta para krimit e kishte marrë nga shkolla, ndërroi jetë në krahët e saj.
Pas ngjarjes, policia ka mundur të identifikojë si të dyshuar kryesorë për ngjarjen vëllezërit Altin dhe Vladimir Shkreta, ndërsa për arrestimin e tyre janë angazhuar edhe forca të ndërhyrjes së shpejtë të mbërritura nga Shkodra. Rreth orës 22:00, policia kapi në Mamurras njërin prej tyre, Vladimir Shkretën. Dyshimet ndaj pjesëtarëve Shkreta kanë ardhur pasi vetëm një natë para krimit, mes këtyre dy familjeve ka pasur një konflikt. Mësohet se i plagosuri bashkë me të vëllain kanë debatuar pasditen e së hënës me dy tregtarë të materialeve të ndërtimit në qendër të qytetit të Mamurrasit, të cilët ishin edhe dajat e autorëve të dyshuar. Burime në vendin e ngjarjes bënë të ditur se vëllezërit Llani i kishin rrahur tregtarët dhe më pas janë larguar në banesë. Dyshohet se shkak i ngjarjes mund të jetë bërë konkurrenca mes tregtarëve, por nuk përjashtohen as pista ta tjera. Ata kanë vijuar normalisht punën dje, duke mos menduar se ngjarja e një dite më parë do të kishte pasoja kaq të rënda.               gj.f

KONFLIKTI
Policia ka shoqëruar disa persona, dëshmitarë të ngjarjes së ndodhur një natë para krimit. Nuk dihet ende nëse konflikti ka nisur për konkurrencë apo për cilësinë e produkteve që tregtohej nga dajallarët e vëllezërve Shkreta. Por paraprakisht mësohet se i plagosuri Llana dhe vëllai i tij, tregtarë të materialeve të ndërtimit, janë konfliktuar dhe më pas kanë rrahur me dy tregtarë të tjerë që ishin dajat e autorëve.

© Panorama.al

Te lidhura