Prifti: Vendimi i Metës, provë në dosjen time

Feb 9, 2012 | 12:00

Dritan Prifti

Ish-ministri: Prokuroria të presë vendimin e Gjykatës së Lartë për Metën.

“Shtyni afatin e hetimit të dosjes së 69 mijë eurove”

Dritan Prifti, i cili ka një çështje të hapur në Prokurori për korrupsion, kërkon që vendimi i Gjykatës së Lartë për Ilir Metën të merret si provë dhe si precedent edhe në rastin e tij. Burime të Prokurorisë së Përgjithshme pohuan dje se kanë marrë një kërkesë nga shtetasi Dritan Prifti për zgjatjen e afatit hetimor të dosjes penale të hapur në lidhje me video-regjistrimin mes ish-ministrit dhe shtetasit Leonard Beqiraj, ish-zv.ministër i Ekonomisë. Në videon në fjalë, Prifti dhe Beqiraj ndajnë mes tyre 69 mijë euro dhe, për këtë shkak, Prokuroria hapi hetimet, duke i hequr edhe imunitetin ish-ministrit Dritan Prifti. Në janar, Prokuroria e Përgjithshme vendosi zgjatjen e afatit të hetimeve me një muaj, çka do të thotë se afati procedural i dosjes Prifti-Beqiraj përfundonte në mesin e muajit shkurt. Në prag të limitit të këtij afati, Dritan Prifti i është drejtuar me një kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme, ku shpreh nevojën e zgjatjes së afatit të hetimit deri në momentin kur Gjykata e Lartë të zbardhë në letër vendimin e dhënë për pafajësinë e Ilir Metës. Pas zbardhjes, Prifti i kërkon Prokurorisë që vendimi për Metën të vendoset në dosjen e dytë të hapur për shkëmbimin e parave me ish-zv.ministrin Beqiraj, me sa duket për të faktuar se edhe në rastin e dytë “fakti nuk ekziston”, siç u shpreh gjykata në lidhje me videon e parë “Meta-Prifti”.
Ekspertizë tjetër kompjuterit
Një ekspertizë e dytë është duke u kryer me lap-topin personal të Dritan Priftit. Është fjala për kompjuterin, në të cilin janë shkarkuar fillimisht të gjitha materialet e regjistruara në mënyrë të fshehtë nga Dritan Prifti gjatë aktivitetit të tij politik. Kompjuteri ndodhet në Prokurori që prej vitit të kaluar, kur organi i akuzës filloi hetimet në lidhje me videot e publikuara në emisionin “Fiks Fare”. Lap-topi në fjalë i është nënshtruar një ekspertize një vit më parë në shkurt 2011, kur një specialist amerikan arriti në përfundimin se materialet ishin të pamontuara. Ky ekspert në SHBA arriti të rikuperonte në kompjuter edhe videon e fshirë nga Dritan Prifti, në të cilën ai është vetëregjistruar teksa ndan 69 mijë euro me ish-zëvendësin e tij Leonard Beqiraj.
Videoja e dytë
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deklaroi pak kohë më parë në emisionin “Opinion” se janë kryer mbi 700 veprime hetimore me dosjen e dytë të hapur për videon mes Dritan Priftit dhe Leonard Beqirajt. Kjo çështje është ende në hetim, ndërsa mësohet se ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, bashkë me zgjatjen e afatit hetimor, ka kërkuar që Prokuroria të pyesë një person të vetëm për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Nga ana tjetër, Leonard Beqiraj ka kërkuar pyetjen e katër personave, që sipas tij sqarojnë ngjarjen.

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura