Prifti: Më hoqën truprojën pa shpjegim

Jul 19, 2011 | 11:09

Pak ditë pasi u pranua si dëshmitar nga Gjykata e Lartë në procesin gjyqësor të hapur ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta, Dritan Priftit i heqin truprojat që garantonin sigurinë e tij që në muajin shkurt të këtij viti, kur publikoi video-përgjimin.Ditën e djeshme, dy efektiva të Gardës së Republikës që kryenin prej muajsh ruajtjen dhe shoqërimin e Dritan Priftit, janë njoftuar se ky rol i tyre është ndërprerë. Pasi mësoi këtë fakt, gazeta “Panorama” kontaktoi mbrëmë me ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili konfirmoi lajmin. Ai tha dje se oficerët që shërbenin si truproja të tij janë njoftuar të paraqiten në repart dhe janë larguar në zbatim të këtij urdhri pa dhënë shpjegim. “Sot (dje) kanë njoftuar truprojën që të kthehet në repart, mua nuk më kanë bërë asnjë lajmërim dhe nuk më kanë dhënë asnjë shpjegim”, tha mbrëmë Dritan Prifti. Ai theksoi se menjëherë sapo është vënë në dijeni të heqjes së truprojës, ka tentuar të hyjë në kontakt me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ish-ministri sqaroi se deri dje në mbrëmje nuk ka marrë asnjë shpjegim për heqjen e truprojës. Ndërkohë, zyrtarë të policisë i thanë mbrëmë gazetës “Panorama” se oficeri që ruante Priftin është tërhequr, pasi afati i parë i urdhrit ka mbaruar dhe ai ende nuk është rinovuar. Efektivi që ruante Dritan Priftin, që pas thirrjes së tij si dëshmitar në Prokurori, ka qenë një oficer i repartit të forcave speciale BRISK-u. Ky oficer ishte ngarkuar me ruajtjen e ish-ministrit, pak kohë pasi prokuroria filloi hetimet në lidhje me video-përgjimin e bërë publik nga Prifti, në të cilin ai kishte regjistruar një bisedë me Ilir Metën në Ministrinë e Ekonomisë. Në të njëjtën kohë me përgjimin, Prifti kishte bërë akuza publike edhe për kontrabandën e naftës “virgin”, duke u shprehur disa herë publikisht se thëniet e tij përbënin rrezik. Nisur nga ky fakt, në ruajtje të ish-ministrit u vendos një efektiv i forcave speciale, nga reparti BRISK-u. Ky efektiv u pa të shoqëronte ish-ministrin në paraqitjet e tij në Prokurorinë e Tiranës dhe, më pas, në Prokurorinë e Përgjithshme, kur dosja penale u transferua atje për heqjen e imunitetit të të dyshuarve. Sipas ligjit, efektivat e forcave speciale veprojnë vetëm mbi bazën e urdhrave të brendshëm të repartit dhe komandantit, urdhra të cilët burojnë nga zv.drejtori ose nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Efektivat e repartit të forcave speciale BRISK shoqërojnë zakonisht gjyqtarët dhe prokurorët e marrë në mbrojtje nga shteti, si dhe dëshmitarët e drejtësisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë.                           tr.so

Siguria

Për shkak të rëndësisë së thënieve të Dritan Priftit në media dhe në prokurori, që në muajin shkurt të këtij viti Policia e Shtetit mori masa për ruajtjen dhe garantimin e sigurisë fizike të ish-ministrit. Pak ditë më parë, pasi konfirmoi zhvillimin e procesit të gjykimit për Ilir Metën, gjykata e lartë pranoi në listën e prokurorisë edhe Dritan Priftin, në cilësinë e dëshmitarit që do të japë shpjegime gjatë procesit. Avokatët e Metës kërkuan përjashtimin e Priftit si dëshmitar, pasi ai ishte vetë i akuzuar në këtë çështje.

Policia

Zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, të pyetur mbrëmë nga gazeta “Panorama” kanë pohuar se ka një ndërprerje të shërbimit të truprojës së Dritan Priftit, me sa duket e përkohshme. Sipas zyrtarëve të lartë të policisë, ditën e djeshme, oficeri që ruante Dritan Priftin është kthyer në repart, pasi ka përfunduar afati 6-mujor i ruajtjes për të cilin ishte nxjerrë urdhri i parë. Zyrtarët e policisë thanë se ndërprerja e shërbimit nga ky oficer ka ardhur për shkak se urdhri nuk është rinovuar ende.

© Panorama.al

Te lidhura