
Prokuroria: Kemi afat për dosjen deri në datën 8 mars 2012
Prokurori Bujar She-shi firmosi dje zgjatjen me një muaj të afatit hetimor të dosjes penale ndaj ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti. Një ditë pas kërkesës së avokatit të Priftit për të shtyrë mbylljen e dosjes, Prokuroria e plotësoi këtë kërkesë duke vënë në dispozicion të hetimit edhe 30 ditë të tjera deri në datën 9 mars 2012. Brenda kësaj kohe, Prokuroria duhet t’i përfundojë veprimet hetimore për dosjen e ndarjes së 69 mijë eurove mes Dritan Priftit dhe Leonard Beqirajt, në mënyrë që provat të kenë vlerë ligjore. Ditën e djeshme, rreth orës 12:00, pas shqyrtimit të kërkesave të avokatëve, prokurori i çështjes në Prokurorinë e Përgjithshme firmosi vendimin për shtyrjen e afatit të hetimit. Shtyrja është argumentuar me faktin se në datën 8 shkurt 2012, avokatët mbrojtës të Dritan Priftit dhe Leonard Beqirajt, bënë kërkesë në Prokurorinë e Përgjithshme për pyetjen e 4 dëshmitarëve që kanë të dhëna në interes të hetimit. Prokuroria verifikoi se emrat e këtyre personave nuk kishin rezultuar më parë si persona për t’u pyetur dhe vendosi që t’i marrë ata në pyetje. Për kryerjen e këtyre veprimeve, organi qendror i akuzës ka gjykuar se ka nevojë edhe për një muaj kohë në dispozicion, në mënyrë që të marrë më pas vendimin përfundimtar. Aktualisht, sipas Prokurorisë, është ngritur një akuzë për korrupsion ndaj ish-ministrit Dritan Prifti dhe ish-zëvendësit të tij, Leonard Beqiraj.
Videoja në shtëpinë e Priftit
Regjistrimi i fshehtë që është bërë objekt hetimi pasi u rikuperua nga eksperti amerikan në kompjuterin e Dritan Priftit, zgjat rreth 45 minuta. Bazuar në dialogun e zbardhur nga Prokuroria, shuma financiare fillimisht ka qenë 100 mijë euro, por në bisedë me Priftin, Leonard Beqiraj sqaron se ia ka dhënë dikujt 30 mijë euro dhe i kanë mbetur 70 mijë. Ai ka shkuar në fakt në banesën e Dritan Priftit me 69 mijë euro, pasi siç del nga biseda, edhe një mijë euro nga ato që mbante zv.ministri i ka marrë shtetasja me emrin Rezarta. Në bisedën mes ministrit dhe zv.ministrit të asaj kohe (mars 2010) flitet për disa emra, aty përmendet “Gjergji” i boteve, mesa duket një person nga Vlora që merret me tregti nafte, më tej flitet për shtetasin Piro Bare dhe Ilir Kashirin dhe në fund, Beqiraj përmend edhe një shtetas tjetër me emrin Nardi. Sipas Prokurorisë, personat e mësipërm përmenden në tentativën e zyrtarëve për përfitim financiar nga këta shtetas privatë.
Historia e videos
Videoja mes Dritan Priftit dhe Leonard Beqirajt u zbulua në shkurt të vitit 2011 nga eksperti amerikan që mori në dorëzim kompjuterin e ish-ministrit të Ekonomisë. Teksa po shikonte për origjinën e videos Meta-Prifti, specialisti amerikan arriti të rikuperonte regjistrimin Prifti-Beqiraj. Kjo video ishte fshirë prej memories së dukshme të laptopit nga Dritan Prifti, para dërgimit të pajisjes në Prokurori.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











