Pretendonte shtëpinë, djali plagos babanë

Aug 13, 2011 | 12:15

TIRANE – Konflikti i vazhdueshëm i pronësisë është bërë objekt dhune, fyerjesh dhe kanosjesh brenda një familjeje në një fshat në periferi të Tiranës. Djali ka kërcënuar dhe ka rrahur të atin, duke e goditur me sende të forta për shkak të një banese, të cilën e pretendonte si të tijën. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të vona të së enjtes, në fshatin Shupal të komunës Zallbastar të Tiranës. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se është arrestuar 43-vjeçari Pëllumb Mancaku, i cili akuzohet se ka kanosur dhe ka plagosur lehtë babanë e tij, 67-vjeçarin Adem Mancaku. I arrestuari është denoncuar nga familjarët e tij në Komisariatin Nr. 4, pasi dhuna verbale dhe fizike që ai ushtronte ndaj të atit ishte bërë e vazhdueshme. Burime nga Policia thanë se pavarësisht problemeve që kishin pasur në familje për motive pronësie, asnjë prej pjesëtarëve të familjes Mancaku nuk ishin paraqitur ndonjëherë në polici për t’u ankuar. Madje nuk kishin bërë ndonjëherë as denoncim për dhunë, fyerje apo kanosje. Ndërsa dje, gjatë kallëzimit që kanë kryer, ata janë shprehur se konflikti mes babë e bir është i hershëm dhe ka të paktën një vit që  Pëllumb Mancaku e kërcënon të atin, Adem Mancaku, për një shtëpi që duhet t’i lirojë, pasi ai pretendon se duhet ta trashëgojë. Por, nga ana tjetër, pavarësisht kërcënimeve që pretendojnë të afërmit e tyre, i moshuari nuk kishte kërkuar asnjëherë mbrojtje.

© Panorama.al

Te lidhura