
LEZHE- Prokuroria e Lezhës kërkoi dje për 8 komisionerët e Dajçit 15 vite burg dhe 2.4 milionë lekë gjobë. Ata akuzohen për falsifikim të dokumenteve me pasojë deformimin e zgjedhjeve të 8 majit në këtë njësi vendore. Në seancën e radhës u paraqitën vetëm dy avokatët, si dhe u ndoq nga përfaqësues të OSBE-së. Gjatë deklarimeve të prokurorit, dënimi më i rëndë është kërkuar për anëtarin e komisionit, Gent Marku, me 2.8 vite burg dhe gjobë 300 mijë lekë. Kjo pasi këtij shtetasi i përkiste edhe numri më i madh i falsifikimeve të nënshkrimeve të votuesve. Shpallja fajtor e komisionerëve është referuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikim të dokumenteve dhe rezultatit të zgjedhjeve”. Prokurori kërkoi shpalljen fajtor të kreut të komisionit të votimit nën siglën e PD-së, Lulzim Paloka dhe dënimin e tij me 2 vjet burg. Për nënkryetarin e komisionit të votimit, Ndoc Marku, i PS-së u kërkua 1.4 vite burg, për sekretarin e komisionit, Mark Kola, i PS-së, 2 vjet, për komisionerin e PBDNJ-së Zef Gjoni, 1.8 vite burg, shpalljen fajtor të komisionerit të LSI-së, Pjetër Marku dhe dënimin e tij me 1.8 vite burg. Gjithashtu, Prokuroria kërkoi shpalljen fajtor të komisionerit të PD-së, Pal Prendi dhe dënimin e tij me 2 vjet burg, ndërsa për komisionerin e PD-së, Gentian Kovaçi, 1.8 vite burg. Ndërkaq, për të gjithë komisionerët u kërkua edhe një gjobë 300 mijë lekë për secilin. gj.f











