
FIER/ Viktima mendoi se tubacionet e ish-Azotikut nuk ishin funksionale, por i shpërtheu gazi.
Rëndë edhe një 53-vjeçar, familjarët: Shkoi për ta ndihmuar.
Tentativa për të prerë tuba metalikë me qëllim për t’i shitur ato për skrap i ka kushtuar jetën një 22-vjeçari, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë. Viktima nga Fieri nuk ka qenë në dijeni se tubat e pikasur prej tij për t’i prerë ishin në funksion. Ai ka shkuar në një pusetë që ndodhet në anë të lumit Seman, në lagjen Sheq në periferi të qytetit, por tentativa për të vjedhur tubat ka rezultuar fatale. Sapo sharra e hekurit ka shpuar tubin në pusetën ku kalonin tubacionet e gazit të ish-uzinës së azotikut, 22-vjeçari Julian Plepi ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Presioni i gazit nuk i ka dhënë atij mundësinë të dilte nga puseta e për pasojë ka gjetur vdekjen. Ndërkaq, një 53- vjeçar, shtetasi Vangjel Profka, ndodhet në gjendje të rëndë pasi u asfiksua nga shpërthimi i gazit, ndërsa prezenca e tij në vendin e ngjarjes është ende e paqartë për policinë. Kanë qenë disa punonjës të sektorit të naftës që kanë kaluar rastësisht në vendngjarje dje rreth orës 12:00, të cilët konstatuan fillimisht 53-vjeçarin pa ndjenja jashtë pusetës. Ata janë afruar të alarmuar për të parë se çfarë kishte ndodhur, kur edhe janë përballur me tragjedinë, pasi një i ri ndodhej pajetë brenda në pusetë. Ndërkaq, ambienti përreth ishte ndotur me erën e gazit që kishte shpërthyer. “Dyshohet se viktima ka prerë me sharrë një tubacion gazi që kalonte në zonë pa pasur dijeni se linja e gazit ishte ende në funksionim. Gazi që shpërtheu nga tubi i mori menjëherë jetën 22-vjeçarit, ndërsa në gjendje të asfiksuar është dërguar në spital personi që u gjet në gjendje të rëndë”, bëri të ditur dje Policia. Burime nga spitali bënë të ditur se i asfiksuari nga gazi vijon të jetë rëndë. Punonjësit e sektorit të naftës që

zbuluan ngjarjen njoftuan menjëherë policinë, e cila mbërriti në vend dhe nisi hetimet. Në vendngjarje u sekuestrua edhe një sharrë që ishte përdorur për prerjen e tubave. Dyshohet se prej kohësh i riu e siguronte jetesën duke prerë tuba që i shiste për skrap. Ai ishin i papunë dhe niveli ekonomik i familjes së tij ishte i ulët. Familjarët e 53-vjeçarit janë marrë në pyetje në polici, por ata kanë mohuar se ai është gjendur në vendngjarje me qëllim për të vjedhur. Sipas versionit të dhënë prej tyre, ai ka dëgjuar shpërthimin e gazit dhe thirrjet e viktimës për ndihmë. Kjo sipas familjarëve mund ta ketë detyruar atë të nxitojë drejt vendit për t’i dhënë ndihmë personit që ndodhej në pusetë. Por sapo është afruar, ai ka mbetur edhe vetë i asfiksuar pa qenë në gjendje të ndihmojë viktimën, e as të kthehet mbrapsht për të sinjalizuar për ngjarjen e rëndë. Banesa e Profkës gjendet në zonën ku ndodhi ngjarja, një vilë trekatëshe. Mësohet se në katin e parë Profka zotëron dy dyqane, në një prej të cilëve tregton pjesë këmbimi për automjetet. Në shtëpinë e tij nuk ndodhet askush, pasi familjarët kanë shkuar t’i qëndrojnë pranë në spital. Edhe banorë të zonës shprehen se 53-vjeçari Profka është në gjendje të mirë ekonomike, çka përforcon versionin e dhënë prej familjarëve se ai nuk kishte asnjë shkak që të vidhte tubacionet e gazit për t’i shitur ato për skrap. Sipas tyre, në zonën ku ndodhi ngjarja, Profka ka në pronësi të tij një ngastër toke. Mësohet se tubacioni i gazit vinte nga Divjaka dhe kalonte nëpër qytetin e Fierit për t’u shpërndarë në ish-uzinën e azotikut e më pas në zonën e Ballshit e të Vlorës. Ky rrjet kryqëzohej në një pusetë anës lumit Seman, aty ku viktima tentoi prerjen e hekurit.
Motra e viktimës vdiq 2 vite më parë
Në shtëpinë dykatëshe, ende të papërfunduar mirë të 22-vjeçarit Julian Plepi, që ndodhet anës rrugë hyrëse për në qytetin Fier, ishte hapur morti. Të afërm të tij pohuan se rreth dy vite e gjysmë më parë viktimës i kishte vdekur një motër në moshë të mitur, pasi ishte djegur me qumësht. Një tenxhere me qumësht që po ziente në sobë i ishte derdhur përsipër duke i marrë asaj jetën. Ndërsa ngjarja e djeshme ishte fatkeqësia e dytë që kishte pllakosur në familjen e Xhevair Plepit, një peshkatar i njohur në atë zonë.
FIER/ MAJLINDA RAMA
© Panorama.al











