NGA NDUE DEDAJ
Nuk është fjala për presidiumet si forume drejtuese kolegjiale e as për rastet kur disa persona caktohen për të drejtuar një konferencë – presidiumi i mbledhjes, që sot quhet panel. Në kongrese partie në presidium dilnin njerëzit e udhëheqjes, heronjtë e punës socialiste, delegacionet e huaja, pra ata që nuk ishin si të tjerët, por “mbi” ta.
Këtu e kanë zanafillën dhe presidiumet e sotme publike, ku zyrtarë të ndryshëm ia njohin vetes të drejtën të dalin para publikut, dhjetë veta ulur në karrige, teksa qindra të tjerë qëndrojnë në këmbë!? Ata mendojnë se sytë e të gjithëve janë mbërthyer aty, në të vërtetë presidiume të tilla sot shihen me përçmim, si diçka provinciale, çka nuk e kemi parë në kryeqytet, ku një dukuri tjetër bie në sy, protagonizmi më zë e me figurë i kryebashkiakut apo Kryeministrit, pasi me sa duket ne asnjëherë nuk i rrimë normalitetit.
Apo nuk janë të shumtë titullarët, zëvendësit dhe ndihmëszëvendësit që duhet të zënë vend në presidiumet publike: deputetë, drejtues të bashkisë, qarkut, prefekturës, rajonit, drejtorive vendore të arsimit, shëndetësisë, policisë, kurse biznesmenët ftohen aty vetëm kur luajnë kuletën, paguajnë koktejlet, suveniret për dhurata etj. Këto duken si presidiume nderi, që sipas mendësisë së atyre që ulën aty, publiku ua ka për “borxh” begenisjen, duartrokitjet, fotot me ta në sfond.
Dikur mbi kokat tona vareshin ngado portretet hijerëndë të anëtarëve të Byrosë Politike, që peshonin lehtë, pasi ishin pikturuar në beze e duheshin kapur fort në mur, se mund t’i shkulte era e pastaj të haje e të pije, nëse rastësia të zinte në atë rreze. Era bëhej murlan, ciklon e tajfun, ka pasur njerëz që e kanë paguar për këto gjëra, një drejtor shkolle fshati ishte përjashtuar nga Partia, mbasi në parvazin e dritares të njërës nga klasat ishte harruar e shtruar një gazetë me foton e Beqir Ballukut të dënuar.
“Ç’na i kujton ata, e ku krahasim sot më atëherë”, mund të thotë ndokush. Më e pakta reminishenca të së kaluarës ka dhe në presidiumet kësodore. Duhet ta shohim si psikologji të provincës. Në vitet ‘70 në fushat sportive të qyteteve, ku nuk kishte stadiume, kuadrot kryesorë të rrethit i shihnin ndeshjet së bashku në një “tribunë” të improvizuar, ku nuk mund të ulej dikush që nuk ishte i rangut të tyre. Duhet thënë se këto lloj presidiumesh janë shmangur aty-këtu, por ja që përsëri ka njerëz që nuk rrojnë dot pa dalë para të tjerëve.
Çfarë kuptimi ka që një tufë nëpunësish të shtetit të dalë para të tjerëve në evente të ndryshme? Edhe kur përkujtohen dëshmorët, del përpara lapidarit presidiumi pa asnjë veteran, të njëjtat fytyra në tridhjetë vjet ngado republikës, a thua se të rënët u përkasin vetëm atyre. Edhe më pavend janë presidiumet gjatë promovimit të librave, ku shpesh rrinë pranë e pranë autori dhe “heroi” që ky i ka kushtuar monografinë, hidh e prit lëvdata njëri – tjetrit, teksa salla gajaset me qokat e tyre të ndërsjella?!
Japin shfaqje fëmijët e shkollave më 1 Qershor dhe si me komandë drejtuesit bëhen bashkë e dalin para publikut, ku përshëndesin njëri pas tjetrit, dikush shkurt e dikush gjatë, dikush në gjuhë letrare e dikush në dialekt. Të gjithë e dinë tashmë se cilët janë njerëzit e presidiumeve të tilla. Kur u mbaron mandati atyre, presidiumet mbushën me të tjerë, që vazhdojnë të bëjnë të njëjtin ritual. Edhe kur këta nuk dalin në skenë, podium, presidium, iu rezervohen radhët e para. Prapë para se para të tjerëve!? Nuk themi të mos nderohet në mënyrë të posaçme, kur është rasti, një person apo një tjetër, duke iu rezervuar një vend i dukshëm në publik, kur dikush nderohet me titullin akademik Honoris Causa nga ndonjë universitet etj..
Pa folur për ceremonitë solemne, në rastin e ditëve të shënuara kombëtare, historike etj., ku protokolli zyrtar është pjesë e “fotografisë” së shtetit nga koha në kohë. Por tjetër janë rreshtimet e figurave shtetërore në këso rastesh dhe tjetër të ashtuquajturat presidiume pa kurrfarë protokolli. Problemi është tek mania për të qenë i dallueshëm nga të tjerët, sa je në pushtet, apo në krye të ndonjë shoqate, si përfaqësues institucioni apo organizmi të shoqërisë civile. Ku është e shkruar që kasti i zyrtarëve duhet të dalë para të tjerëve?
Bota demokratike me kohë është përpjekur ta ndryshojë këtë lloj qëndrimi, që “ndan” publikun nga nomenklaturat. Tryezat e rrumbullakëta nuk janë krijuar pa qëllim, por pikërisht për të mos pasur njerëz, ca të dorës së parë dhe ca të dorës së dytë, ca të kreut dhe ca të fundit. Fat që deri tash kanë shpëtuar dasmat pa u infektuar nga “presidiumet”, ngaqë atje zbatohen kodet e vjetra shqiptare, ku nderohet miku më i largët etj.. Megjithatë, ka dhe nga ata që e bëjnë diferencën.
Para tri vitesh, një kryetar bashkie, në drekën e shtruar pas një eventi kulturor, në hotel – restorantin e qytetit mes pishave, nuk pranoi të ulej në tavolinën “kryesore”, por shkoi e zuri në tavolinën e fundit, afër derës. Jo pak e panë me habi gjestin e tij, që fundja e la gjurmën e vet te të pranishmit, si një mesazh pa fjalë, që qytetari – kryetar nuk drekë nuk është kryetari në zyrë, ndonëse qytetari i parë i atij komuniteti. Na ka qëlluar që në ceremoni të ndryshme të jenë dhe huaj, të cilët duhet t’i zësh përdore që të dalin para të tjerëve për t’i falënderuar për kontributin që kanë dhënë në projekte etj., dhe përshëndetjet e tyre janë tejet të shkurtra, pasi ata kanë vlerësim për kohën e njerëzve që janë aty dhe nuk e shohin veten si “delen e bardhë”…
Njëherësh është rasti të thuhet, zotërinj zyrtarë, i shkurtoni fjalimet e gjata, të thata e të mërzitshme, duke nisur nga Kuvendi i Shqipërisë, që nuk është ushtrimore për oratori të rreme dhe retorikë shterpë. Koha e fjalimeve parazitare ka mbaruar. Ashtu si dhe e i disa kumtesave, që nisin paradite e mbarojnë pasdite, a thua se ajo gjëja shkencore jotja duhet të shqiptohet patjetër e gjitha në sallë dhe jo të lexohet me laps në dorë në bibliotekë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al