Presidentja Jahjaga dënon dhunën në Veri

Jun 1, 2012 | 16:18

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga  ka dënuar dhunën mbi forcat paqeruajtëse të NATO-s nga një grup i qytetarëve të komunitetit serb që ndodhi sot në rrugën Mitrovicë – Leposaviq dhe që solli plagosjen e një numri të ushtarëve të KFOR-it dhe të qytetarëve.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, ajo i ka  cilësuar “të papranueshme përpjekjet e strukturave ilegale serbe për të penguar me dhunë heqjen e barrikadave nga rrugët dhe për të penguar qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”.

Presidentja ka shprehur mbështetjen për “aksionin e forcave paqeruajtëse të NATO-s për heqjen e barrikadave dhe zhbllokimin e rrugëve që përkon me misionin e KFOR-it për vendosjen e stabilitetit dhe të sigurisë si dhe për aplikimin e sundimit të ligjit në territorin e Republikës së Kosovës”.

“Ky është veprim për të mos lejuar sundimin e anarkisë në tri komunat në veri të vendit”, thuhet në deklaratë.

Presidentja ka kërkuar “vendosjen e gjendjes normale në këtë pjesë të vendit dhe shuarjen e strukturave ilegale e kriminale, të cilat po pengojnë dhe mbajnë peng popullatën e kësaj pjese dhe po i shfrytëzojnë problemet reale të qytetarëve për qëllime të veta”.

© Panorama.al

Te lidhura