BULQIZË- Minatorëve të Bulqizës u ka ardhur mesazh urimi nga presidentja e ACR-së, e cila me anë të një letre të hapur ka shprehur mbështetje për ta dhe familjet e tyre, duke shpresuar në zgjidhjen e problemeve përmes bisedimeve mes palëve.
“Uroj minatorët dhe familjet e tyre për festën e Bajramit, duke shpresuar se situata e vështirë do të kalohet shumë shpejt nëpërmjet bisedimeve të përbashkëta. ACR do të mbulojë shpenzimet e drekës së Bajramit duke iu gjendur pranë punonjësve tanë”, shkruan në letrën e saj Depich.
Sipas saj, situata në minierë u keqësua për shkak të ndërhyrjes së disa personave jashtë kompanisë, që shqetësohen vetëm për interesat e tyre.
“Këta persona të papërgjegjshëm nuk janë kujdesur për interesin e minatorëve të ACR por thjesht për interesat e tyre personale dhe si pasojë Bajrami i sivjetshëm i ka gjetur familjet e minatorëve të Bulqizës në vështirësi ekonomike”, thuhet në letër.
Më tej, presidentja ka përsëritur thirrjen për kthimin në punë të minatorëve dhe zgjidhjen e kërkesave me anë të bisedimit.
© Panorama.al










