Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth ka apeluar sot për më tepër respekt midis institucioneve, si dhe ka vlerësuar dialogun e nisur për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës. Në një prononcim për mediat, nga Vlora ku ishte në një takim me kreun e Bashkisë së këtij qyteti, Wollfarth u shpreh per me shume; “Respekt midis presidentit dhe parlamentit, nga parlamenti për presidentin, nga qeveria për parlamentin, nga parlamenti për qeverinë dhe nga qeveria për presidentin, pra në të tërë trekëndëshin.”
Kjo është shumë e rëndësishme për vendimmarrjen dhe gjithashtu për emërimet e rëndësishme që i nevojiten vendit, veçanërisht në Gjykatën Kushtetuese, tha ai.
Wollfarth tha se janë propozuar personalitete shumë serioze dhe duhet marrë një vendim në respekt të Presidentit që ka propozuar këta kandidatë, duke përmendur kandidaturën e Artan Hoxhës për Gjykatën Kushtetuese, për të cilin tha se duhet parë si një kandidaturë shumë serioze.
Plotësimi i vendit bosh sa më shpejt që të jetë e mundur, për ne, ky do të ishte një hap shumë i rëndësishëm për funksionimin më të mirë të vendit, theksoi Wollfarth.
Lidhur me zgjedhjen e presidentit, Wollfarth tha : “Po zhvillohen diskutime për kandidatë dhe janë bërë publikë disa emra. Disa njerëz mund të kenë më shumë emra në mendje. Mendoj se ky është një proces shumë i rëndësishëm. Është shumë e rëndësishme që të përzgjidhen një ose disa persona të respektuar dhe, në fund, njëri prej tyre të zgjidhet. Ky proces duhet udhëhequr nga shqiptarët. Për këtë arsye, e vlerësoj së tepërmi dialogun që po zhvillohet, në formate të ndryshme, midis personaliteteve shqiptare, përfshirë atë mes kryetarëve të partive. E shoh si një dialog dinjitoz dhe të rëndësishëm, sepse, në fund të fundit, bëhet fjalë për një vendim të shqiptarëve për numrin një të shqiptarëve. Pra, po zhvillohet një proces i mirë, që, me shpresë, do të çojë në një rezultat të mirë.”
© Panorama.al











