Presidenti i SHBA, Joe Biden dhe nënpresidentja Kamala Harris, do të zhvillojnë takime të veçanta me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, më 26 shtator, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë.
“Udhëheqësit do të diskutojnë gjendjen e luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, duke përfshirë planifikimin strategjik të Ukrainës dhe mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se ka përgatitur plotësisht planin e fitores që ai synon t’ia paraqesë homologut të tij amerikan, Joe Biden.
“Gjëja më e rëndësishme tani është vendosmëria për ta zbatuar atë. Nuk duhet dhe nuk mund të ketë një alternativë ndaj paqes, asnjë ngrirje të luftës apo manipulime të tjera që do ta çonin agresionin rus në një fazë tjetër”, tha Zelensky në një video-mesazh.
Javën e kaluar, Volodymyr Zelensky tha se kishte ndërmend t’i paraqiste Presidentit të SHBA Joe Biden një plan për fitoren”e Ukrainës ndaj Rusisë.
Përballë një ofensive në shkallë të plotë nga trupat ruse në Ukrainën lindore, Kievi po i kërkon Perëndimit që ta lejojë atë të godasë objektivat në tokën ruse duke përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi që ka blerë, por ende nuk ka marrë konfirmim.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al