
Presidenti Bamir Topi ka pritur sot në një takim aktoren e mirënjohur shqiptare të Hollivudit, Eliza Dushku, si dhe fotografin me famë botërore, Fadil Berisha dhe aktorin Blerim Destani, të cilët gjenden prej disa ditësh në Shqipëri në përpjekje të promovimit të turizmit shqiptar.
Presidenti Topi, vlerësoi lart veprimtarinë artistike të Eliza Dushkut si një ndër aktoret e reja të spikatura të kinematografisë botërore.
“Ju jeni tashmë imazhi i mirë shqiptarëve që punoni për Shqipërinë”, – iu drejtua Presidenti Topi të pranishmëve në këtë takim. “Janë pikërisht këto arsye”, – u shpreh Presidenti, – “që me t’u informuar për kërkesën e zonjës Dushku për marrjen e shtetësisë shqiptare, në përmbushje të një detyrimi institucional, por në radhë të parë, të një frymëzimi personal, nënshkrova dekretin për dhënien e shtetësisë shqiptare Eliza Dushkut”.
Aktorja, Eliza Dushku shprehu falënderim dhe mirënjohje për pritjen nga Presidenti Topi dhe në mënyrë të veçantë nënvizoi kënaqësinë e veçantë për këtë nderimi nga ana e Kryetarit të Shtetit Shqiptar.
© Panorama.al











