Presidenti Topi dekreton disa ligje

Jun 14, 2011 | 11:11

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje disa ligje të rëndësishme të miratuara së fundi nga Kuvendi i Shqipërisë. Sipas publikimit zyrtar nga Presidenca, kreu i shtetit dekretoi shpalljen e ligjit “Për të drejtën ndërkombëtare private”, si dhe ratifikimin e disa marrëveshjeve, si ajo ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Federatës Ruse për përmbushjen e detyrimeve financiare të Republikës së Shqipërisë kundrejt Federatës Ruse për balancat e llogarive të korporatës shtetërore “Banka e Zhvillimit dhe Veprimtarisë Ekonomike me Jashtë (Vneshekonombank)” te Banka e Shtetit Shqiptar, ratifikimi i protokollit të tretë shtesë të Konventës Europiane “Për ekstradimin”, ratifikimi i dy konventave për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve etj.

Delegacioni i Kuvendit shqiptar sot në PE\

Delegacioni i Parlamentit shqiptar, i përbërë nga 14 deputetë të maxhorancës dhe opozitës, do të zhvillojë takime me anëtarët e Delegacionit BE-Shqipëri. Para eurodeputetëve të Brukselit, deputetët shqiptarë do të përgjigjen për 12 prioritetet e Bashkimit Europian për integrimin e Shqipërisë. Mbledhja do të drejtohet nga dy kryetarët, Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit për Ballkanin, dhe Fatos Beja, kryetar i Delegacionit nga pala shqiptare. Delegacionit shqiptar i është shtuar deputeti socialist Eduard Shalsi, i cili ka zëvendësuar deputetin Saimir Tahiri për shkak të impenjimit të tij në Kolegjin Zgjedhor. Përfaqësuesja e Partisë Socialiste, Arta Dade, tha dje se ajo që ndodhi pas zgjedhjeve të 8 majit në KQZ do të jetë pjesë thelbësore e axhendës së shtatë deputetëve socialistë në Bruksel, ku do të diskutohen 12 rekomandimet e BE-së për integrimin e Shqipërisë.

© Panorama.al

Te lidhura