Rama e Meta takohen për Presidentin, xhaxhai i Aleks Nikës: Bllokohet hetimi i “21 janarit”

May 9, 2012 | 11:20
Edi Rama dje pas takimit me Meten

Kreu i PS takon pas 4 vitesh kryetarin e LSI-së për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Kreu i LSI: I qëndrojmë paktit me PD. Rama: Po dialogojmë.

Pas katër vitesh përplasje, Edi Rama dhe Ilir Meta u takuan për rreth një orë në hotel “Sheraton”. Zgjedhja e kreut të ri të shtetit mblodhi si dikur në një kafe pune aleatët e dikurshëm, të cilët kishin që në dhjetor 2007 që nuk bashkëpunonin mes tyre. Në fund të takimit, Ilir Meta e cilësoi atë konstruktiv, ndërsa Rama iu përgjigj skeptikëve që e shikonin sërish atë bashkë me kreun e LSI-së për të cilin kishte hedhur në të shkuarën akuza të rënda. I pari mbërriti Rama, dhjetë minuta para kohës së programuar për takimin, në 12:20, e pas tij, i përpiktë në orar, në 12:30, mbërriti dhe Ilir Meta. Të dy kryetarët shoqëroheshin nga Gramoz Ruçi dhe Petrit Vasili. Takimi mes katër politikanëve u zhvillua larg syve të klientëve të zakonshëm të “Sheraton”-it, në katin e pestë, në seksionin VIP të hotelit, ambient ky i rezervuar vetëm për një kategori të caktuar personash. Mediat, të lajmëruara nga selia rozë për këtë takim, u mbajtën jashtë ambienteve të hotelit, vetëm për deklaratat përcjellëse të liderëve. Ilir Meta ishte i qetë kur e cilësoi takimin konstruktiv. Meta e interpretoi qëllimin e takimit jo vetëm me zgjedhjen e Presidentit. “Ishte një takim konstruktiv dhe ne shpresojmë që ky dialog të vijojë me intensitet nëpërmjet të gjithë aktorëve parlamentarë. Unë e kam theksuar edhe më parë që është shumë i rëndësishëm edhe ai takim i nivelit mes drejtuesve të PS dhe të PD-së. Lidhur me çështjen e Presidentit, e kam theksuar se nuk është zgjedhja e një Presidenti, por se sa pozitivisht kjo duhet të ndikojë që reformat të vazhdojnë edhe pas zgjedhjes së Presidentit të ri dhe njëkohësisht vendi të marrë statusin e vendit kandidat për në BE”, tha Meta. Për kreun e LSI-së, bashkëpunimi me PD do të vazhdojë. “Ne marrëveshjes që kemi bërë do t’i qëndrojmë deri në fund, pasi jemi një forcë politike që u qëndron marrëveshjeve”, u shpreh Meta. Ndërsa Edi Rama ishte më pak i qetë pas takimit, pasi që në fillim foli për ata që ishin keqkuptuar ndaj tij. “Takimi i sotëm ishte në kuadrin e nismës sonë të Partisë Socialiste për të komunikuar me të gjithë drejtuesit e palëve parlamentare dhe për të eksploruar mundësitë e një procesi të dakordësuar, në funksion të zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kush çuditet apo edhe kush mllefoset nga takimi i sotëm me Ilir Metën, nesër me Shpëtim Idrizin, më tutje me Sali Berishën, i them se kur flasim për dialog do të thotë dialog edhe mes kundërshtarëve, nuk do të thotë: ne monologun tonë dhe qeveria monologun e vet”, u shpreh Rama.

“Të vegjlit”
Partitë e vogla do të dalin me një ultimatum sot lidhur me të ardhmen e tyre në koalicionet respektive. Reforma zgjedhore dhe propozimet e tyre për një përllogaritje të mandateve të deputetëve do të mbledhë sot në orën 10:00 në hotel “Tirana” tetë partitë e vogla të majta dhe të djathta, të cilat disa ditë më parë arritën të ulin në një tryezë 26 parti, përfshirë këtu dhe PD dhe PS. Pasi kanë depozituar kërkesën bashkë me angazhimin e dy partive të mëdha se do të diskutojnë propozimet e të vegjëlve, asgjë nuk është bërë në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

“Aleanca Rama-Meta bllokon hetimet për vrasjet e 21 janarit”

Flet Mark Nika, xhaxhai i Aleksit që u vra më 21 janar

Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës

Nika kundër pakteve PS-LSI: Meta ishte shkaktari indirekt i vrasjes së 4 protestuesve
Familjarët e viktimave të 21 janarit janë kundër afrimit apo aleancave mes kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Pas takimit dhe darkës që këta dy liderë realizuan në Gjirin e Lalzit, avokati Mark Nika, xhaxhai i të ndjerit Aleks Nika, argumenton për gazetën “Panorama” arsyet pse të afërmit e viktimave dhe mbështetësit në popull që duan drejtësi lidhur me ngjarjet e 21 janarit, janë kundër një pakti politik Rama-Meta.
Kryetari i PS-së, Edi Rama dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta, parmbrëmë ndanë një darkë private në Gjirin e Lalzit. Ndërsa dje realizuan edhe një takim publik, nga ku dolën me deklarata mbi mundësitë e bashkëpunimit dypalësh. Si i vlerësoni ju këto takime?
Unë dhe të gjithë të afërmit e viktimave të 21 janarit nuk mund të japim vlerësime lidhur me këto takime dhe afrime në mes Ramës dhe Metës. Sepse normalisht nuk mund të vlerësojmë aleancat e mundshme në mes tyre, por vetëm t’i denoncojmë dhe t’i dënojmë.
Pse t’i dënoni?
Sepse dihet qëndrimi publik i kryetarit të LSI-së lidhur me ngjarjet e 21 janarit, ndaj PS-ja duhet të distancohet nga afrimiteti me këtë forcë politike. Që nga dita kur u vra nipi im, së bashku me tre burrat e tjerë që veshën nënat dhe gratë me të zeza, që lanë fëmijët jetimë, Ilir Meta ka qenë kundër zbardhjes së ngjarjes. Madje, ka qenë ai që provokoi 21 janarin, ndërsa deklaratat e tij si “kokëpalarë” dhe “morracakë” kanë qenë shumë denigruese për ne. Gjatë gjithë kësaj kohe, Rama ka kritikuar qëndrimet e Metës, i ka dënuar deklaratat dhe veprimet e tij. Nuk i shkon atij tashmë që t’i japë dorën aleatit të një qeverie që vret.
Meta nuk është i akuzuar për “21 Janarin”?
I akuzuar zyrtarisht nuk është, por tragjedia u shkaktua direkt nga shteti, nga qeveria. Dhe ai ishte pjesë e tij kur u vra Aleksi me 3 bij nënash të tjerë dhe vijon të jetë edhe sot. Tragjedia e 21 janarit e ka të gjithë zanafillën nga Meta. Indirekt i ka shkaktuar ai katër vrasjet. Protestat në shesh nisën me motivin kundër korrupsionit, ku Meta shfaqej në një video. Kjo histori se si vajti, dihet tashmë nga të gjithë… Vetëm se, po ju kujtoj që më 20 janar ishte Meta që doli në televizion dhe deklaroi publikisht, sepse sipas disa informacioneve të sigurta, protestuesit më 21 janar do të ishin të armatosur dhe do të qëllonin mbi forcat e rendit. Nga kjo deklaratë, siç duket u alarmua shteti dhe ndodhi ajo që ndodhi; katër protestues u qëlluan dhe u vranë. Nëse bëjmë një radhitje shkak-pasojë, ngjarja është kjo: 1.Meta u shfaq në video duke bërë korrupsion. 2.PS-ja bëri thirrje për protestë në shesh kundër Metës dhe qeverisë. 3.Meta paralajmëroi “i sigurt” armatosjen e protestuesve. 4.Forcat e rendit, pra shteti qëlloi mbi protestuesit e pafajshëm. Në këtë radhitje, Meta del motivuesi, shkaktari indirekt i tragjedisë së 21 janarit.
Në radhitjen tuaj të shkaqeve, keni edhe PS-në që bën thirrje për protestë…
Jo. PS-ja në këtë rast ishte si pasojë. Shkaku ishte videoja, pasoja protesta. Të gjithë eksponentët e PS-së, përfshirë Edi Ramën, na kanë ardhur në shtëpi dhe e kanë përcjellë në mes lotësh Aleksin. Po ashtu, Rama gjatë gjithë kësaj periudhe na ka qëndruar pranë. Ndaj nuk më pëlqen një afrimitet i tillë që Rama po bën me Metën, sepse ai e njeh më mirë sesa kushdo atë. Një aleancë Rama-Meta do të bllokonte krejtësisht hetimet për “21 Janarin”, zbardhjen e të vërtetës se çfarë ndodhi atë ditë, si dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve. Dhe besoj se kundër kësaj aleance nuk është se jemi vetëm ne familjarët, por të gjithë mbështetësit në popull që iu bashkëngjitën protestave në shesh. Në rast se Rama do të bëjë aleat Metën, hetimet për “21 Janarin” rrezikojnë të mos përfundojnë asnjëherë.
Pse jeni skeptik?
Sepse nuk besoj që Rama të bëjë pakt sot me Metën dhe nesër ta çojë para gjyqit për drejtësi. Kur bëhesh aleancë, kur je në koalicion, ndryshojnë rrethanat dhe përgjegjësitë politike. Ai ka vite që po e denoncon publikisht Metën dhe për mendimin tim, duhet t’u përmbahet deklaratave që ka bërë deri më dje. Rama duhet të qëndrojë larg LSI-së dhe larg çdo partie që është bërë palë me qeverisjen aktuale, që shkaktoi tragjedi në katër familje. Bashkëpunimi me këto forca aleate të PD-së nuk i shërbejnë atij për asgjë. Sigurisht, Rama në fund të fundit do të bëjë atë që mendon se duhet të bëjë, por edhe ne do të themi atë që mendojmë se duhet të themi. Ky është gjykimi im, gjykimi i të gjithë familjarëve të viktimave të “21 Janarit” dhe nuk është imponim mbi paktet politike që duhet të bëjë Rama. Shkurt dhe saktë, ne nuk jemi aspak dakord për një aleancë Rama-Meta, pasi është fyerje në kujtim të viktimave të “21 Janarit”. Nuk ia aprovojmë bashkëpunimin me Metën, edhe pse e dimë që ai s’ka nevojë për aprovimin tonë për të zgjedhur aleatët politikë. Por thjesht, ta vëmë në dijeni që jemi kategorikisht kundër paktit PS-LSI. Rama pastaj le të bëjë çfarë të dëshirojë.
Rama, pas takimit me Metën, ka deklaruar: “I them kujtdo që çuditet apo mllefoset sot nga takimi me Metën, se nesër do të takohem me Shpëtim Idrizin e pastaj me Berishën…”. Jeni dakord me këto takime?
Rama ka të drejtën personale që të takojë kë të dëshirojë, siç kemi edhe ne të drejtën tonë që të deklarojmë që jemi kundër këtyre takimeve. Sepse, për të afërmit e viktimave të 21 janarit nuk mund të ketë takime, aleanca, pakte, afrimitet, bashkëpunime në përgjithësi me një qeveri që vret. Nuk duhen bashkëpunime me LSI, PD apo me Fatos Nanon. Rama mbase përpiqet për momentin që të rikuperojë pozicionin politik, të rikthehet në qeverisje, por me këto lloj bashkëpunimesh mund të humbasë popullin që doli në protestën e 21 janarit. Mund t’i kthehen kundër gjatë zgjedhjeve.
A do t’i ktheheshit edhe ju kundër Ramës? Kam parasysh familjarët dhe të afërmit e viktimave të 21 janarit…
Pavarësisht takimeve të tij, strategjive, ne nuk ia kthejmë kurrizin Ramës. E kemi mik shtëpie dhe kemi qarë bashkë me të mbi trupin e Aleksit. Megjithatë, siç edhe jua thashë, do t’i rekomandonim që as të mos i flasë me gojë një Kryeministri që vret dhe aleatëve të tij që e duartrokasin në vrasje. Dhe Ilir Meta është duartrokitësi më i mirë i Kryeministrit. T’ia japësh dorën atij, siç veproi Rama, do të thotë të bëhesh pis. Të ndotësh duart me gjak.

Reagon deputeti i PS-së për deklaratat e Ramës
Braçe: Komentet e Ramës ishin të tepërta e të papërshtatshme

Erjon Braçe

Anëtari i Kryesisë, Erjon Braçe, e cilësoi një pjesë të deklaratës së Edi Ramës pas takimit me Metën, të tepërt dhe të papërshtatshme. Duke shkruar në adresën e tij në Facebook, Braçe e vlerësoi Ramën në takimin me kreun e LSI-së si një takim që ishte miratuar më parë nga Kryesia e PS-së. “Edi Rama ka marrë nga Kryesia e PS dhe Grupi Parlamentar i PS mandatin të kërkojë, negociojë dhe punojë për një proces konsensual politik në Kuvend dhe jashtë tij. Ky mandat duhet respektuar, por edhe nuk duhet tejkaluar! Por, agresiviteti ndaj atyre që mendojnë ndryshe nga ai për këtë takim ishte i tepërt dhe i papërshtatshëm! Unë mendoj se ndjeshmëria dhe respekti ndaj çdo sensibiliteti që vjen nga secili socialist apo secili opozitar, çdo shqiptar, duhet të jetë thelbi i sjelljes sonë”, shprehet Braçe në Facebook.  Një javë më parë, në mbledhjen e Grupit të PS, Braçe kishte kërkuar nga Rama që takimet për Presidentin të mos bëhen në kafenetë e Tiranës, por në Kuvend. Nënkryetari i Grupit Parlamentar, Erjon Braçe, i ka kërkuar Ramës që procesi i konsultave dhe i negocimit të mos zhvillohet në lokalet e Tiranës, por të bëhet një proces institucional. “Ne duhet të ndërtojmë një proces konsultimi institucional, madje në Parlament. Meqenëse Presidenti do të zgjidhet në Kuvend, ne duhet t’i kërkojmë kryetares së Kuvendit, zonjës Jozefinë, që të krijojë infrastrukturën e nevojshme për të realizuar këtë proces, ku kandidatët të dëgjohen përpara një grupi pune që mund të krijohet për këtë proces”, mësohet të ketë thënë Braçe në mbledhjen e Grupit Parlamentar.

Komenti i ish-kryetarit të PS
Nano: Takimi Meta-Rama, jemi në trasenë e duhur

Fatos Nano

Kandidati për President, Fatos Nano, vlerësoi takimin Rama-Meta për nisjen e dialogut për kreun e ri të shtetit. “Po i afrohem takimit me Kryeministrin, që ka një rëndësi të dorës së parë në konsultimet e mia. Më vjen mirë dhe dua ta përshëndes këtë fakt, që filluan dhe takimet mes krerëve të politikës shqiptare, partive parlamentare, siç ishte takimi Rama-Meta, dhe më në fund besoj se të gjithë janë përfshirë në trasenë e duhur për të sjellë një klimë politike që i shërben më mirë vendit”, vlerësoi kandidati për President, Fatos Nano. Por, pasi përshëndeti edhe takimin mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, Fatos Nano nuk u nxitua për të bërë një vlerësim nëse ky takim i ulte apo i rriste shanset e tij si President konsensual. “Ju doni rezultatin e njërës nga pjesët e ndeshjes?! Më lejo të ta them në fund këtë gjë”, komentoi Nano.

Shtyhet mbledhja e Grupit të PS
Mbledhja e Grupit Parlamentar socialist nuk u zhvillua dje për shkak të takimit Rama-Meta. Si çdo të martë në mesditë, deputetët e Grupit Parlamentar socialist zhvillojnë mbledhjen e përjavshme të tyre, ku diskutojnë axhendën e tyre parlamentare. Mbledhja është shtyrë për sot në mesditë. Deputeti socialist, Andis Harasani, shprehte dje habi në adresën e tij në Facebook për arsyet e shtyrjes së mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS. “Nuk e kuptova pse s’ka mbledhje Grupi sot???”, shprehet Harasani në adresën e tij në Facebook, “habi” kjo që tërhoqi pas disa dhjetëra komente të miqve të tij.

Shpëtim Idrizi
Kryesocialisti do të takojë sot kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ish-deputetin e tij të Grupit Parlamentar të PS, për të diskutuar rreth Presidentit të ri. Idrizi është kryetari i dytë i një partie parlamentare, i cili i përgjigjet pozitivisht ftesës së Ramës për të ndërtuar një proces për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Pas takimit me Fatos Nanon, Rama i drejtoi letër çdo kryetari të partive parlamentare, ku i ftonte të nisnin një proces dialogu për një President konsensual. Ftesa e Ramës u bashkohej dhe thirrjeve të ndërkombëtarëve për të dialoguar mes palëve për kreun e ri të shtetit.

ARISTIR LUMEZI & ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura