Kreu i ri i shtetit, zgjedhjet në FRESSH dhe Gruan Socialiste në axhendën e sotme.
Sot, vendimi për tryezën e Ramës dhe kandidimin e Nanos.
Kryesia socialiste do të diskutojë sot rreth Presidentit, por dhe ish-liderit të saj, Fatos Nano. Dialogu që Rama ka kërkuar të nisë me kryetarët e partive parlamentare, do të marrë më parë bekimin e Kryesisë socialiste.
Mësohet se Kryesia nuk do t’i shpëtojë dot dhe diskutimit rreth emrave të përveçëm, për të cilët janë shprehur rezerva në takime të mëparshme. Disa anëtarë Kryesie, pjesë të Këshillit Politik të PS, kanë shprehur rezerva për emrin e Fatos Nanos dhe pritet që dhe në Kryesi të mbajnë të njëjtin qëndrim. Qëndrimi i deritanishëm i kryetarit socialist ka qenë ndërtimi i një procesi konsultimesh dhe dialogu mes palëve, për të dalë në një emër mbi palët dhe të gjithëpranuar nga të gjitha partitë parlamentare. Mbledhja e Kryesisë zhvillohet pak ditë pas takimit që Edi Rama zhvilloi me kandidatin e vetëshpallur për president, Fatos Nano, në zyrën e tij. Gjithashtu, gjatë mbledhjes së sotme të Kryesisë pritet që të bëhet dhe një bilanc i punës së anëtarëve të saj të deleguar në 12 qarqet e vendit dhe miratimi i kandidaturave të mbërritura në Kryesi për kryetarë të degëve socialiste, atje ku zgjedhjet ende nuk janë zhvilluar.
FRESSH
Kryesia e Partisë socialiste do të vendosë sot mënyrën se si do të bëhen zgjedhjet për kryetarin e ri të Forumit Rinor Eurosocialist. Materiali që pritet të miratohet sot në Kryesi që do të mblidhet në orën 18:00, rrëzon projektin e paraqitur në mbledhjen e kaluar nga sekretari për Rininë dhe Emigracionin, Erion Veliaj dhe i përshtat procedurat sipas statutit të PS. Veliaj kishte sjellë si propozime në mbledhjen e kaluar të Kryesisë modelin e partive amerikane të ballafaqimit të kandidatëve nën të gjitha rrethet e vendit, madje dhe votimin e tyre atje, duke siguruar një sasi pikësh të cilat do ti shtoheshin çdo kandidati në konventën kombëtare. Anëtarë me përvojë në Kryesinë socialiste e kundërshtuan këtë propozim, duke e cilësuar si në kundërshtim me statutin aktual të PS. Në këtë mënyrë, projekti që do të miratohet sot, do të jetë në përputhje me statutin e PS. Kryesia do të miratojë datën 12 qershor si ditën e mbledhjes së Konventës kombëtare të FRESSH-it në Tiranë, në ditën e krijimit të PS. Fushata për këtë zgjedhje do të zhvillohet nga data 5 maj deri në 5 qershor. Pas homazheve në Varrezat e Dëshmorëve, të rinjtë e FRESSH-it do të nisin fushatën nga Kodrat e Liqenit, në amfiteatrin veror ku kandidatët e miratuar nga Kryesia do të shpalosin platformat e tyre. Të njëjtën gjë kandidatët do ta bëjnë në 36 rrethe në të gjithë vendin. Në konferencat e rretheve të FRESSH do të zgjidhen kryetarët e degëve dhe delegatët për në Konventën kombëtare.
Letra
Kryesocialsiti Edi Rama i dërgoi një letër-ftesë Sali Berishës, Ilir Metës dhe të gjithë kryetarëve të partive parlamentare për nisjen e dialogut për Presidentin e ri. “Në emër të Partisë Socialiste dhe të gjithë asaj mase të madhe qytetarësh shqiptarë që Partia Socialiste përfaqëson në Kuvend, dëshiroj t’Ju ftoj me anë të kësaj letre që të takohemi drejtpërdrejt, për të këmbyer pikëpamjet tona dhe për të tentuar të hapim një dialog konstruktiv mes të gjitha palëve.
Arben Malaj
Anëtari i Kryesisë, Arben Malaj, është shprehur se Nano është më i avantazhuar për kreun e shtetit. “Gara për Presidentin e ri, negociatat midis krerëve të partive politike për Presidentin konsensual, nuk duhen parë si mundësi hakmarrjeje në llogaritë e gjithsecilit, por si një mundësi konkrete për një përgjegjësi më të madhe përballë sfidave të përbashkëta të së ardhmes, jo thjesht personale, por të ardhmes më të mirë të gjithë shqiptarëve. Nano në konkurrimin për President ka avantazhe konkrete të karrierës dhe kontributeve të tij politike në tranzicionin tonë të vështirë”, u shpreh Malaj gjatë një interviste.
Alfred Moisiu
Ish-Presidenti Alfred Moisiu është shprehur se “Shqipërisë i duhet një njeri që i qetëson gjërat e jo që i acaron ato”. Ai ka këmbëngulur në idenë e hedhur prej kohësh, që Presidenti të zgjidhet nga populli. Sipas tij, “Demokracia jonë është e brishtë dhe, për këtë arsye, Presidenti duhet të jetë i lirë nga politika, mbi forcat politike. Ai duhet të jetë njeri me integritet, të zbatojë Kushtetutën dhe ligjet. Platforma e tij duhet të jetë Kushtetuta. Roli i Presidentit në një demokraci parlamentare është shumë i madh. Ai është kryetari i shtetit, i cili mbetet edhe pas ndërrimit të pushtetit”, u shpreh Moisiu.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











