
Partitë e vogla të djathta propozojnë kryeparlamentaren dhe këshilltarin e Berishës për kreun e shtetit.
PAD: U kujtojmë partive se kandidatura e Cekës mbetet dinjitoze.
Listës së kandidaturave të përfolura për garën presidenciale u janë shtuar dje zyrtarisht edhe dy emra, ish-presidenti i PAD-së, Neritan Ceka dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Partia Aleanca Demokratike ka propozuar dje në një dalje për mediat kandidaturën e ish-presidentit të kësaj force politike, Neritan Ceka, duke e cilësuar si një figurë dinjitoze për postin e kreut të shtetit. Nga ana tjetër, emri i kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, është propozuar dje nga Aleanca Demokristiane, kryetar i së cilës është ish-zëvendësministri i Integrimit dhe ish-ambasadorit Zef Bushati. Dy emrat e kandidatëve i janë bashkuar listës paraprake të emrave që deri tani kryesohet nga kandidati i vetëshpallur Fatos Nano. Akademiku Neritan Ceka ka qenë një ndër emrat e propozuar edhe në vitin 2007 në garën presidenciale, kur u realizua dhe zgjedhja e Bamir Topit si kryetar i shtetit. Presidenti i Aleancës Demokratike në vitin 2007 mblodhi 20 firmat e deputetëve të maxhorancës dhe mori më shumë vota se ish-lideri historik i Partisë Socialiste, Fatos Nano, duke e eliminuar këtë të fundit nga gara presidenciale në raundin e tretë të votimit në Kuvend. Emri i kryetares së Kuvendit ka qenë i lakuar më parë nga Aleanca Demokristiane e Bushatit dhe ditën e djeshme kryetari i saj ka ripërsëritur mesazhin ndaj klasës politike për të dhënë konsensus për kandidaturën e kryeparlamentares Topalli, por kësaj radhe për postin e kryetares së shtetit. Emri i Topallit është lakuar si një nga figurat kryesore dhe nga deputetë të Partisë Demokratike gjatë intervistave në media për të marrë karrigen e Presidentit të Republikës.
Propozimet
Aleanca Demokristiane e ish-ambasadorit Zef Bushati tha dje se Presidenti aktual, Bamir Topi, ndonëse erdhi si President nga e djathta, nuk firmosi ligjin për lustracionin, i cili, sipas Bushatit, i mungon Shqipërisë. Për Bushatin, figura e zonjës Topalli për postin e kreut të shtetit do t’i mundësonte vendit konkretizimin e aprovimit të ligjit të hapjes së dosjeve dhe, si e tillë, duhet të gëzojë mbështetjen e palëve. Ndërkaq, Aleanca Demokratike, me anë të nënkryetarit Eduard Abazi, theksoi dje se primare për këtë forcë mbetet kandidatura e Neritan Cekës, si një figurë mbi palët. “Koha po afron e një president do të zgjidhet. Vetëm flitet për garë e proces të mirë. Në fakt, nuk ka gjasa se po ndodh. Palët enden në periferi për t’u përballur në raundet e votimit. U kujtojmë se kandidatura Neritan Ceka mbetet dinjitoze”, theksoi dje nënkryetari i AD-së.
Gara
Nënkryetarja e Partisë Demokratike dhe njëherësh kryetare e Kuvendit, nuk e ka shprehur publikisht ambicien e saj për të marrë pjesë në garën presidenciale. Edhe pse emri i saj është lakuar jo pak herë, Topalli, e pyetur për këtë çështje, është treguar mjaft e rezervuar, duke thënë se do t’i qëndrojë deri në fund mandatit të saj si e zgjedhur në krye të Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkohë, kandidati i vetëm në garë që e ka shfaqur hapur ambicien, Fatos Nano, nuk ka humbur kohë në takime me faktorin politik për të fituar mbështetjen e tyre. Nano ka zhvilluar takime të rëndësishme brenda një jave, fillimisht me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, më pas me ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, dhe së fundi me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama.
Ceka në garë edhe në 2007
Ish-presidenti i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka, aktualisht këshilltar i Kryeministrit Sali Berisha, në vitin 2007 mori pjesë në garën për postin e Presidentit. Kandidatura e Cekës asokohe u propozua nga shoqatat e intelektualëve dhe arriti të sigurojë 20 firmat të deputetëve të Kuvendit, pjesa më e madhe u mor nga deputetët e PD-së. Ceka, gjatë zgjedhjes presidenciale, eliminoi nga gara kandidatin Fatos Nano, i cili nuk u mbështet nga opozita, edhe pse siguroi firmat e deputetëve të majtë.
Nano u vetëshpall
Ish-lideri historik i PS-së, Fatos Nano, prej disa javësh ka nisur takimet intensive me faktorin politik, për të siguruar mbështetjen e tyre në garën presidenciale. Takimet e kandidatit të vetëshpallur janë konkretizuar, fillimisht me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, me ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, dhe para disa ditësh, në ish-zyrën e tij, me kryetarin e PS-së, Edi Rama.Emra të rinj
Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, ka propozuar dje dy kandidaturat e kësaj partie, që janë Aleko Gjergjo dhe Hajredin Fratari. Propozimi i ballistëve është bërë dje gjatë një takimi të kësaj force politike, ku kryetari Artur Roshi shprehu bindjen se dy kandidatët e PBDK-së i kanë të gjitha potencialet për të mbajtur karrigen e Presidentit të Shqipërisë.
Kryeministri nuk flet për emër nga PD-ja
Berisha: Presidenti me konsensus
Kryeministri Sali Berisha, pas vizitës së zhvilluar në Amerikë me sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton, ka ndryshuar qëndrim për deklarimet e tij, se Presidenti i ri i Republikës do të jetë një figurë e Partisë Demokratike. Kryeministri Berisha, gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, deklaroi se procesi i zgjedhjes së Presidentit do të kalojë në sitën e konsultimeve me opozitën. Sipas Berishës, çështja e Presidenti nuk ka qenë pjesë e diskutimeve me sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton. “Natyrisht, ky është një proces, i cili gjykoj unë, duhet të kalojë nëpërmjet konsultimeve dhe ne jemi të përgatitur të konsultohemi me opozitën dhe të gjitha forcat politike. Nuk ishte problem i diskutuar në takim me sekretaren e Shtetit, por ky është problem që vjen shumë shpejt në rendin e ditës muajin tjetër, ndaj dhe uroj e dëshiroj që të mbizotërojë vullneti nga të gjitha palët”.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











