Presidenti, Piramida dhe këshilltari Neza

Aug 2, 2011 | 11:03

MIMOZA KOÇIU

Replikë me shkrimin “Maozeleumi dhe Presidenti Bamir Topi” të Agim Nezës

Në këta katër vjet në detyrën e zëdhënëses së Presidentit të Republikës kam preferuar të mos prononcohem publikisht për debatet politike që shpeshherë kanë përfshirë institucionin për të cilin punoj, e frenuar nga ajo që moralisht e konsideroj si “konflikt interesi” për shkak të detyrës. Kjo nuk do të thotë që si gazetare mjaft aktive dikur, nuk kam një opinion personal për problematikat e ditës, apo edhe për baltën që hidhet pa masë, etikë dhe përgjegjshmëri institucionale e morale ndaj institucionit të Presidentit të Republikës. Në opinionin tim, edhe pse i ke argumentet dhe të drejtën në anën tënde, vetë pozicioni e funksioni të imponon një vetëpërmbajtje, në respekt e si një detyrim qytetar ndaj opinionit publik, të cilit i injektohen sistematikisht e dhunshëm “opinione të pavarura” politike si në median e shkruar, ashtu edhe atë vizive, të cilat përgjithësisht, më shumë se te qytetarët, e përmbushin efektin e vetëkënaqjes së përkohshme të porositësit e tyre. Por, sinqerisht, ky mendim m’u lëkund kur lexova ditën e diel, më 31 korrik, në gazetën “Panorama”, një shkrim të radhës të zotit Agim Neza, këshilltar i zonjës kryetare të Kuvendit, ku anatemohej Presidenti Topi se po heziton, sipas tij, të firmosë ligjin për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. Sikur z. Neza të kishte vendosur përbri emrit të tij si komentator shtypi, edhe funksionin për të cilin paguhet nga Kuvendi, nuk do të ulesha të shkruaja e të saktësoja disa të pavërteta që këshilltari Neza i përdor si argumente në komentin e tij. Edhe pse një pjesë e publikut e njeh z. Neza dhe kontributin e tij si komentator i shtypit, “fshehja” e funksionit si këshilltar nuk më duket aspak korrekte. Duke e theksuar që në krye të këtij shkrimi funksionin tim aktual, por edhe atë të hershmin si gazetare, ia lë lexuesit të gjykojë mbi vlefshmërinë e argumenteve që shprehin opinionin tim personal. Si gazetare që e ndjek rregullisht median e, për pasojë, edhe z. Neza në komentet e tij mediatike, ajo që me bie në sy është se pozicioni aktual si këshilltar, dukshëm i ka cenuar zotit Neza gjykimin jo vetëm si komentator, por edhe si njeri me eksperiencë të mëparshme nga një institucion tjetër i pavarur, si ish-këshilltar i ish-prokurorit të Përgjithshëm, i shkarkuar nga rrogëdhënësit aktualë të z. Neza dhe Presidenti aktual, të cilin merr përsipër ta gjykojë. Në komentin e tij, nga një anë këshilltari Neza pranon se Presidenti ka edhe disa ditë në dispozicion, sipas Kushtetutës, për të dhënë vendimin e tij për ligjin mbi kompleksin parlamentar, ndërsa nga ana tjetër shkruan se po “heziton” dhe se me “heshtjen” e tij po i bashkohet “refrenit baltëfolës” pro Piramidës. Thënë këto, këshilltari Neza përpiqet t’i japë legjitimitet këtij kontradiksioni duke kaluar edhe te funksioni i Presidentit si kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pavarësisht se nuk ka lidhje me temën e ligjit për kompleksin e ri parlamentar. Presidenti Topi e paskësh katandisur sistemin e drejtësisë “në ditën më të zezë”, sipas këshilltarit Neza, e meqë më herët nuk ka dekretuar as ligjin për lustracionin, me këtë qëndrim ndaj ligjit për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar do rinkonfirmojë votën e tij të datës 8 maj!!! Këto janë “argumentet” që këshilltari Neza jep për pyetjen që ngre po vetë, se përse Presidenti i Republikës heziton ta dekretojë këtë ligj, praktikisht duke i kërkuar llogari se përse nuk sillet si ish-nënkryetar i Partisë Demokratike. “Kryetarit të shtetit, Bamir Topi…, nuk i ka mbetur tjetër… përveçse të rinkonfirmojë votën e 8 majit”, shkruan këshilltari Neza në shkrimin e datës 31 korrik 2011. Në kujtesën time jo të largët si gazetare, por edhe të lexuesit që e ka ndjekur, zoti Neza mbahet mend që, si ish-këshilltar i ish-prokurorit Sollaku, në kohën e shkarkimit të ish-prokurorit të Përgjithshëm, ishte në unison me opozitën se Presidenti, duke dekretuar vendimin e maxhorancës për shkarkim me forcën e kartonit, tregoi se mbetej një President i varur nga Partia Demokratike. E bëra këtë retrospektivë thjesht sepse vetë këshilltari Neza në këtë koment pranon se bën vazhdimisht shkrime për Presidentin Topi, natyrisht me këndvështrime sipas funksionit të radhës. “… sa herë që bëj shkrim për Presidentin Bamir Topi, them se ky do të jetë shkrimi i fundit”, shkruan këshilltari Neza. E, në funksionin aktual, këshilltari Neza shfaqet dukshëm i shqetësuar që Presidenti ka pritur disa arkitektë që mbrojnë idenë e mos prishjes së Piramidës, shoqëruar me një dokumentacion me mijëra firma të qytetarëve që ndajnë të njëjtin mendim. (Të majtë i specifikon personalitetet publike këshilltari Neza. Mbaj mend se i pashë në media këta zotërinj të thoshin se nuk ishin pranuar nga Kuvendi të dorëzonin fizikisht dosjet argumentuese të ideve të tyre për Piramidën.) Këtë shqetësim e justifikon me, “për çudinë e të gjithëve” gjatë gjithë këtyre viteve,… Bamir Topi… nuk e paska ngritur zërin dhe nuk paska thënë asnjë fjalë “kundër ‘arkitektit’ të kësaj ‘rrumpallhaneje’” që është arkitektura e qytetit të Tiranës. Ndërsa këshilltarit të zonjës kryetare të Kuvendit, Neza, apo ish-këshilltarit të ish-prokurorit Sollaku, mund t’i justifikohet disi “amnezia” se Presidenti Topi, sipas tij, nuk ka reaguar për arkitekturën e qytetit të Tiranës, komentatorit dhe pedagogut me eksperiencë të gazetarisë, Neza, që paramendohet se përgatit gazetarët e ardhshëm me parimet bazë se faktet dhe verifikimi i tyre janë themelore për përcjelljen e një informacioni të saktë e të paanshëm te publiku, nuk i falet kjo “amnezi” në rastin më të mirë, e “fshehje” e qëllimshme e fakteve në rastin më të keq. Kjo pasi, përveç prononcimeve të herëpashershme, të cilat cilido mund t’i gjejë në faqen e internetit të institucionit të Presidentit, mbahet mend efekti jo i vogël mediatik që pati lëvizja e parë si President i Republikës e “tiranasit Bamir Topi” (siç e quan edhe këshilltari Neza). Në shtator 2007, Presidenti thirri një tryezë që kishte si shkak shqetësimin personal për zhvillimin aktual e të ardhshëm arkitekturor e urban të kryeqytetit, ku uli në të njëjtën tryezë në Pallatin e Brigadave zotin kryeministër Berisha dhe zotin kryetar të atëhershëm të Bashkisë, Rama. Pak javë më pas, Presidenti i Republikës uli në të njëjtën tryezë të njëjtët aktorë relevantë, si dhe kryetarët e partive të tjera politike, duke u kërkuar angazhim të përbashkët për reformat integruese të vendit, me përqendrim reformën zgjedhore dhe atë në Drejtësi. Në këta katër vjet sulmet nuk i kanë munguar Presidentit të Republikës, duke kapërcyer çdo masë e etikë respekti për një institucion të pavarur, më të lartin e shtetit, si një element bazal i një demokracie funksionale dhe pjesë e kriterit ende të papërmbushur politik të Shqipërisë ndaj Bashkimit Europian. Dukshëm këto sulme ushqehen nga aktorë politikë dhe zoti President i Republikës ka zgjedhur me vullnet të lirë të mos i përgjigjet me të njëjtën monedhë. Të gjykosh këtë vendim, sidomos nga pozicioni i komentatorit, duke reflektuar edhe mungesë respekti e njohurish mbi domethënien e formimin akademik në përgjithësi e atë të Presidentit Topi në veçanti, është sa komode aq edhe e pasinqertë për një individ me eksperiencë në institucione të pavarura si z. Neza. Për pasojë, “heshtja” e Presidentit Topi “për problematikat që shqetësojnë shoqërinë”, që kanë trazuar aq shumë këshilltarin e zonjës kryetare të Kuvendit, është reflektim i asaj qytetarie që buron nga “tiranasi Bamir Topi”, siç e specifikon me dëshirë këshilltari Neza, por që qëllimisht i lexohet si dobësi. Jam shumë dakord me këshilltarin Neza se ndërtimi i kompleksit të ri parlamentar është një çështje me ndjeshmëri të lartë sociale, e në këtë logjikë mendoj se si “tiranasi Bamir Topi”, ashtu edhe “tiranasit e tjerë”, të majtë a të djathtë që janë kundër, kanë të paktën moralisht, pak më shumë legjitimitet të shprehin hapur e pa u paragjykuar mendimin e tyre për të ardhmen e Tiranës, sesa unë që jam nga Shkodra apo këshilltari Neza, që është nga Tropoja, pavarësisht se jetojmë prej vitesh në kryeqytet. Përkundër luhatjes shqetësuese logjike për eksperiencën e z. Neza, pasi komentin në fjalë pro ligjit për kompleksin parlamentar, e nis me fyerje ndaj Presidentit dhe e përfundon duke renditur 8 argumente personale “në ndihmë të Presidentit aktual”, se përse ai duhet të firmosë ligjin, e siguroj z. Neza se Presidenti i Republikës do ta mirëpriste atë me shumë qytetari, njëlloj si “arkitektët e majtë”, për të dëgjuar argumentet e tij në çdo aspekt: si këshilltar i zonjës kryetare të Kuvendit, si ish-këshilltar i prokurorit të Përgjithshëm, si pedagog i Gazetarisë, apo si komentator i medias. Kjo sepse “përjashtimi” nuk është në filozofinë e institucionit të Presidentit të Republikës, zyra e të cilit është e hapur për çdo individ e opinion. Padurimi gati i sëmurë për të mos pritur e respektuar çdo dekret sipas afateve dhe hapësirave për vendimmarrje pro, kundër ose në heshtje, që i jep Kushtetuta Presidentit të Republikës, qytetarisht më duket i pavend për modelin e demokracisë liberale që po përpiqemi të ndërtojmë prej dy dekadash, ndërsa stili i padenjë i komenteve e aludimeve, me fakte të rreme e me interesa të paracaktuara, duhet të dalë nga përdorimi, të paktën në komunitetin tonë mediatik.

*Zëdhënëse e Presidentit të Republikës, gazetare

© Panorama.al

Te lidhura