
Eurodeputetja kërkon që Shqipëria të mbyllë sa më shpejt reformat dhe të tregohet maturi.
Fajon: Nuk duam që të bëhen gabimet e së kaluarës.
Procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës do të monitorohet nga Bashkimi Europian. Eurodeputetja Tanja Fajon, në një intervistë për “AS” deklaroi dje se Parlamenti Europian kërkon një proces të drejtë dhe demokratik. Fajon ka lëshuar një apel për klasën politike që të tregojë maturi në procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit, duke shmangur sipas saj gabimet e së shkuarës. Për eurodeputeten, nga zgjedhja e Presidentit do të varet dhe përgjigja që pritet të marrë Shqipëria për statusin e vendit kandidatit në Bashkimin Europian. “Ne do e ndjekim procesin e zgjedhjes së Presidentit. Ne shpresojmë që ai të jetë një proces i drejtë e demokratik, sepse nuk duam të bëhen gabimet që kanë ndodhur në të kaluarën. Zgjedhja e Presidentit do të tregojë nëse vendi e ka arritur maturinë e mjaftueshme për të vazhduar integrimin europian. Unë mendoj se ky vit mund të jetë vit shumë i rëndësishëm për Shqipërinë”, deklaroi ish-raportuesja për vizat me Shqipërinë në PE.
Reforma Zgjedhore
Përmbyllja e reformës zgjedhore, sipas eurodeputetes Tanja Fajon, duhet të behët sa më parë nga klasa politike shqiptare. Ligji i ri zgjedhor, sipas saj, do të ketë një rol të rëndësishëm në përgjigjën që do të marrë Shqipëria në vjeshtën e këtij viti. Eurodeputetja theksoi ndërkaq se Shqipëria ka humbur mjaft kohë në përmbushjen e reformave të kërkuara si kusht, për integrimin në familjen europiane ndaj kërkoi më shumë përkushtim nga politika shqiptare. “Është shumë e rëndësishme që reforma zgjedhore të përfundojë, që Shqipëria të tregojë maturi dhe, kryesorja, që zgjedhjet e reja të zhvillohen në mënyrë të drejtë e demokratike. Sepse në të kaluarën ne kemi parë shpesh që Shqipëria ka humbur kohë në përmbushjen e reformave të integrimit europian. Mendoj se ky duhet të jetë fokusi tani: të mos ketë më vonesa”, pohoi Fajon.
Vizat
Komisioni Europian brenda këtij viti pritet të miratojë edhe një ligj, i cili sipas ish-raportueses për vizat më Shqipërinë, pritet të përdorë mekanizmin e bllokimit të përkohshëm të vizave, vetëm në raste krize dhe si masë ekstreme. “Ne po diskutojmë për mekanizmin e bllokimit të përkohshëm të regjimit të lirë të vizave. Është shumë e rëndësishme, sidomos për vendet e Ballkanit Perëndimor që qytetarët të dinë se cilat janë rreziqet që ai mund të sjellë dhe në ç’mënyrë ata mund të parandalojnë abuzimet me lëvizjen e lirë. Kur ky mekanizëm për pezullim të përkohshëm të lëvizjes së lirë të miratohet, atëherë jo vetëm vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe vendet e tjera, nëse nuk respektojnë kushtet, rrezikohen të vihen në “listën e zezë” të “Shengen”-it, ose do t’u rikthehet sistemi i mëparshëm i vizave”, deklaroi eurodeputetja Fajon.
100-vjetori
Marrja e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti, sipas Tanja Fajon, është në dorën e klasës politike në Shqipëri. Eurodeputetja deklaroi dje shansin historik të 100-vjetorit të Pavarësisë. Shqiptarët duhet ta përdorin për ta bërë këtë hap të ri drejt Bashkimit Europian, sepse kjo është dëshirë e të gjithë qytetarëve dhe se “Shqipëria i përket Europës”.
Stefan Fyle
Komisioneri për Zgjerimin në KE, Stefan Fyle, deklaroi disa ditë më parë se maxhoranca dhe opozita kanë kohë deri në datën 24 maj për të miratuar me konsensus reformën zgjedhore dhe atë parlamentare. Përfundimi i dy reformave, të cilësuara si kyçe për marrjen e statusit të vendit kandidat, sipas Komisionerit Fyle duhen miratuar para nisjes së procedurave për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit shqiptar. Këtë mesazh Komisioneri i Zgjerimit e përcolli gjatë mbledhjes së Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Sipas Fyles, Shqipëria nuk ka më kohë dhe duhet të punojë fort për plotësimin e 12 kritereve, në mënyrë që të marrë statusin e vendit kandidat.
Procedura ZYRTARE NIS ME 24 MAJ
Kuvendi i Shqipërisë, në datën 24 maj nis përgatitjet për nisjen e procedurave për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës, ndërsa mandati i Presidentit aktual, Bamir Topi, përfundon më 24 korrik 2012. Rregullorja parlamentare (neni 109) përcakton se Presidenti i Republikës zgjidhet në përputhje me nenet 86, 87 dhe 88 të Kushtetutës, me votim të fshehtë dhe pa debat. Konferenca e Kryetarëve cakton datën e kryerjes së votimit për çdo raund votimi të përcaktuar në Kushtetutë.
Votimi, DUHEN 84 VOTA NE TRI RAUNDET E PARA
“Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë, kur një kandidat merr jo më pak se 3/5-at e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, thuhet në Kushtetutë. Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, kur edhe pas këtij votimi asnjë kandidat nuk siguron minimumi 71 vota, ose kur pas dështimit të votimit të katërt nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











