Presidenti, Nano mbështetet nga Dule

May 4, 2012 | 13:22

Fatos Nano

Ish-kryeministri socialist vazhdon takimet me krerët e partive parlamentare: Na duhet proces konsensual .

Kreu i PBDNJ: Ta mbështesin, solli një momentum pozitiv politik.

Ish-kryeministri socialist, Fatos Nano, mori dje dhe mbështetjen e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule, në garën e tij për President.
Pas një takimi të zhvilluar dje në mesditë në zyrën e Nanos te Kullat Binjake përballë Kryeministrisë, Dule ka shprehur hapur mbështetjen e tij, madje u bëri thirrje dhe partive të tjera të mbështesin Nanon në këtë garë. Kreu i PBDNJ-së tha se fushata e ndërmarrë nga Nano ka gjeneruar një moment zhvillimesh pozitive në vend. “E kemi mbështetur zotin Nano që në momentin e parë të manifestimit të kësaj iniciative. Ka krijuar një momentum zhvillimesh pozitive politike për vendin. Një dialog është në zhvillim, energji pozitive të cilat për arsye të ndryshme ishin në fjetje, një jetë politike pozitive, bashkëpunim dhe dialog, i cili do t’i japë vendit shërbimin e duhur drejt objektivave të veta strategjike. Vota jonë ashtu si dhe në vitin 2007 do të jetë për kandidaturën e zotit Nano. Besojmë dhe duhet që forcat politike këtë klimë dhe këtë momentum politik ta institucionalizojnë me mbështetjen e tyre ndaj zotit Nano për postin e kreut të shtetit”, tha Dule.
Nano

Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule

Pas deklaratës së kreut të PBDNJ-së, Fatos Nano, i vetmi kandidat që ka nisur fushatën për kreun e shtetit, duke folur dhe për dialogun që duhet të vendoset mes forcave politike për integrimin e vendit, tha se “procesi po gjeneron konsensus”. “Vlerësoj, siç dëgjuat zotin Dule, procesi po gjeneron konsensus, në mbështetje të iniciativave kombëtare që na bashkojnë me Europën dhe detyrat që duhet të kryejmë. Besoj që të gjithë stimujt që vijnë në këto takime, në një ditë që dëgjova dhe konvergjencën e mesazheve të komisionerit Fyle për një proces konsensual, janë ato që i duhen vendit në një stinë kaq të ngarkuar”, iu përgjigj Nano interesit të mediave. Ish-kryeministri Nano ka zhvilluar ditët e fundit takime me kryetarë të partive parlamentare. Takimi që hapi dhe turin e konsultimeve të Nanos pas shpalljes së kandidaturës së tij për President ishte me kreun e LSI-së, Ilir Meta. Ai vlerësoi platformën e Nanos dhe nisjen e një dialogu në politikën shqiptare. Më pas Nano u takua me ambasadorin amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu, i cili e vlerësoi atë si modelin e Presidentit që i duhet në këto momente vendit. Pas takimit me ambasadorin Arvizu, Nano u takua në selinë rozë me kryetarin e PS Edi Rama dhe kryetarin e Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, takim që u cilësua konstruktiv nga vetë Nano.

Nano: Jo fraksione në politikë
Ish-kryeministri Nano theksoi se ka kryer takime me krerë të partive parlamentare, duke mohuar të ketë zhvilluar takime të tjera me deputetë të caktuar, pasi sipas Nanos, ky nuk është një moment për të sjellë një konflikt më shumë në situatën aktuale politike. “Unë mbërrij te deputetët edhe këtë herë përmes takimeve publike me kryetarët e partive parlamentare dhe nuk më shkon fare në mendje të sjell një fraksionim dhe një konflikt më shumë në situatën politike në vend”, u shpreh Nano.

Nano u mbështet nga Idrizi
Dy ditë më parë Nano mori mbështetjen në garën e tij presidenciale edhe nga kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, duke e cilësuar atë si kandidatin me profil të qartë politik dhe publik, profil që i duhet kreut të shtetit. “Ne vlerësojmë faktin se Presidenti jo vetëm duhet të jetë konsensual, por duhet të ketë profil të lartë dhe publik dhe politik. Në këtë kuptim ne vlerësojmë edhe kontributin e zotit Nano, platformën e tij. Zoti Nano është një person publik, është një person që ka eksperiencë në jetën publike shqiptare dhe besoj që e përmbush këtë profil”, u shpreh Idrizi. Pas takimit me ish-kryetarin socialist, kreu i PDIU-së shfaqet kundër idesë se kreu i ri i shtetit mund të zgjidhet vetëm nga maxhoranca.

Vijojnë konsultimet për garën presidenciale
Kandidimi, në fundjavë Nano takon edhe Berishën

Berisha e Nano

Kandidati i vetëm zyrtar i vetëshpallur për President, Fatos Nano, pritet të takojë në fundjavë kreun e maxhorancës aktuale parlamentare, Sali Berisha. Vetë Nano tha dje se takimi pritet të ndodhë brenda kësaj jave, por burime pranë tij thanë se ende nuk përcaktuar dita e takimit, por fundjava është më e përshtatshme për këtë takim, kur dhe Kryeministri është larg ngarkesave zyrtare. Pas Berishës, Nanos i mbetet të takojë dhe kreun e PR-së, Fatmir Mediu, duke mbyllur turin e konsultimeve me kryetarët e partive parlamentare. Mësohet se Kryeministri Berisha do të takohet javën e ardhshme me Edi Ramën për Presidentin, pas ftesës që kreu socialist i ka bërë atij. Kryesocialisti Edi Rama u dërgoi një letër-ftesë të gjithë kryetarëve të partive parlamentare për nisjen e dialogut për Presidentin e ri. Ashtu siç kishte premtuar 10 ditë më parë, Rama u bë iniciatori i nisjes së negociatave përmes ngritjes së një procesi bashkëbisedimi mes palëve, për të arritur në një emër të pranuar nga të gjithë. “Në emër të Partisë Socialiste dhe të gjithë asaj mase të madhe qytetarësh shqiptarë që Partia Socialiste përfaqëson në Kuvend, dëshiroj t’Ju ftoj me anë të kësaj letre që të takohemi drejtpërdrejt, për të këmbyer pikëpamjet tona dhe për të tentuar të hapim një dialog konstruktiv mes të gjitha palëve lidhur me rëndësinë madhore të ndërtimit të një procesi të dobishëm për vendin në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës”, shprehet Rama në letrën e tij dërguar kreut të PD-së, LSI-së, PR-së, PBDNJ-së dhe PDIU-së.

Edi Rama
Kreu socialist, Edi Rama, dy ditë më parë në mbledhjen e Grupit të deputetëve kërkoi përcaktimin e identikitit të kreut të ri të shtetit. “Është shumë herët të flitet për emra, dhe jo vetëm është herët, por është edhe kundërproduktive në këtë fazë që duhet të jetë përgatitore për një proces. Por është, pa dyshim, koha për të folur për identikitin e Presidentit të ri të Republikës në kushtet kur, nga njëra anë, prej mënyrës se si do të zgjidhet Presidenti do të varet në një masë kritike, vendimtare, statusi i kandidatit dhe, nga ana tjetër, do të përcaktohet në një farë mënyre edhe vlerësimi real që çdonjëra palë do t’i bëjë momentit historik të 100-vjetorit të Pavarësisë”, u shpreh Rama.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura