TIRANË- Kandidati i vetëofruar për presidentin e ri të vendit Fatos Nano ka deklaruar sot pas takimit me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi se procesi i zgjedhjes së presidenti duhet të jetë i zhveshur nga ndrojtja. “Nëse ka oferta të tjera është stimul më shumë për ta nxitur publikun që të jetë më i informuar. Besoj se në rrugën që na bashkon garuesit janë me tipare të qarta”- ka thënë ai, në përgjigje të pyetjes se si i vlerëson dy kandidaturat e tjera, Ceka dhe Topalli.
Nano ka thënë se shumë shpejt do të ndodhë edhe takimi me kryeministrin Berisha, ndërsa ka sqaruar se ai nuk do të interferojë e as të ndërprerë axhendat e krerëve të shtetit.
“Në tërësi jemi në rrugën e duhur për të zgjeruar dialogun mes drejtuesve të politikës aktuale, jo vetëm në funksion të zgjidhjes së cështjes presidenciale, në përputhje me objektivat e integrimit dhe përshpejtimin e reformave, por edhe me këtë klimë të nevojshme që të gjithë kontributet të konvergojnë në këtë cështje të integrimit. Besoj se edhe për mua është kënaqësi që qoftë edhe për shkak të iniciativës sime po ndodhim kaq shumë takime të munguara në kaq pak kohë”- tha Nano.











