
Kreu i republikanëve flet pas ftesës së Ramës.
“Nano vjen nga krahu i majtë, e djathta të dalë me alternativat e veta të qarta”
Kryetari republikan Fatmir Mediu i kërkon partisë demokratike të zhvillojë një proces konsultimi brenda të djathtës për presidentin e ri të vendit. në një intervistë për “Panorama”, Mediu shprehet se koalicioni i djathtë qeverisës duhet të ndërtojë atë proces dialogu dhe negociatash që ka zhvilluar dhe në zgjedhjet e mëparshme të kreut të shtetit në 2002 dhe 2007, ku republikanët kanë qenë negociatore.
Mediu e konsideron Fatos Nanon si një kandidaturë që vjen nga krahu i majtë, ndërsa kërkon që dhe e djathta të përcaktojë një kandidaturë të saj të qartë për procesin e negocimit të presidentit.
Edi Rama i ka çuar një ftesë të gjithë kryetarëve të partive parlamentare për të hapur dialogun për Presidentin e ri të Republikës. Ju do merrni pjesë në këtë tryezë dhe çfarë mendimi keni për këtë tryezë dhe këtë proces?
Unë mendoj që komunikimi dhe dialogu politik për çështje të rëndësishme, sidomos për çështje të interesit Kombëtar janë të domosdoshme dhe nuk ka pse të ndodhë në momente të shkëputura, por kjo duhet bërë në mënyrë permanente, për interesa primare të vendit. Por njëkohësisht mendoj se maxhoranca duhet të ulet njëherë brenda vetes së vet për të diskutuar për çështjen dhe për të pasur një qëndrim. Ne kemi tashme dy eksperienca, ajo e vitit 2002 dhe ajo e vitit 2007, ku në atë kohë ne opozitë kemi pasur një përfaqësim të përbashkët si opozitarë, po ashtu dhe në 2007, në tryezën që kemi organizuar kemi qenë në përfaqësim të përbashkët me maxhorancën. Ky është dhe sugjerimi që unë kam për drejtuesit e Partisë Demokratike që të ulemi dhe të kemi një qëndrim të përbashkët dhe më pas të ulemi dhe të negociojmë më palën tjetër që është opozita. Besoj se do të ishte më dobiprurëse kështu sesa negociata pa fund.
Negocimi duhet të ketë emra konkretë, sepse parimet i ka të shkruara Kushtetuta…
Unë mendoj se nuk është hera e parë që ne ulemi dhe diskutojmë për Presidentin e Republikës. Ajo që është më e rëndësishme që politika nuk duhet ta shohë veten mbi Kushtetutën dhe institucionet. Ato janë të detyrueshme për tu respektuar. Kurse, fryma e dialogut dhe kompromisit padyshim që i shërben forcimit të institucioneve dhe sidomos respektimit të Kushtetutës. Kështu që në këtë kuadër, duke pasur parasysh dhe eksperiencat e tjera, edhe faktin që Partia Republikane ka qenë negociatore në tryezën e 2002 dhe 2007, mendoj se do të ishte shumë e dobishme që të diskutojmë. Por, nga praktika e realizuar më parë ne jemi përpjekur që të gjejmë një gjykim brenda vetes, qoftë dhe pozicionet apo gjykimet alternative, për emrat e personave për të arritur një zgjidhje që është më racionale brenda frymës Kushtetuese.
Ju ishit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, cilat janë sinjalet që vijnë nga aleati ynë të paktën për çështjen e Presidenti? Mund ti lihet palës tjetër, mund të kemi një President mbi palët?
Unë mendoj se do të ishte shumë naive që ne si klasë politike shqiptare, pas 22 vjetësh të shikojnë se çfarë do na thonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Bashkimi Europian se kush do të jetë Presidenti i Republikës. Besoj se 22 vjet na kanë mësuar që e rëndësishme është që ne duhet të gjejmë një individ që ka integritet të plotë për të qenë qytetar i parë i vendit. Më shumë t’i shërbejë interesit kombëtar dhe jo interesave të veta politike. Dhe eksperiencat qoftë të mira, qoftë të këqija duhet të na shërbejnë në rrugën që ne duam të ecim. Nuk kam pasur një diskutim konkret për këtë çështje në SHBA. Të gjithë mbështesin ecjen e reformave të qeverisë dhe kërkojnë një bashkëpunim të forcave politike, sepse tashme axhenda e jonë evropiane është një axhendë e përcaktuar besoj në qëllime që inkludojnë dhe pozitën dhe opozitën dhe në këtë pikëpamje çdo bashkëpunim është i domosdoshëm. Besoj se një President me integritet dhe që e konsideron veten qytetar i parë i vendit dhe garant i Kushtetutës dhe i unitetit kombëtar duhet t’i shërbente më së miri politikës shqiptare për të gjitha problemet që janë shtruar për zgjidhje.
Mund të jetë kandidatura e Fatos Nanos një i tillë?
Absolutisht që unë nuk jam këtu për të përjashtuar asnjë lloj alternative. Do të ishte gabim që të bëhen përjashtime të alternativave, për kontributin e politikës shqiptare. Por dua të theksoj që e rëndësishme është ne të ulemi si maxhorancë dhe të gjykojmë. Nano vjen si alternativë nga krahu i majtë, duhet që e djathta të dalë me një alternativat e veta të qarta, ashtu siç kemi operuar dhe në rastet e tjera.
Zoti Mediu ju ishit me zotin Dashamir Tahiri në SHBA kjo do të thotë që ai është më afër jush dhe me larg zotit Idrizi apo ishte një alternim midis dy forcave për një çështje të përbashkët?
Absolutisht jo. Nuk është hera e parë që unë në një vizitë pune, siç ishte takimi me Bankën Botërore kam qenë i shoqëruar dhe me përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë. Zoti Tahiri është një deputet i nderuar dhe as nuk e kam bërë dhe as nuk e bëj që të përpiqem të kaloj gardhin vetëm apo t’i kërkoj të tjerëve të kalojnë gardhin. Për mua janë të gjithë deputetë të respektuar dhe PDIU-ja për mua është një parti në koalicion dhe respektoj hierarkinë drejtuese. Nuk kam bërë dhe bëj ndonjë herë demarshe të tilla për të krijuar probleme. Më intereson që të ketë një PDIU sa më të forcë dhe një maxhorancë sa më të fortë.
Tre kandidatë
Edhe pse personalisht disa emra kanë mohuar mundësinë e kandidimit për President, javën e shkuar dy emra të saj dolën si propozime partish politike të së djathtës. Përveç Fatos Nanos, i cili është kandidati më zyrtar, për shkak të nisjes së takimeve me kryetarë partish parlamentare, dy ditë më parë, në tregun politik u hodhën dhe emrat e Neritan Cekës si propozim i Partisë Aleanca Demokratike dhe Jozefina Topalli të propozuar nga Aleanca Demokristiane. Ndërkohë pritet që Nano të vazhdojë takimet dhe me drejtues të tjerë të partive parlamentare.
Kreu i PDS-së kundër zgjedhjes me 71 vota të Presidentit
Milo: Emrin e kreut të shtetit e përcaktojnë ndërkombëtarët dhe LSI
Kreu i PDS-së shprehet se do të jetë LSI dhe ndërkombëtarët që do të përcaktojnë emrin e presidentit të ri të Republikës. për këtë Milo sjell në vëmendje precedentët e mëparëshëm të zgjedhjes së presidentit. “Do të varet shumë nga dy faktorë, e para nga faktori ndërkombëtar, presioni që ai do të ushtrojë, një presion pozitiv për të gjetur president konsensual. Faktori tjetër do të jetë ai LSI, faktori që mesa duket do të jetë ‘king maker’ i procesit”, deklaroi Milo. Kreu i Demokracisë Sociale, ndërkaq thekson se nëse të huajt nuk këmbëngulin për një zgjidhje konsensuale si në 2002 me Alfred Moisiun, presidenti i ri do të zgjidhet nga radhët e të djathtëve. “Nëse do të nisemi nga standartet e deritanishme të politikës shqiptare, atëherë unë nuk shoh një zgjidhje konsensuale por një zgjidhje të njëanshme në raundin e katërt me një kandidat nga partia Demokratike, pra do të kemi një president të partisë Demokratike të zgjedhur me 71 vota”, tha kreu i PDS, Paskal Milo. Deri tani janë lakuar për kreun e shtetit emrat e Fatos Nanos, Jozefina Topallit dhe Neritan Cekës dhe vizita e komisionerit për Zgjerim Fyle në 3 maj pritet të jetë ndikuese në tërë procesin.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











