Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi dje se kreu i maxhorancës, para se të nxjerrë një kandidaturë për postin e Presidentit, ai duhet të konsultohet me të gjithë aleatët e së djathtës. Kreu i PR-së ka konfirmuar se është për një President që vjen si rezultat i konsultimeve mes të gjitha forcave, por pa devijuar nga hapësirat që parashikohen me Kushtetutë. “Është e domosdoshme që maxhoranca të ulet e të diskutojë për emrat dhe figurat që ajo do të propozojë. Ajo që është e rëndësishme, është që ne të arrijmë në një zgjedhje të qenësishme, që qytetari i parë i vendit të jetë garant i Kushtetutës”, shprehet Mediu. Ndërkaq, kreu republikan konfirmoi se emri i pasuesit të Bamir Topit është një çështje që e ka diskutuar me Kryeministrin këto kohë. Mediu theksoi se është i hapur për të zhvilluar një takim me kandidatin e vetëshpallur, Fatos Nano. “Patjetër që do ta takoj zotin Nano. Unë kam qenë për dialogun politik, është më se i domosdoshëm, sidomos për çështjet e interesit kombëtar. Unë besoj te një President që do të vijë si fryt i diskutimeve dhe debateve brenda forcave politike dhe një vendimmarrje që qartësisht duhet të jetë kushtetuese, pas një diskutimi konstruktiv”, shprehet Mediu.
PS, interpelancë me Berishën për minierat
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar dje në Parlament kërkesën për interpelancë me Kryeministrin Sali Berisha për marrëveshjet koncensionare të shfrytëzimit të kromit në Bulqizë dhe të minerareve në të gjithë Shqipërinë. Kërkesa mban firmat e gjashtë deputetëve të Partisë Socialiste, duke nisur nga Sajmir Tahiri, Eduard Shalsi, Dashamir Peza, Anduel Xhindi, Artan Gaçi dhe Bashkim Fino. Në shkresën e dorëzuar dje nga deputeti Tahiri në Kuvend, thuhet se baza ligjore për këtë kërkesë është: “Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë, neni 97 i saj, ‘Interpelancat për çështje urgjente’”. Më tej, në tekstin e shkresës, deputetët socialistë theksojnë: “Thërritet për të dhënë shpjegime Kryeministri, z. Sali Berisha, lidhur me ‘Zbatimin e legjislacionit të fuqi dhe marrëveshjes koncesionare për shfrytëzimin e kromit në Bulqizë, mbi shfrytëzimin e burimeve minerare në tërësi, akuzat publike për shkelje të ligjit dhe kontrabandës së kromit, shfrytëzimit abuziv të pasurisë minerare dhe rrezikshmërisë së lartë që kjo situatë paraqet për jetën e minatorëve dhe të banorëve në zonat e implikuara, si dhe për të ardhmen e vendit’”.











