TIRANE- Presidenti Bamir Topi dhe Presidenti malazez Vujanoviç kane rikonfirmuar vullnetin dhe angazhimi i palëve për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe efikas në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë si dhe realizimin e aspiratës integruese të dy vendeve tona në gjirin e familjes së madhe evropiane.
Pas ceremonisë solemne të rastit, të mbajtur në Pallatin e Brigadave, me ekzekutimin e himneve kombëtare dhe prezantimin e delegacioneve respektive, dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë. Në përfundim të tij, Presidenti Topi dhe Presidenti malazez Vujanoviç drejtuan bisedimet dypalëshe mes dy delegacioneve zyrtare.
Pritja në Pallatin e Brigadave u mbyll me konferencën e përbashkët për shtyp të dhënë nga dy presidentet.
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë, ditën e enjte më 3 maj 2012, Presidenti i Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç do të takohet me Kryetarin e Këshillit të Ministrave, Sali Berisha, me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, si dhe me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.
Axhenda e Presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç parashikon edhe dy vizita ditën e premte në qytetin e Beratit dhe në atë të Durrësit.
© Panorama.al











